Ja përse jeni gjithmonë të uritur.

Është normale që jeni më të uritur kur sapo jeni kthyer nga fitness apo për ju femra qe jeni në prag të ciklit menstrual. Mirëpo dëshira e madhe për të ngrënë dhe vështirësia që të refuzoni ushqim sa herë që ju ofrohet, lidhet me disa fakte tjera.

Dehidrimi

Mungesa e ujit në trup iu bën të ndiheni të uritur. Trupi manifeston ndjenja urie sa herë që ai ka nevojë për lëngje. Shpeshherë ndodh që trupi juaj ka uri, kur në fakt ka nevojë vetëm për ujë. Konfuzioni ndodh në hipotalamus, në pjesën e trurit që rregullon etjen dhe urinë. Kur dehidroheni, trurit i shkaktohet konfuzitet. Ju dëshironi që të rrëmbeni një qese me patatina kur në fakt ju keni nevojë vetëm për ujë.

Gjumi jo i mirë

Kur nuk keni bërë gjumë të mirë gjatë natës, hormonet e lidhura me urinë fillojnë komplotin kundër jush. Gjumi i paktë mund të çojë në rritjen e nivelit të ghrelinës, një hormon që e rrit oreksin. Gjithashtu të flini pak gjatë natës mund të zvogëlojë nivelin e leptinës, një hormon që rrit ndjenjën e ngopjes. Kur nuk flini sa duhet trupi ka nevojë për më shumë energji, të cilën do të mundoheni ta merrni përmes ushqimit. Prandaj ju do të ndiheni gjithmonë të uritur.

Konsumoni shumë alkool

Studimet tregojnë se personat që pinë alkool, ndiejnë dëshirën për të konsumuar më shumë karbohidrate dhe kalori. Kur pini kujdesuni që të pini shumë ujë. Kjo do ta zvogëlojë dëshirën për të ngrënë pasi të keni pirë koktejin tuaj të preferuar.

Hani më shumë proteina

Konsumimi i proteinave do të ju mbajë më të ngopur. Kur ju nuk konsumoni proteina sa duhet atëherë edhe ndjenjat e urisë do të jenë më të pranishme. Konsumoni banane, vezë dhe mish të kuq. Trupi ka nevojë për 46 gramë proteina në ditë.

Sherr për pronën në Ballsh, 53-vjeçari bën për spital dy vëllezërit e tij

Një sherr mes tre vëllezëerve në një fshat të Ballshit ka degjeneruar në luftë fizike.

Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e sotëm në fshatin Kapaj, ku 53-vjeçari Nuredin Alibehaj ka rrahur dy vëllezërit e tij.

Ai ka arritur t’i dhunojë aq fort vëllezërit T.A 60 vjeç dhe E.A 46 vjeç, saqë të dy kanë përfunduar në spitalin e Fierit ku ndodhen nën kujdesin e mjekëve.

Sipas policisë sherri nisi pas një konflikti për pronën.

53-vjeçari është arrestuar për dhunë në familje dhe do të gjykohet nga Gjykata e Shkallës së Parë në Fier.

Kokainë në bateritë e makinës, kapet mat fieraku në Kakavijë

Në vijim të luftës kundër drogës, policia e Shteti ka goditur një tjetër tentativë për trafik të lëndë narkotike të forta.

Gjatë kontrolleve të vazhdueshme për goditjen e veprimtarisë kriminale të trafiqeve te paligjshme u përzgjodh për kontroll të detajuar në vijën e dytë automjeti i markës ‘Mercedes Benz’, me targa AA216TF, me drejtues shtetasin Selim Lazaj, vjeç 46, banues në Patos, Fier.

Gjatë kontrollit të detajuar në bashkëpunim me shërbimet doganore, duke përdorur edhe skanerin, u konstatua se në baterinë e automjetit, gjendeshin të fshehura dy pako të mbështjella me natriban të dyshuara me lëndë narkotike të llojit Kokainë.

Nga peshimi i pakove rezultoi se brenda tyre kishte një sasi prej 3 kilogramë e 545 gramë lëndë narkotike të dyshuar Kokainë, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Në përfundim të veprimeve të kryera nga Specialistët për Hetimin Narkotikëve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit të lartpërmendur për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”.

