PARANOJAT E CARIT TE RUSISË E LIDERUCAT PERENDIMOR

308

Njiri vullnetmirë përballë tragjedisë të luftës kontributin e vet mund ta jape tue Iutë Zotin për me çarmatosë e kthy kah arsyeja zemrat e luftënxitësve real e virtual dhe sidomos të atyne qe e kanë shpallë kët luftë, in primis, presidentin e Federatës Ruse, Vladimir Putin.

Mbas lodhjes me virologët, gjithologët e frustruem me të drejte apo pa të drejtë, nuk kena nevojë ma për gjeopolitolog të improvizuem ambulant, të cilët çdo gja e shohin me frëngjinë e tyne miope provinciale. Mandej, moralizmat e trashigimtarëve të ushtarëve apo rrezervistave të ish paktit të Varshavës, që janë rreshtue me hipokrizi, tifozllek dhe njetin e vjetër, tashma me Aleancën Atlantike, për me ushqye me “barutin e lagun” llafologjinë e tyne mjerane, duhet të jetë shtysë per njerzit mendues e rreflektues me kontribue pa prajt aty ku ata janë, për me përhapë me dëshminë e tyne kulturën e paqes të vërtet.

Lufta e tretë botnore, tue perifrazue nji thanie të Papa Françeskut, ka pas fillue të bahet pjesë pjesë qysh mbas luftës së dytë botnore dhe konfigurimet negociale që u përftuen prej fituesve të asaj lufte. Në gjykimin tem, kam mendue se termi “luftë e ftoftë”, i perdorun për lexue ekuilibrin e terrorit mes superfuqive dhe që ka sigurue paqe relative në territorin e Evropës të bllokut perëndimor, asht kenë nji eufemizëm tinzar për me msheh luftën e Amerikës dhe aleatëve të saj me Bashkimin Sovjetik në vende të tjera të botës. Indinjata e ligjshme ndaj agresionit rus kunër nji shteti sovran si Ukraina dhe autorit të saj Putin, ka nevojë të shoqnohet me nji reflektim shtesë të sinqertë për poshtërsitë e liderëve globalistë antinjiri kundër paqes në botë. Urrejtja diabolike ndaj Presidentit Trump dhe bindjes të tij për me i dhanë Amerikës nji identitet të ri në skakierën e raporteve ndërkombëtare, ka kenë rast i volitshëm me kuptue sa dame ka ba USA me doktrinën e saj imponuese në dekadat e fundit, sidomos në galaksinë e vendeve islamike. Në kët kuptim, pranimi i ksaj të vërtete, nuk na ban antiamerikan, nëse gjykojmë të padrejta lëvizjet dhe qëndrimet amerikane dhe të bllokut satelit perëndimor në katalizimin e paranojave të vjetra të carit rus.

Papa Gjon Pali II, I cili e njihte mirë natyrën e komunizmit, bash me ramjen e murit të Berlinit, arkitekt I të cilit ishte ai vetë, na porositi mos me I xanë besë rendit medemek liberal perëndimor, mbasi edhe ai, si komunizmi sovjetik, asht I mbujtun me farën toksike të antiKrishtit. Në fakt, niveli qesharak I liderëve perëndimor, asht emergjenca e vërtet e perëndimit dhe implodimit të tij në vlerat e veta sublime, të plazmueme prej logos-it të kshtene. Liderucat e Evropës, të cilët kanë pasë përgjegjësi të mëdha politike, janë të kompromentuem randë me rregjimin autoritar të Putinit dhe pjesë e rrethit të tij llogarkik. Kjo luftë asht shkaktue prej elitës perverse globaliste, ashtu si pandemia për me u hapë rrugë planeve të tyne djallzore për reduktimin e popullsisë botnore simbas paradigmave masone maltusiane. Ky fakt asht para syve tone dhe agjenda e medemek tranzicionit ekologjike, kallzon kjartë se duhet pa njiri si agjent ndotës i mjedisit dhe për kët arsye reduktue me çdo mjet e formë. Putin, me temperamentin e paranojakut dhe i vramë në delirin e tij për me rehabilitue plotësisht lavdinë historike të Rusisë, ka ra në grackën e tyne, tue shpërfillë edhe sugjerimet e krenare të naltë të aparatit të sigurisë shtetnore ruse.

Historia e popujve sllave e rusë asht ma komplekse se thjeshtimet mjeranë të tifozëve tonë, të sintonizuem te mediat e propogandës shpërlase të atij pak tru që kanë dhe me përvujtni të pranojmë nevojën me çarmatosë zemrat tona, jo rrallë herë inatçore dhe të mbushuna me helm ndaj të afërmit përbri nesh. Paqja e vërtet, sikur thotë doktrina e shejtë katolike, nuk asht thjesht mungesa e luftës, por zemra e mbushun me princin suprem të paqes, Krishtin Zot. Prandej, kët moment delikat, ta shfrytëzojmë me lyp paqen e Krishtit në konfliktin invadues të Ukrainës dhe në zemrat tona.

Nga Nest Zefi