Sulmi ndaj gazetares Lala, takimi 30 minutësh i kreut të policisë me kryeprokuroren e Tiranës

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Ardi Veliu është takuar me Kryeprokuroren e Tiranës Elisabeta Imeraj ku temë e diskutimit ka qenë hetimi në lidhje me sulmin me armë ndaj banesës së prindërve të gazetares Klodiana Lala, në orët e para të mëngjesit të 30 gushtit.

Në orët e paradites së sotme, kreu i policisë i shoqëruar edhe nga drejtori i policisë së Tiranës kanë mbërritur në prokurori ku qëndruar për rreth 30 minuta. Gjatë takimit mes zyrtarëve mësohet se është diskutuar në lidhje me hetimet për zbardhjen e ngjarjes së rëndë të ndodhur në orët e para të së enjtes.
Deri tani mësohet se grupi i hetimit ka sekuestruar disa kamera sigurie në zonën ku mendohet se kanë lëvizur autorët e ngjarjes, ndërsa ka marrë në pyetje edhe disa persona në cilësinë e dëshmitarëve por ende nuk ka të dhëna për gjetjen e autorëve të krimit.

Banesa e prindërve të gazetares u qëllua me dhjetë plumba kur brenda saj ndodheshin dy fëmijët e Klodiana Lalës dhe prindërit e saj. Vetë gazetarja ka shprehur dyshimet se ngjarja ka lidhje me profesionin e saj pasi ajo dhe familja nuk kanë konflikte personale.

Europa League/ Agolli sfidon Arsenalin, Milan përballë surprizës Dudelange

Është hedhur në Monte Carlo shorti i grupeve të Europa League. Goglat kanë përcaktuar grupe mjaft interesante, ku çdo skuadër ka shanset të shumta për të kaluar më tej.

“Buzëqeshje” për italianët e Milanit, që do të masin forcat në Grupit F, sëbashku me Olympiacos, Real Betis dhe modestët e Dudelange. Ndërkohë, Qarabag i Ansi Agolli është shortuar në Grupin E, ku kokë grupi ka gjysmëfinalistët e sezonit të shkuar, Arsenalin, portugezët e Sporting Lisbonë dhe ukrainasit e Vorskla.

Group A
Bayer Leverkusen
Ludogorets
FC Zurich
AEK Larnaca

Group B
Red Bull Salzburg
Celtic
RB Leipzig
Rosenborg

Group C
Zenit St Petersburg
FC Copenhagen
Bordeaux
Slavia Prague

Group D
Anderlecht
Fenerbache
Dinamo Zagreb
Spartak Trnava

Group E
Arsenal
Sporting
Qarabag
FC Vorskla

Group F
Olympiakos
Milan
Real Betis
Dudelange

Group G
Villarreal
Rapid Vienna
Spartak Moscow
Rangers

Group H
Lazio
Marseille
Frankfurt
Apollon Limassol

Group I
Besiktas
Genk
Malmo
Sarpsborg

Group J
Sevilla
Krasnodar
Standard Liege
Akhisharspor

Group K
Dynamo Kiev
FC Astana
Rennes
Jablonec

Group L
Chelsea
PAOK
BATE Borisov
Vidi FC

“Reporterët pa kufij”: Autoritetet të mbrojnë gazetaren Klodiana Lala

Organizata ndërkombëtare “Reporterët pa kufij” kanë reaguar në lidhje me sulmin ndaj banesës së prindërve të gazetares Klodiana Lala.

“Reporterët pa kufij” thotë se dënon sulmin me armë ndaj gazetares Klodiana Lala dhe se autoritetet duhet ta mbrojnë gazetaren.

” Autoritet duhet të dënojnë sulmin ndaj gazetares”, thuhet në reagimin e organizatës.

Ngjarja e rëndë ndodhi mëngjesin e djeshëm (30 gusht), ku persona ende të paidentifikuar kanë sulmuar me kallashnikov banesën e prindërve të gazetares që mbulon lajmet në fushën e drejtësisë dhe aktualitetit, Klodiana Lala.

Gazetarja: Sulmi per shkak te punes time

Vetë gazetarja në një reagim në facebook thotë se ngjarja e ka tronditur dhe se dyshimet kryesore të saj janë që sulmi ka ardhur si rezultat i punës së saj si gazetare.