Materialet u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë. Neni 283/a i Kodit Penal.

Moti sot e mërkurë, 31 tetor 2018!

Orët e para të ditës nisin me kthjellime dhe vranësira në të gjithë territorin më të theksuara në ekstremin verior dhe veriperëndimor por pa rrezikuar shira.

Ndërsa, gjatë pasdites pritet përmirësim i situatës atmosferike duke sjell mot kryesisht të kthjellët në të gjithë vendin me praninë e vranësirave të lehta.

Sipas MeteoAlb, temperaturat e ajrit pësojnë rritje të lehtë në vlerat e mëngjesit.

Por mesdita nuk sjell ndryshim të tyre duke luhatur vlerat ditore nga 10 në 28°C.

Era do fryjë mesatare me shpejtësi 35 km/h nga drejtimi Lindor-Juglindor duke shkaktuar në det dallgëzim 2 ballë.

Horoskopi sot e mërkurë, 31 tetor 2018!

Dashi

Do të jetë një ditë mjaft pozitive për të bërë paqe me personat me të cilët keni debatuar gjatë javëve të fundit. Këshillohet që të jeni më të komunikueshëm dhe të stimuloni kompromiset, pasi vetëm zgjidhje të tilla do ju lejojnë arritjen e objektivit tuaj pa humbur kohë.

Demi

Duhet të jeni shumë të përqendruar në vendin e punës, pasi edhe shpërqendrimi më i vogël, mund të shkaktojë pengesa. Parashikohet një mbrëmje e mbushur plot të reja, sidomos në fushën e ndjenjave.

Binjakët

Bëni kujdes në dashuri, pasi konfuzioni dhe pasiguria shpesh do ju bëjnë shumë impulsiv. Këshillohet që të jeni të drejtpërdrejtë në diskutimet me partnerin/en. Rigjetja e stabilitetit është shumë e mundur, por duhet të jeni ju që të hidhni hapin e parë. Në vendin e punës parashikohen përgjigje të rëndësishme.

Gaforrja

Kjo ditë do të jetë e mbushur me aktivitete të cilat do të kërkojnë që të nxirrni në pah kreativitetin tuaj. Këshillohet që të përvishni mëngët dhe të shfrytëzoni në maksimum këtë periudhë për tu shfaqur më aktiv në vendin e punës.

Luani

Në dashuri kjo është një periudhë e cila ju sheh në krizë. Partneri/ja juaj, nuk arrin që të kuptojë nevojat që keni dhe kjo për shkak se nuk jeni të drejtpërdrejtë dhe të sinqertë ndaj tij/saj. Do të jeni shumë krenar dhe të mbushur me pasiguri. Këshillohet që të hapeni më shumë.

Virgjëresha

Ky është një moment shumë i mirë për të rimenduar të gjitha vendimet e marra nxitimthi. Do të keni një intuitë të spikatur dhe idetë tuaja do të rezultojnë bindëse dhe interesante, por duhet të siguroheni që të jeni të bindur, para se të nisni aktivitete të reja.

Peshorja

Do të jeni të detyruar të rregulloni ndonjë gabim që keni bërë lidhur me bashkëpunëtorët tuaj, por mos u dekurajoni, pasi kjo nuk do të jetë gjë tjetër veçse shfaqje e profesionalitetit dhe talentit tuaj. Në dashuri mundohuni që të jeni më romantik për të rindezur pasionin.

Akrepi

Do të jeni të frymëzuar dhe kjo gjë do të stimulojë krijimtarinë dhe strategjitë tuaja lidhur me projekte të rëndësishme për karrierën tuaj. Megjithatë duhet të mbani parasysh edhe një keqkuptim të mundshëm në dashuri ose në familje.

Shigjetari

Do të hapet para jush një fazë mjaft e rëndësishme për dashurinë dhe ndjenjat. Këshillohet që të jeni ju që të hidhni një hap vendimtar ndaj partnerit/es dhe do të merrni konfirmime të rëndësishme. Këshillohet që me shpenzimet të tregoheni të kujdesshëm.

