A kanë nisur hetimet për Berishën? SPAK jep përgjigjen e fundit surprizë për ish-kryeministrin

458

Do të mjaftonte kjo deklaratë e zyrtarit amerikan, Gabriel Escobar në Tiranë që sipas Kodit të Procedurës Penale, të nenit 280, të nisnin hetime, qoftë edhe kryesisht për ish-kryeministrin Sali Berisha, i shpallur non grata nga DASH për korrupsionin, në maj të këtij viti. 

E ngritur për të hetuar zyrtarët dhe ish-zyrtarët më të lartë shtetërorë për korrupsion e jo vetëm, SPAK nuk kuptohet nëse është vënë ose jo në lëvizje për ish-kryeministrin Berisha, pavarësisht se autoritetet amerikane janë shprehur të gatshme për të vënë në dispozicion të autoriteteve shqiptare, çdo provë të mundshme për të vërtetuar korrupsionin e ish-kreut të qeverisë, gjatë udhëheqjes së tij. 

Menjëherë pas deklaratave të zëvëndësndihmës sekretarit amerikan të shtetit, MCN ju drejtua me një kërkesë zyrtare Prokurorisë së Posaçme, për të mësuar nëse ka hetime.

I dërguari i Posaçëm i SHBA-ve për Ballkanin Perendimor, Gabriel Escobar, njëkohësisht zëvëndës ndihmës sekretari amerikan i shtetit, kërkoi nga autoritetet shqiptare që të hetojnë mbi ish-kryeministrin Sali Berisha për shpalljen “non grata” nga Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) për korrupsion. Keni nisur hetime kryesisht, referuar edhe deklaratës së zyrtarit amerikan? Janë duke u kryer veprime nga ana e institucionit të SPAK, mbi ish-kryeministrin Sali Berisha pas shpalljes “non grata” për korrupsion? A ka hetime kryesisht edhe për zyrtarë dhe ish-zyrtarë të tjerë shqiptarë, të shpallur “non grata” për korrupsion nga DASH?

E vetmja përgjigje e SPAK, është se “për persont në fjalë, nuk ka asnjë informacion”.