Çfarë po ndodh? Arrestohen 23 persona në Tiranë dhe dhjetëra të tjerë nën hetim. Policia zbardh të dhënat zyrtare

433

Policia e Tiranës me anë të një njoftimi zyrtar ka bërë me dije se janë arrestuar 23 persona për shkak se protestuan mbrëmjen e kaluar për rritjen e çmimeve.

Sipas policisë bëhet me dije se janë arrestuar 23 qytetarë dhe janë proceduar penalisht 23 të tjerë.

Penguan qarkullimin e mjeteve të transportit, prishën rendin dhe qetësinë publike dhe kundërshtuan punonjësit e Policisë gjatë protestës së ditës së djeshme, arrestohen në flagrancë 23 shtetas, procedohen penalisht 23 të tjerë dhe po punohet për kapjen e një shtetasi tjetër.

Strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë dhe të Komisariateve në varësi të saj, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, në përfundim të veprimeve të para hetimore të kryera në lidhje me protestën e zhvilluar në datën 10 mars 2022, bazuar në provat e grumbulluara, arrestuan për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Prishja e qetësisë publike”, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, kryer në bashkëpunim, shtetasit:

– N. L., 27 vjeç, Sh. B., 37 vjeç, A. K., 42 vjeç, R. M., 40 vjeç, S. Sh., 22 vjeç, H. Ç, 25 vjeç, I. B., 28 vjeç, E. M., 21 vjeç, I. B., 57 vjeç, F. I., 43 vjeç, D. T., 28 vjeç, I. P., 45 vjeç, J. K., 25 vjeç, B. D., 21 vjeç, A. M., 21 vjeç, A. M., 20 vjeç, N. L., 24 vjeç, E. T., 21 vjeç, A. A., 23 vjeç, R. M., 21 vjeç, G. T., 21 vjeç, J. Sh., 21 vjeç dhe Gj. B., 27 vjeçe.

Në vijim të veprimeve u proceduan penalisht 23 shtetas të tjerë dhe po punohet për kapjen e shtetasit A. K., 23 vjeç.

Strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë, vijojnë punën për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në akte të kundërligjshme gjatë protesës së datës 10 mars 2022.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë apelon për të gjithë qytetarët që të mos përfshihen në akte dhune dhe të mos bllokojnë lëvizjen e lirë të mjeteve dhe qytetarëve sepse do të përballen me forcën e ligjit.