“Dyshoj se sulmi vjen si rezultat i punës time si gazetare. Këtë profesion e kam ushtruar me ndershmëri e profesionalizëm ndër vite, e do vazhdoj ta ushtroj këtë detyrë me të njëjtin përkushtim, pavarësisht gjithçkaje.

Po ju flas në emrin tim dhe të familjarëve të mi. Jemi mirë, asnjëri prej nesh nuk është lënduar. Megjithatë, jemi të tronditur nga ngjarja. Duke i lënë institucionet të bëjnë punën e tyre, ju siguroj se unë dhe familjarët e mi, nuk kemi asnjë konflikt personal.”

Gazetarja Klodiana Lala nuk banonet në banesën e prindërve por kalonte pjesën më të madhe të kohës atje, ndërsa prindërit kujdeseshin dhe për vajzat.

Rikthehet Ebola, 77 të vdekur në Kongo

Numri i viktimave nga shpërthimi ri i Ebolës në Republikën Demokratike të Kongos ka shkuar në 77. Shifra është bërë publike nga ministria e Shëndetësisë e vendit afrikan.

Aktualisht janë raportuar 115 raste, nga të cilat 85 janë konfirmuar dhe 10 janë të mundshme. Nga 85 pacientë të infektuar 18 u shëruan, thotë ministria e Shëndetësisë.

Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore njoftoi në një konferencë shtypi të premten se një rast i konfirmuar u dokumentua në Oicha.

Komiteti Ndërkombëtar i Shpëtimit kërkoi një “reagim të shpejtë, të bashkërenduar dhe efikase” për të shmangur përsëritjen e shpërthimit të Ebolës 2013-2016 në Afrikën Perëndimore, e cila vrau më shumë se 11.000 njerëz.

“Buzëqeshja që mposhti acidin”, Vilma Dule rrëfehet për herë të parë pas pesë vjetësh nga sulmi në Tiranë

Administratorja e një Call-Centeri në Tiranë është sulmuar me acid në fytyrë nga një person ende i paidentifikuar teksa dilte nga banesa e saj. Policia njofton se bëhet fjalë për shtetasen Vilma Dule, 26 vjeçe…

Kujtesa nganjëherë bën lojëra, por ky kryelajm i frikshëm atë fund-gushti të athshëm, nuk mund të eliminohet aq lehtë. S’mund të fshihet, s’mund të korrektohet dhe as nuk mund të konsiderohet si një ngjarje e zakonshme që mbush rëndom faqet e gazetave. Një grua mori një goditje përvëluese në mes të kryeqytetit, duke lënë një shenjë të fortë në të gjithë lëkurën e shoqërisë. Ende, asnjë i dënuar!

Nga Andrea Danglli

Nëse 27 gushti i vitit 2013 nuk do të ekzistonte fare në kalendar, jeta e Vilma Dules do të kishte marrë një tjetër rrjedhë. Pavarësisht se prej pesë vitesh ajo është përpjekur ta kapërcejë këtë datë, netët që ikin dhe ditët që vijnë duket se e kanë mësuar se si ta pranojë atë për të mos u përsëritur më kurrë. Nga e reja e dikurshme që spikaste në çdo ambient, sot në aparencë ka ngelur veç shkëlqimi i syve nga ku reflektohet edhe më shumë dritë. Brenda tyre ka shkreptima shprese, ndriçim vullneti, shkëndija durimi dhe një rrymë që sot mund të nxjerrë nga errësira mjaft njerëz. Ka qenë pikërisht kjo e fundit arsyeja se pse vendosi të thyejë heshtjen duke dhënë intervistën e parë që pas tragjedisë.

Tashmë nuk ka më frikë të flasë, ndaj ka vendosur që dritën e syve dhe forcën e fjalëve t’i nxjerrë përpara në luftën e saj për të parandaluar çdo 27 gusht që shfaqet mbi horizont.

“Nga ajo ditë mund të them se çdo qelizë e jetës sime ka ndryshuar. Kujtimi i sulmit dhe i dhimbjes është ende shumë i gjallë. Madje sa herë mbyll sytë më shfaqet përpara çdo moment dhe më trazon pa reshtur. Edhe tani nëse do provoj të mbyll qepallat, më vijnë imazhe nga momenti kur një i ri më sulmoi poshtë pallatit, më vjen koha tek spitali i Traumës që ishte një rreth ferri më vete, më shfaqet vetja kur e kam shikuar në pasqyrë pas ngjarjes dhe… pastaj kujtoj lot që derdheshin deri në mekje.

