Aksident i rëndë në aksin Lezhë-Shkodër/
Makina përplaset me zetorin, dy të vdekur, një i plagosur

157

Dy të vdekur dhe një i plagosur është bilanci i një aksidenti të ndodhur mëngjesin e së hënës në superstradën Lezhë-Shkodër.


Një automjet tip ‘Fiat’, me të cilin udhëtonin dy persona goditi nga pas karrelin e një mjeti bujqësor zetor, ndërsa aksidenti tragjik ndodhi rreth orës 5:00 të mëngjesit në vendin e quajtur “Kryqëzimi i Kallmetit”.


Përplasja ishte e fortë, duke sjellë vdekjen e menjëhershme të drejtuesit të autoveturës. Prend Marku 56 vjeç dhe pasagjeri Martin Gjoka, 54 vjeç që të dy banues në Tale.
Nga aksidenti mori lëndime dhe drejtuesi i zetorit Ardian Tomaj banues në fshatin Gocaj. Ai u dërgua për ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal të Lezhës, nga ku mësohet se ndodhet nën kujdesin e bluzave të bardha jashtë rrezikut për jetën.


Policia rrugore, e cila mbërriti menjëherë në vendin e ngjarjes nisi hetimet për zbardhjen e shkaqeve dhe rrethanave të këtij aksidenti që paraprakisht dyshohet të ketë ndodhur nga shpejtësia dhe përgjumja e drejtuesit të fiatit.
Ky është aksidenti i katërt që ndodh në harkun kohor të 24-oreve në rrugët e Lezhës, me një bilanc 2 të vdekur dhe 5 të plagosur.