Arrestohen 2 biznesmenë dhe pezullohen nga detyra 4 zyrtarë të lartë. Zbardhen akuzat që rëndojnë dhe skema që përdornin

250

Katër punonjës të Drejtorisë Rajonale të Shërbimit të Transportit Rrugor, Fier janë pezulluar nga detyra dhe dy pronarë biznesesh janë arrestuar pasi pajisnin drejtuesit e automjeteve, me certifikata false të errësimit të xhamave.

Policia bën me dije se në kuadër të operacionit policor të koduar “Kolaudimi”, u ekzekutuan masat e sigurisë “Arrest në burg”, për” V. D., 29 vjeç dhe Xh. A., 32 vjeç, të dy banues në Fier, për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”.

Gjithashtu, në kuadër të këtij operacioni, u ekzekutuan masat e sigurisë “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, për punonjësit: R. S., 32 vjeç, I. N., 45 vjeç, M. M., 39 vjeç dhe D. Xh., 34 vjeç, të katërt banues në Fier.

Nga veprimet hetimore të kryera, ka rezultuar se shtetasit V. D. dhe Xh. A., përmes bizneseve përkatëse, pajisnin drejtuesit e automjeteve, me certifikata false të errësimit të xhamave, ndërsa 4 punonjësit e pezulluar të Drejtorisë Rajonale të Shërbimit të Trasportit Rrugor Fier, dyshohet se duke pasur dijeni për falsitetin e këtyre certifikatave, vlerësonin automjetet si të rregullta, gjatë kontrolleve që kryenin, në pikat e kolaudimit, në Fier dhe në Lushnjë.