Acidi të transformon në një mënyrë që s’mund ta përshkruaj me fjalë. Ai nisi të më gërryejë lëkurën dhe shpirtin, ashtu siç bën mola kur shkatërron një copë druri. Prej atij momenti i premtova vetes vetëm tre gjëra: S’ka vend për lot, s’ka dëshpërim dhe s’ka mëshirë”,- kujton Vilma, e cila pas sulmit u detyrua të largohej nga Shqipëria për shkak të seriozitetit të djegieve dhe pamundësisë për t’u kuruar nga shëndetësia e Tiranës.

“Sulmi i tronditi të gjithë të afërmit. Frika se unë mund të mos zgjohesha më, ishte prezente për mjaft ditë tek ta. Askush nuk e kuptonte dot se si ky sulm mund të më ndodhte mua pasi nuk i kisha bërë kurrkujt keq dhe në ato momente nuk gjenim dot një ‘pse?’ apo ‘kush?’. S’mund ta fshij dot portretin e babait pranë shtratit të spitalit. Vështirë ta shihja në atë gjendje njeriun që më ka shoqëruar për krahu drejt shkollës prej trazirave në vitin 1997 dhe deri sa nisa rrugëtimin tim për t’u bërë zonja e vetes. Kjo ishte ëndrra e tim eti ndaj unë s’mund ta harroja edhe pse dergjesha në lëngata.

Dashuria e tij, familjes, miqve por edhe shumë kolegëve të thjeshtë që punonin me mua, ishin ilaçi më i mirë për të përballuar dhimbjen e atyre ditëve. Pasi e kalova rrezikun për jetën, nuk u përqendrova tek ajo që më ndodhi por tek çfarë kurash duhet të bëja dhe ku. Veprova dhe kërkova zgjidhje në disa klinika të specializuara në Evropë. Atëherë vetëm shërimi kishte rëndësi”,- rrëfen 31 vjeçarja e cila në ato ditë të vështira ju desh ta riprojektonte totalisht jetën e saj.

Kërkoi tek vetja formulën e saj të ringritjes dhe duket se e gjeti.

“Besoj se jeta e çdokujt mund të ndryshojë për një sekondë të vetme. Arsye e fortë kjo për të jetuar në të tashmen dhe mos ushqehemi me dilemat e së djeshmes. Këtë e mësova nga dëshira për të mos i dhënë më tepër kënaqësi të më shohin si viktimë ata që më sulmuan. Përkundrazi, ngjarja u shndërrua në një motiv që të rikisha një fytyre normale e cila pavarësisht shenjave do vazhdonte të buzëqeshte. Një fytyrë që të mos më kujtonte urrejtjen dhe zilinë e tyre, por të dëshmonte forcën dhe kurajën time. Dhe kjo është fytyra që unë kam sot. S’është perfekt, por unë e dua si një nënë fëmijën e saj në mënyrë të pakushtëzuar”,- tregon Vilma Dule.

Asaj kohe, e sapo diplomuar për juridik, ju desh të zhvendoset nga karrigia e zyrës tek stoli i spitalit, nga librat e punës mori librat për kurimin e shëndetit dhe nga ëndrra për një karrierë të suksesshme në drejtësi, nisi betejat për të gjetur drejtësinë e saj. Kjo e fundit vazhdon të dhembë ende nga pak, pasi hetuesia shqiptare ka ngelur në pikën 0. E si mund të ndjehet ndryshe një njeri kur për këtë krim kundër jetës dhe dinjitetit, nuk ka asnjë person të ndëshkuar?