Bricjapi

Do ta gjeni veten të përfshirë në një çështje urgjente e cila do ju lodhë si nga pikëpamja fizike edhe psikologjike. Përhumbja në stres është shumë e mundshme në këtë moment, por duhet të ruani përqendrimin. Këshillohet që të jeni të durueshëm dhe të silleni me diplomaci, në mënyrë që të shmangni tensionet e kota.

Ujori

Nuk do të jeni të kënaqur me disa sjellje të bashkëpunëtorëve tuaj. Nuk ndiheni të vlerësuar plotësisht, ose ndoshta jeni të lodhur nga rregullimi i gabimeve të të tjerëve. Megjithatë kjo e mërkurë, ju fton të mos dekurajoheni, par shkak se vlerësimet janë fare pranë. Fusha e ndjenjave është mjaft e favorshme.

Peshqit

Shmangni tensionet e kota në familje, pasi në këtë moment është e rëndësishme që të sheshoni çdo keqkuptim. Parashikohen ndryshime të rëndësishme dhe aktivitete të reja. Në dashuri, këshillohet të mos merrni vendime drastike.

Aksident në Lezhë, përplaset 50 vjeçari që udhëtonte me biçikletë

Një aksident me pasojë vdekjen e një 50-vjeçari është regjistruar mëngjesin e kësaj të mërkure në Lezhë.

Sipas informacioneve viktima është Zef Mullishi nga Rrila.

Ai po udhëtonte me një biçikletë në superstradën Lezhë-Milot, kur është përplasur nga një automjet tek kryqëzimi i Rrilës.

Policia ka nsiur hetimet për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit.

Kujdes fëmijët nga Halloween-i, festa mund të ketë pasoja.

Festa e Halloween-it, prej disa vitesh pritet me interes edhe në Shqipëri. Sidomos nga fëmijët, maskat janë kthyer në trendin e ditëve të fundit, në pritje të festës së shtrigave. Grimi i personazhit të preferuar, veshjet me personazhet e preferuara, në fakt, veç pjesës së argëtimit, sjellin edhe efekte në shëndetin e fëmijëve, sidomos tek ata që vuajnë nga alergjitë apo komplikacione të tjera.

Shqetësimi i prindërve mund të qetësohet disi nëse ndiqni me kujdes disa këshilla që, më së shumti, u drejtohen fëmijëve që vuajnë nga astma apo alergji të tjera.

Gjatë përgatitjeve, është shumë e rëndësishme që prindërit dhe fëmijët të kenë parasysh disa këshilla:

Maskat. Bëni kujdes që fëmijëve me astmë t’u gjeni një kostum pa maskë, sepse kjo e fundit u vështirëson atyre frymëmarrjen normale. Edhe kostumi të mos jetë i ngushtë apo i ngjitur pas trupit, që të pengojë frymëmarrjen.

Grimi i Halloween-it mund të shkaktojë reaksione alergjike, ndaj këshillohet të përdorni vetëm produkte të një cilësie të lartë dhe para se ta përdorni, provojeni për të kuptuar nëse ka rrezik për ndonjë reaksion apo alergji.

Kontrolloni ushqimet. Bëni kujdes me produktet e paetiketuara dhe para se fëmijët t’i konsumojnë, kontrolloni etiketat e tyre. Nëse keni fëmijë që vuajnë nga alergjitë, ata duhet ta dinë se cilat janë ushqimet që bëjnë dhe nuk bëjnë për ta.

Mos u dhuroni fëmijëve ushqime. Kjo për një arsye shumë të thjeshtë  – t’i shmangni nga alergjitë dhe helmimet.

Jini gjithmonë gati për rastet urgjente. Mbani me vete Epipenin dhe numrin e urgjencës. Fëmijët që vuajnë nga astma duhet të marrin terapinë e duhur çdo ditë dhe të kenë gjithmonë me vete Ventolinen.

Gjërat që të gjithë i bëjmë me telefonin, pa e ditur që po e shkatërrojmë atë

Telefoni është kthyer në pajisjen më të domsdoshme në jetën tonë dhe mundohemi të kujdesemi sa më shumë për të. Por, nëse doni që telefoni juaj të ketë sa më shumë jetëgjatësi duhet të keni parasysh disa gjëra. Me siguri edhe ju jeni duke bërë disa gabime, pa e ditur që po e shkatërrojnë telefonin.

