Qeveria “bie dakort” me argumentat e ekspertit të ekonomisë z. Alban Zusi për token bujqësore të papunuar.

43

Përgjatë gjithë vitit 2022 ekonomitë botërore dhe ajo shqiptare janë përballur me krizë të lëndëve të para e për rrjedhojë rritje të çmimeve, përfshirë ketu edhe për produktet bazë të shportës familjare.

I ftuar për të diskutuar rreth impaktit të kësaj krize dhe mekanizmave që mund të përdoren për ta përballuar atë, eksperti i ekonomisë z. Alban Zusi, në një prononcim më 7 Prill të këtij viti, deklaroi se një nga politikat që duhet të perdoret eshtë nxitja për te rritur prodhimtarinë bujqësore, e për më tepër për të nxitur prodhimtarinë në tokat e papunuara, të cilat janë privatizuar por nuk vihen në përdorim.


Po i njëjti argument u risoll sërish në vëmendje nga z. Zusi në date 8 Gusht me anë të një postimi në faqen e tij në facebook, ku në thirrjen drejtuar qeverisë shqiptare, z. Zusi theksonte se mbështetja e akorduar në atë kohë nga MBZHR për kultivimin e tokave me grurë ishte për t’u vlerësuar, por në po të njejtin kuadër për të nxitur prodhimin, qeveria duhet të marrë masa të shtuara për t’u krijuar fermerëve kushtet për punimin e tokës bujqësore, por edhe të imponojë punimin e saj, në zbatim të legjislacionit ekzistues. As më shumë dhe as më pak, por zbatimin e legjislacionit shqiptar aktual për tokën bujqësore, zbatimi i të cilit do të zgjidhte një problem 30 vjeçar dhe do t’i jepte fund fenomenit të lënies së tokave djerrë, të cilat në fund të fundit janë një pasuri kombëtare e paçmuar në këtë situatë që gjendet ekonomia e vendit tonë.
Po të njejtin argument ka përdorur edhe kryeministri Rama me 22 tetor gjatë takimit me disa fermerë në Fier.

Ai pranoi se ka toka të papunuara dhe për këtë duhej një normë ligjore që do të sanksiononte për të nxitur punimin e saj ose dhënien me qera tek fermerë të interesuar. Kjo do të thotë që nëse toka nuk shihet si mjet jetese, atëherë ajo mund të shërbejë për palë të interesuara me qëllimin e vetëm nxitjen e prodhimit vendas dhe krijimin e tregjeve të reja.
Për të qënë konkurues në këto tregje të reja duhet që njësitë e prodhimit të jenë të larta, e kjo kërkon shtimin e sipërfaqeve të mbjella dhe kjo mund të ndodhë me përdorimin e tokave të papunuara, tw cilat në këtë gjëndje, përveçse nuk janë prodhimtare, me kalimin e kohës edhe degradojnë e rrjedhimisht ulet shkalla e tyre e prodhueshmërisë. Në argumentin e sjellë 2 muaj më parë nga z. Zusi, theksohej se fillimisht hapi i parë do të ishte që pronarëve aktualë të tokës bujqësore t’u krijoheshin kushtet dhe mbështetja e duhur për punimin e saj. Këtë e bëri me dije edhe kryeministri, por sigurisht përtej deklaratave dhe normave të reja ligjore e letrave te shkruara, diskutimet duhet të realizohen me palët e interesuara për gjetjen e zgjidhjeve optimale.


Sipas asaj që ka sjellë në vëmendje eksperti Alban Zusi, ndoshta duhet marrë një pikë zero referuar mbi atë çfarë ka ndodhur me tokën bujqësore pas zbatimit të ligjit 7501 dhe sot ashtu si edhe në 1991 kerkesat janë të njëjta, furnizim me mekanikën e nevojshme, kimikatet e duhuara, bazë materialo-teknike, drejtim shkencor, përdorimi i specialistëve dhe shumë e rëndësishme kreditimi i bujqësisë. Duke iu referuar situatës aktuale, padiskutim që toka bujqësore është pasuri individuale po aq sa është edhe pasuri kombëtare dhe në këtë pikëpamje shteti ka detyrimet e tij për të ndryshuar këtë realitet. Por çfarë sanksionon ligji 7501 i miratuar nga parlamenti shqiptar pluralist?
→ Neni 11: Personat juridikë a fizikë që kanë ose marrin tokë bujqësore në pronësi ose në përdorim, detyrohen ta shfrytezojnë atë vetëm për qëllime bujqësore, të ruajnë e të rritin aftësinë prodhuese të saj, si dhe të kryejne sistemimin e të ndërtojnë vepra për ta mbrojtur atë.


→ Neni 15: Çdo personi juridik a fizik që i jepet tokë në përdorim dhe nuk e shfrytëzon atë për qëllime bujqësore a blegtorale gjatë një viti, i hiqet e drejta e përdorimit të saj.
Këto norma ligjore nuk u zbatuan nga asnjë qeveri, e kjo solli më tej largimin e vëmendjes ndaj punimit të tokës nga disa pronarë që e poseduan atë. Këto dy nene u shfuqizuan me ligjin Nr.9244 datë 17.06.2004 “Për mbrojtjen e tokës bujqësore” por mbeti i pandryshuar në kontekst qëllimi për mbrotjen dhe përdorimin e saj të qëndrueshëm ku përcaktohet se:
→ Neni 16 ‘Zbatimi i një praktike të mirë bujqësore’ Pronarët e tokës bujqësore dhe posedues të tjerë të ligjshëm kanë për detyrë, që me veprimet praktike mbi tokën, nëpërmjet praktikës së mirë bujqësore, të sigurojnë:
a) qëndrueshmërinë e pjellorisë natyrore të tokës bujqësore;
d) punimin e tokës bujqësore, në përshtatje me relievin e saj dhe kushtet atmosferike;
→ Neni 28: Përbëjnë kundërvajtje administrative shkeljet e mëposhtme:
a) moszbatimi, nga pronarët e tokës bujqësore dhe posedues të tjerë të ligjshëm, të kërkesave të shkronjave “a” deri në “ë” dhe të shkronjës “g” të nenit 16 të këtij ligji;

→ Neni 29: Për kundërvajtjet administrative, të parashikuara në nenin 28 të këtij ligji, Inspektorati i Mbrojtjes së Tokës në këshillin e qarkut jep dënime me gjobë nga 50 mijë deri në 500 mijë lekë.
Pavarsisht këtyre nismave të reja, zbatimi i këtyre normave ligjore nuk u ndoqën asnjëherë nga qeveritë ndër vite. Sigurisht që para së të ndërmerren veprime administrative, thekson z. Zusi, është e nevojshme që qeveria duhet së pari të vijojë thellimin e masave mbështetëse e incentivuese për fermerët dhe ti harmonizojë ato me masa imponuese, duke marrë në konsideratë praktikat ndërkombëtare në lidhje me tokën bujqësore.


Përgjatë historisë, rimëkëmbjet nga krizat ekonomike janë nxitur gjithmonë nga rritja e prodhimit, e në ketë aspekt, nxitja për te rritur prodhimtarinë bujqësore ndikon drejtperdrejtë ne përballimin e krizës. Në një mënyrë apo tjetër, qeveria duket se e ka marrë në konsideratë këtë mendim, i cili ështe nje hap në drejtimin e duhur ku ekspertët publik të ekonomisë apo zëri i binesit privat të merret më shume parasysh ne vendimmarjet për politikat zhvilluese të ketij vendi.