“Mbase do t’ju duket e habitshme por unë e doja shumë vendin tim dhe s’kisha lindur për të ikur prej tij. (Ende kam nostalgji për rrugicat, lagjet apo njerëzit që i mbushnin me gumëzhima). Klima e krijuar më shtyu të bëhem azilante politike në Evropë pasi drejtësia shqiptare nuk shfaqi asnjë interes ndaj çështjes sime. Hetues që nuk hetuan, prokurorë që më mbyllën telefonin mbi fytyrë dhe policë që më përcollën duke më ngushëlluar: -Mbro veten dhe ik që këtej se ne s’të mbrojmë dot. Gjyshja ime dikur la Çamerinë për shkak të genocidit grek, ndërsa ironia e jetës bëri që historia të përseritet me mua, ku ndryshe nga ajo unë u dëbova prej indiferencës së organeve shqiptare. Besoj se pjesa më e madhe e shqiptarëve e kuptojnë se çfarë dua të them ”, -shpjegon ajo.

Nisur nga heshtja e organeve përkatëse, 31 vjeçarja është detyruar të marrë vetë rolin e “detektives” për të zbardhur ngjarjen që i transformoi të ardhmen. Duket se pas pesë vitesh, Dule i ka disa përgjigje mbi pikëpyetjet që ngrihen mbi autorin dhe motivet që e nxitën drejt këtij akti barbar.

“Të vërtetën e njohim unë dhe të afërmit e mi. Unë u sulmova për arsye profesionale nga meshkuj qe s’pranonin të ishin nën drejtimin e një femre dhe të bashkëpunonin me të. Mbase duket e pabesueshme por zilia, ambicia dhe dëshira për të qenë superiorë ndaj gruas, është një limit që shumë meshkuj e akumolojnë në ambientet e punës. Kujtoj se gjatë kurimit kam ndjekur mjaft hipoteza të çuditshme që hidheshin në shtyp ku njëherë më përshkuanin si të butë dhe njëherë si të reptë, diku më shfaqnin si miqësore dhe diku si armiqësore. Ka pasur abuzime nga media pa menduar se sa herë atyre i shtoheshin klikimet, aq herë edhe mua më shtoheshin plagët.

Unë e adhuroja punën që bëja dhe ruaj raporte të mrekullueshme me mjaft kolegë të cilët me mbështetjen e tyre u shndërruan në një patericë të vërtetë. Sa për autorët, besoj se koha do ta thotë një ditë fjalën e saj. Padyshim”, –dëshmon Vilma Duke teksa lutet që drama e saj të mos luhet në jetën e askujt tjetër.

Për të përmbushur këtë lutje, krahas kurimit e reja ka nisur një “luftë të ftohtë” me tregtimin dhe kontrollin e mangët të acidit.

“Shitja e lirë e acideve është një rrezik për të gjithë pasi ka shtuar numrin e sulmeve jo veç në Shqipëri, por edhe në Evropë. Një shishe acid mund të gjendet kudo, pasi kushton sa një akullore edhe mund ta blejë çdo idiot pa pasur nevojë të tregojë identitetin. Kam kaluar 5 vite të gjata për të rindërtuar një fytyrë të cilën e shkatërruan për vetëm 5 sekonda. Acidi duhet të konsiderohet nga legjistlacioni si ‘armë’, të ketë kufizim në shitje dhe blerësit të regjistrohen”, -apelon Dule e cila për të thelluar këtë objektiv ka hedhur bazat e një organizate që dita-ditës po përqafohet në disa vende të ndryshme të BE-së.

Me apo pa të, ajo nuk nguron në asnjë moment që të përcjellë mesazhin e saj për të gjithë ata që e kane humbur shpresën dhe sot nuk gjejnë asnjë arsye për të luftuar.

“Kur isha me bust allçie (maska) këndoja dhe që prej atëherë vazhdoj ende të këndoj me aq sa di sa herë më jepet mundësia. Qëndroni të fortë dhe mos e humbni besimin tek fuqia që keni. Edhe pse nganjëherë zbehet, ajo qëndron e strukur brenda nesh dhe duhet ta nxjerrim prej aty. Asgjë dhe askush s’mund ta mposhtë një person te mirë që beson dhe nuk dorëzohet kurrë”, –mbyll rrëfimin “heroina” e historisë së saj Vilma Dule.

Natyrisht që pas kaq shumë kohësh të dendura me pirgje sakrificash, ajo ka shumë për të na treguar, dëshmuar dhe mësuar.

