Marash Kumbulla sërish në merkato, dy klube e duan atë

39

Pavarësisht zbutjes disi të situatës, fakt është se Marash Kumbulla nuk po gjen hapësirë te Roma nën drejtimin e Jose Mourinho. Mbrojtësi shqiptar deri më tani ka qenë i përulur, duke punuar fort, por minutat në këmbë për të këtë sezon kanë qenë të pakta. 

Trajneri portugez ndëshkoi me mënyrën e tij thuajse gjithë mbrojtjen që humbi në Europa League ndaj Bodo Glimt, përfshi edhe Kumbullën. Por më pas e riktheu në stol. Gjithsesi, minutat mungojnë për mbrojtësin e Kombëtares shqiptare.

Drejtuesit e Romës i kanë lënë dorë të lirë trajnerit, por nga ana tjetër mund të humbasin Kumbullën nëse situata nuk ndryshon. Klubi verdhekuq investoi mbi 25 milionë euro për mbrojtësin shqiptar, por vlera e kartonit të tij tashmë ka rënë si pasojë e mungesës së aktivizimit.

Në këtë aspekt, klube të ndryshme kanë hedhur sytë nga Kumbulla. Më e interesuar është Udinese. Nevoja për një qendërmbrojtës fizikisht të fortë, ka shtyrë klubin friulan të hedhë sytë nga Marash Kumbulla dhe nuk është çudi që të ketë një transferim që në janar.

Sipas mediave spanjolle, Sevilla është gjithashtu e interesuar për shërbimet e qendërmbrojtësit. Në fakt klubi andaluz e ka kërkuar edhe më herët Kumbullën, kur ishte pjesa e Verona, ndërsa tani është mundësia e radhës për të afruar shtatlartin.