E lini në dritare ose mbi tavolinë, ku i bien rrezet e diellit

Rrezet e diellit ndikojnë në nxehjen e telefonit tuaj, por edhe pse në pamje të parë duket sikur nuk i ndodh gjë, nxehtësia ndikon në baterinë dhe produktivitetin e telefonit tuaj.

Kur e vendosni në karikim në mënyrë të shkujdesur

Ndodh shpesh që ku jemi përgjumësh ose me nxitim e vendosim karikuesin me forcë. Kjo gjë dëmton si karikuesin edhe vendin e karikimit të telefonit tuaj.

Mospastrimi i pjesës së brendshme të telefonit

Telefoni duhet të pastrohet edhe nga brenda, pasi papastërtitë që mblidhen ndikojnë në keqfunksionimin e tij (ngadalësohet, nxehet). Por, duhet të keni parasysh që të tregoheni të kujdesshëm ose të kërkoni ndihmën e profesionistëve për ta pastruar, pasi mund të prishni pjesët delikate të telefonit.

Zëvendësimi i baterisë origjinale me një fallso

Bateria është “zemra” e telefonit, asnjëherë mos e zëvendësoni me bateri fallso, pasi jetëgjatësia e telefonit nuk do të zgjasë.

Vendosja e telefonit në xhepin e pasmë

Vendosja në xhepin e pasmë përveçse mund ta bëjë më të lehtë për t`ua vjedhur, mund ta dëmtojë telefonin tuaj. Mund të uleni mbi të ose mund ta dëmtoni nga presioni që mund të ushtroni.

FOTO / Rama pritet me protesta në Kukës dhe Has

Kryeministri Edi Rama këtë të martë ka udhëtuar në Kukës në kuadër të ashkëbisedimit për platformën e bashkëqeverisjes, por është pritur me protesta.

Gjithashtu më herët shefi i qeverisë ka zhvilluar një bashkëbisedim me qytetarët në Has ku sërish është pritur me nga disa banorë dhe të rinj të FRPD.

Të rinjtë mbajnë në duar disa pankarta në duar, jashtë ambienteve ku do zhvillohej aktiviteti, të rinjtë kanë kundërshtuar vendosjen e tarifës në Rrugën e Kombit si dhe mënyrën si po qeveris Rama.

“Qeveri e drogës”, “Jo taksës së rrugës së Kombit”, “Rinia e Hasit nuk të do” ishin disa prej pankartave të protestës nga të rinjtë e FRPD dhe banorët kundër Edi Ramës.

Pas Rrugës së Kombit, një tjetër autostradë me pagesë.

Pas mbylljes së çështjes së ndjeshme me pagesën në autostradën Durrës-Kukës, qeveria është duke planifikuar të bëjë shumë shpejt një tjetër rrugë me pagesë.

Ministria e Infrastrukturës ka njoftuar sot mediat se po shqyrton një propozim të pakërkuar për dhënien me koncesion të mirëmbajtjes dhe zgjerimit për rrugën me qarkullimin me të madh në Shqipëri.

‘Për Autostradën Tiranë-Durrës është paraqitur një propozim, i cili po analizohet nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë. Bëhet fjalë për një propozim, ku i gjithë investimi do të kryhet nga privati dhe kalimi në rrugë do të jetë me pagesë,’- deklaroi Ministria e Infrastrukturës në një sqarim zyrtar të shpërndarë për mediat.

Sipas relacionit të projektbuxhetit 2019, koncesioni i rrugës Tiranë-Durrës ka një vlerë prej 49.1 miliardë lekësh ose 330 milionë euro. Sipas planit, këto para privati do i investojë për të zgjeruar rrugën me korsi shtesë si dhe për mirëmbajtjen e saj për një periudhë deri në 30 vjet. Në këmbim përgjatë kësaj kohe qytetarët shqiptarë do të paguajnë tarifë sa herë që kalojnë në rrugën Durrës-Tiranë. Ministria e Infrastrukturës nuk e ka bërë publike se sa është tarifa e kalimit që ka propozuar kompania private në ofertën e pakërkuar të koncesionit.