Veterania e luftës “Të qëndrojmë në këmbë edhe kur fati devijon rrugën”, na garanton se do vazhdojë të reflektojë buzëqeshjen e veçantë dhe sytë shndritës. Ndaj sot, nesër dhe deri sa të ketë frymë, ajo do vazhdojë të tendosë buzët e saj. Tashmë, Vilma Dule buzëqesh!

*Shënim: Prej pesë vitesh Vilma Dule ka refuzuar çdo ftesë mediatike pasi s’ka dashur që mesazhi i saj të viktimizohej prej gjendjes së saj shëndetësore dhe shpirtërore. Pas një kurimi të gjata, ajo sot e ndjen veten më të fortë për të folur publikisht ndaj dhunës në shoqëri dhe për të dhënë kontributin e saj që histori të tilla mos përsëriten më. (TemA)

Tregu i pistë, mishi e bulmeti shiten në tokë

Qumësht, gjizë, vezë, fruta e perime që tregtohen në kushte higjienike të papërshtatshme, mes pluhurit dhe tymit të automjeteve rrezikojnë konsumatorin durrsak.

Përreth tregut të fruta-perimeve në Durrës ka ende ambulantë që i tregtojnë produktet ushqimore në tokë.

Ka dhe konsumatorë që mendojnë se tregtaret janë të detyruar të tregtojnë në rrugë për bukën e gojës, ndërsa pasiguria mbi ushqimet sipas tyre është kudo, dhe në dyqane e markete.

Informacionet e shpërndara nga AKU për bllokimin e sasive të mishit me prani salmonele, apo të produkteve të prodhuara e tregtuara jashtë standardit e afatit të skadencës, i bëjnë qytetarët edhe më dyshues mbi cilësinë e ushqimeve në treg dhe rolin e agjencive ligj-zbatuese, të cilat duhet ta kryejnë në mënyrë të vazhdueshme detyrën e tyre dhe jo mbi bazën e aksioneve sezonale.

Shqipëria nuk prodhon. 100 bizneset më të mëdha vetëm shërbime dhe ndërtim

Renditja e 100 kompanive më të mëdha dëshmon se ekonomia shqiptare ka një problem të madh strukturor. Ajo nuk prodhon, por dominohet nga bizneset tregtare, ato të ndërtimit si dhe kompanitë e shërbimeve.

Top Channel publikon listën e 100 bizneseve që realizuan xhiron më të lartë në vitin 2017. Sipas të dhënave të siguruara nga bilancet zyrtare, në total 100 kompanitë më të mëdha të vendit patën një qarkullim prej 6.6 miliardë eurosh, duke dhënë plot 53% të Prodhimit Kombëtar të Shqipërisë. Por, cilat janë ato?

Për vitin 2017, në podin e ekonomisë shqiptare qëndron një kompani publike. Ajo është OSHEE. Monopoli shtetëror i Shpërndarjes së Energjisë arkëtoi 55.6 miliardë lekë vitin e kaluar, duke qenë për të disatin vit rresht kompania më e madhe në vend. Pas saj, renditet Banka Kombëtare Tregtare me 46.4 miliardë lekë dhe Kastrati me 43.5 miliardë lekë.

Dhjetëshja e parë e bizneseve më të mëdha të Shqipërisë dominohet nga kompanitë e naftës. Veç Kastratit, në të bëjnë pjesë Bankers Petroleum, Europetrol dhe Gen Claudis. Pjesa tjetër e listës përbëhet nga dy kompani telekomunikacioni që janë Info Telekom dhe Vodafone, një kompani ndërtimi që punon si nënkontraktore e gazsjellësit Tap si dhe turkja Kurum, e cila ndonëse ka shpallur falimentin prej kohësh, vazhdon të bëjë biznes në rendin e 200 milionë eurove në vit.

Struktura e bizneseve që dominojnë ekonominë shqiptare është e ngjashme edhe tek 100 kompanitë më të mëdha. Nga to, gjysma janë biznese që merren me tregti, 26 janë kompani shërbimesh, ndërsa 15 të tjera biznese ndërtimi.

Në 100 kompanitë më të mëdha të vendit ka vetëm 10 kompani prodhuese, edhe këto të përqëndruar kryesisht në shfrytëzimin e pasurive natyrore të vendit ose në fushën e materialeve të ndërtimit.

