Çfarë e fundosi ish-ministrin Lefter Koka? Ja çfarë shkruan Zëri i Amerikës

248

Ish ministri i mjedisit, Lefter Koka, u arrestua sot nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) për shpërdorim detyre dhe korrupsion me ndërtimin e inceneratorit të mbetjeve urbane të Elbasanit.

SPAK njoftoi se, pas kallëzimeve penale nga PD dhe LSI një vit më parë, nisi hetimet mbi procedurën për kontratën e koncensionit për ndërtimin dhe administrimin e inceneratorit të Elbasanit.

Hetimet “provuan se procedurat për kontratën me kompaninë Albtek Energy nuk ishin të plota, dhe se në kundërshtim me ligjin për koncensionet, u ndoq metoda e negocimit pa shpallje paraprake të njoftimit. Nga këto veprime, – thekson SPAK – janë dëmtuar interesat e shtetit dhe kompania private ka marrë përfitime të padrejta”.

Më pas, thuhet në njoftimin e SPAK-ut, dy kompanitë, Albtek Energy dhe Integrated Technology Services kanë lëvruar fatura dheveprime financiare për punime që nuk janë kryer në të vërtetë në vlera 2 milionë 950 mijë euro dhe 735 mijë euro, të cilat dyshohet se i janë dhënë rryshfet ministrit Koka pas favorizimit të paligjshëm me procedurat e koncensionit dhe të kontratës.

Administratorët e dy kompanive ngritën një skemë fiktive të pagesave për të fshehur origjinën e paligjshme të parave gjatë transefertave të tyre.

Ish ministri Koka, thuhet në njoftimin e SPAK, ka kërkuar dhe ka marrë nga dy shoqëritë përfitime monetare të tërthorta, duke krijuar me disa shoqëri skema fiktive për punime të pakryera, për të mbuluar korrupsionin e tij.

Lefter Koka hyri në politikë vite më parë si kryetar i bashkisë së Durrësit nën logon e Partisë Socialiste, më pas ai u bë deputet i LSI-së, kur kjo forcë u nda nga Partia Socialiste. Ai ishte Minister i kësaj partie në qeverinë Rama në vitet 2013 deri 2017.

Më pas u zgjodh sërish deputet nën siglën e LSI-së, ndërsa në zgjedhjet e fundit të përgjthshme të 25 prillit ai fitoi një mandat deputeti në Durrës si kandidaturë e Partisë Socialiste. Menjëherë pas fitores ai dha papritur dorëheqjen pa ndonjë shpjegim publik.

SPAK ka lëshuar dhe dy urdhëra arresti të tjera, për Klodian Zoton dhe Stela Gugallën, bashkëpronar të kompanive që zotërojnë koncensionin në Elbasan. Të dy janë shpallur në kërkim.

Gugalla rezulton të jetë bashkëshortja e Mirel Mërtirit, një sipërmarrës i cili, sipas raportimeve në media, dyshohet se qëndron prapa dhe dy inceneratorëve të tjerë në Fier dhe Tiranë. Dhe mbi këto dy projekte, ka patur pikëpyetje të shumta.

Opozita ka akuzuar ish ministrin e Energjitikës Damian Gjiknuri, si dhe zëvendës kryeministrin aktual Arben Ahmetaj për lidhje me Mërtirin. Në kohën e koncensionit të Elbasanit, zoti Ahmetaj ishte ministër i Financave.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, deklaroi sot për mediat, se koha dhe hetimet po i japin të drejtë opozitës në akuzat e saj për këtë aferë, që sipas tij, dirigjohet nga kryeministri Edi Rama, i cili mundësoi, sipas saj, marrjen e një duzine vendimesh zyrtare brenda një dite për t’i hapur rrugën ndërtimit të inceneratorit.

Socialistët vazhdimisht i kanë hedhur poshtë akuzat për abuzime me inceneratorët.

Kryeministri Rama dhe ministrat e tij i mbrojtën projektet dhe vizituan shpesh kantieret e ndërtimit të tyre, duke ngritur lart ndikimin, që ato kanë sjellë në trajtimin e mbetjeve urbane në Shqipëri.

Megjithatë dyshimet për shkelje procedurash mbetën të hapura.

Krahas hetimeve nga SPAK, Kuvendi ka ngritur me kërkesë të opozitës një komision hetimor, i cili po shqyrton procedurat e ndjekura nga organeve ekzekutive për ndërtimin dhe administrimin e impianteve të trajtimit të mbetjeve urbane në Tiranë, Elbasan dhe Fier, vlera e të cilave shkon në mbi 400 milion euro së bashku.

Sipas opozitës, tre kontrata për inceneratorët në vitet 2014 dhe 2017 iu dhanë operatorëve të krijuar rishtas vetëm pak ditë e javë para se të nënshkruheshin dokumentat.

Ajo ngriti dyshimet se prapa shkeljes së procedurave me hartimin dhe nënshkrimin e këtyre tre kontratave, fshihen përfitime të paligjshme në shuma të konsiderueshme./VOA