Shqipërisë i mungojnë kompanitë prodhuese dhe kompanitë industriale, të cilat krijojnë marka kombëtare dhe vlerë të shtuar për ekonominë. Në vend të tyre, struktura e ekonomisë shqiptare dominohet nga kompanitë që ushqehen me tenderat e qeverisë, bizneset tregtare dhe kompanitë e shërbimeve.

Sulmi ndaj gazetares, Meta: Të vihen para ligjit përgjegjësit

Presidenti i Republikës, Ilir Meta dënoi sulmin me armë të kryer ndaj banesës së prindërve të gazetares së mirënjohur investigative, Klodiana Lala.

Në njoftimin për shtyp të Presidencës thuhet se, “edhe përmes një bisede telefonike ku shprehu solidaritet të plotë me gazetaren Lala, dy vajzat e saj të mitura dhe prindërit e saj, Presidenti Meta e inkurajoi të vijojë misionin e saj, pa u trembur dhe shantazhuar nga askush”.

“Po kështu inkurajoj organet e sundimit të ligjit të hetojnë në mënyrë të plotë dhe shteruese, këtë ngjarje të rëndë, e të venë para ligjit këdo që qëndron pas saj. Liria e medias është kusht i pazëvendësueshëm për garantimin e të drejtave të njeriut në një shoqëri demokratike”, nënvizon Presidenti Meta.

Ura e vdekjes në Bulqizë

Ura që u shërben banorëve të 5 fshatrave të Zerqanit, në Bashkinë Bulqizë, po shkon drejt shkatërrimit.

Ura e “Tre çezmave” është harkuar dhe plasaritjet vënë në rrezik jetën e banorëve që kalojnë mbi të. Ura dridhet sa herë mbi të lëvizin automjete të tonazhit të rëndë. Bazamenti i urës vazhdon të gërryhet, sidomos gjatë dimrit, kur lumi fryhet nga reshjet e shiut dhe dëbora.

Të rrezikuar janë fëmijët që bëjnë plazh në Zallin e Bulqizës, nën urën që prej vitesh në zonë e njohin si “ura e vdekjes”.

Askush nuk i do gazetarët!

Ky është shkrimi i parë që e nis nga një titull dhe ishte mendimi i parë që më erdh kur pashë titrat për Klodin (Klodiana Lalën), gazetaren investigative, që i shpuan muret e shtëpisë së prindërve, aty ku qëndrojnë edhe fëmijët e saj, pra të gjithë familjen!

Tronditëse, sidomos për racën e gazetarëve. Prej Klodit sot më erdhën disa mendime që më rrotullohen prej kohësh, por evitoj t’i shkruaj, se mendoj se halleve shqiptare nuk duhet t’ua zënë radhën ato profesionale (e kam fjalën për ujërat ku po notojmë të gjithë ne gazetarët sot).

Kam disa argumente, prej të cilëve mendoj se sot gazetarëve mund t’u bësh çfarë të duash, madje edhe t’i vrasësh. Edhe t’u çosh plumba kallashnikovi prindërve të tyre, fëmijëve, gjyshërve dhe komshinjve. Sot një vrasës vret edhe më lehtë dhe të gjithë duan dhe po i vrasin gazetarët në mënyra të ndryshme, madje edhe gazetarët mes vedi po e bëjnë.

Ja çfarë ndodhi sot:

Të dy kampet politike reaguan për ngjarjen e rëndë. Lul Basha priti Edi Ramën pastaj doli, po çështje oraresh, që s’kanë vend në këtë shkrim, as kohë. Siç parashikohet në këto raste, kryeministri do kërkonte autorët para drejtësisë, ndërsa kundërshtari i tij do ta përdorte për të sulmuar qeverinë, akuzuar atë për lidhjet me krimin dhe duke i veshur kësaj të fundit vetë autorësinë e sulmit mafioz me armë.

Kjo është një histori që para të gjithëve do ta zbulojë vetë Klodiana Lala, e cila sot është në dhimbje, merak e përgjegjësi për familjarët e saj, që s’ia kanë borxh as mamit, as gruas, as fëmijës t’u çojë plumbat nga të katër anët e mureve të shtëpisë prej punës që bën.

Por Klodiana gazetare do ta zbulojë shpejt të vërtetën dhe shpresoj që autoritetet të gjejnë e kapin autorin dhe ndëshkimi të jetë i ashpër. Por ka dhe shumë gropa të tjera që duhen mbushur, në mënyrë që gazetarët të jenë më të sigurt. Është e vjetër sa bota që ky profesion nuk është si ai që mund të bjerë më shumë në sy shqiptarëve -me dalë në darkë e me i bë pyetje një kryeministri a një ministri. Shkon shumë më tej, me vajza si Klodiana, me investigime në terren; sidomos kur prek fije interesash të mëdha që të vënë në rrezik edhe kokën. E dinë të gjithë gazetarët që kanë luajtur me zjarrin dhe kanë vënë zemrën në këtë punë. Nga Saviano në Itali, që jeton i kërcënuar çdo ditë -por të paktën (ende) s’e kanë vrarë- tek 53-vjeçarja, gazetarja e “Panama Papers”, Daphne Caruana Galizia, që u dogj në makinën e saj nga një bombë e vendosur; një gazetar meksikan i famshëm për investigimet e tij në trafikun e drogës u qëllua për vdekje në rrugë pranë ambienteve të redaksisë, vitin që shkoi, në maj 2017, apo rasti i famshëm i ruses Anna Politkovskaya, në 2006-ën… e shumë raste të tjerë. Kemi edhe në Shqipëri gazetarë të burgosur, të rrahur, të torturuar deri në atë pikë sa nuk erdhën kurrë më në normalitet, si gazetari i “Koha Jonë”, Zamir Dule, që tani jeton në fshatin Miras të Korçës, ku ka gjetur paqen me delet e tij.

Po pse sot është edhe më keq?

Një killer, trafikant, mafioz, çfarëdo emri pastë sot, nuk e ka për gjë të heqë qafe një gazetar/e! Sepse tanimë për gazetarët nuk ka më fortesë, për lajmësin nuk ka më respekt në përgjithësi. Vihet re ngado. Edhe një parazit në Facebook, që s’di shqip, të vret e kritikon, sepse është bërë modë të poshtërosh gazetarët dhe gazetarinë. Takon njerëz në rrugë e të thonë: “Llafe keni ju, më shumë rrena se të vërteta”, e pafund kështu. Disa për disa edhe qëndrojnë! Por ka një fenomen që e ka përhapur si pandemi urrejtjen për gazetarët. Po, po, ka urrejtje, bezdi dhe mungesë respekti.

Këtu kanë dhënë të gjithë kontribut, që nga Sali Berisha, që është treguar mizor me ta, e deri tek Edi Rama, që nuk vret e nuk burgos, ka qenë një prej nesh dikur, dhe sot më parë e shoh t’ia japë intervistën një ‘kazani’ sesa një gazetari. Besoj si njeri i publicistikës mund dhe di të bëjë e do duhej bënte pak më shumë. S’e bën! Me apo pa dashje ka kontribuar në mendësinë e shoqërisë shqiptare se gazetarin po të duash e trajton si lolo, e shan, i bën edhe moral e kritikë pa filtër, pa e mat gjuhën, sikur jemi palço cirku. Pale faqet anonime, që janë promotorë të kritikës së sëmurë dhe që më dhimbset vetja kur dëgjoj rreth tyre.

Po ato sikur po i braktisin pak njerëzit, sepse sot kulti i individit është bërë më i fortë dhe të gjithë kanë mendimin e tyre. Janë bërë kritikë, të japin mend e të marrim erzin sa herë të duan. Të gjithë, si vrasës falas online, po ndërtojnë kohën më të keqe (besoj kështu do kujtohemi) për gazetarët dhe gazetarinë. Sepse Lulzim Basha, sot që fliste për Klodianën, nuk ka përmendur asnjëherë investigimet e saj, por ka bërë simbol të gazetarisë Jetmirin, atë djalin anonim, që intervistoi Babalen, pra, sajoi një intervistë për PD-në dhe për këtë u investua e gjithë PD-ja. Kryeministri ka dalë nëpër Shqipëri e bën reporterin, si për të thënë se ne s’e bëjmë mirë këtë punë. Asnjë palë në Shqipëri nuk është e interesuar të ketë gazetari. Askush nuk i do gazetarët dhe të gjithë e kanë një plumb në dorë.

Nga Mira Kazhani