Ja deputetët që kanë refuzuar “Foltoren” e Berishës, 32 emra nuk morën pjesë në takime, pas ish-kryeministrit vetëm “garda e vjetër”

617

Ish-kryeministri Sali Berisha duket se është braktisur nga shumica e deputetëve të grupit parlamentar të Partisë Demokratike. Në 9 shtator kryetari i PD, Lulzim Basha vendosi të përjashtojë Sali Berishën nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike deri sa të zbardhet në rrugë ligjore vendimi për padinë e ngritur nga ish-kryeministri ndaj Sekretarit të Departamentit Amerikan të Shtetit, Antony Blinken.

Ky vendim e kapi në befasi ish-kryeministrin Berisha, i cili në shenjë revolte paralajmëroi nisjen e një turi takimesh me demokratët në gjithë vendin, me qëllim bindjen e tyre dhe mbledhjen e 1500 firmave për të krijuar një referendum që të rrëzojë vendimin e kryedemokratit Lulzim Basha për përjashtimin e tij nga grupi parlamentar.

Pas ish-kryeministrit vetëm “garda e vjetër”

Sot që flasim ish-kryeministri Berisha ka zhvilluar takim me demokratët në 8 qarqe, nga 12 që ka Shqipëria, ndërsa bie në sy fakti se pas ish-liderit demokrat i ka shkuar vetëm “garda e vjetër”. Gazeta i ka bërë një analizë situatës dhe rezulton se deri më tani në aksionin e tij politik për të rrëzuar Lulzim Bashën, Sali Berisha ka mbledhur rreth vetes 7 deputetë të Partisë Demokratike, si dhe një grup me ish-drejtorë të akuzuar për abuzime, nostalgjikë të pushtetit të tij, të zhgënjyer dhe personazhe të tjerë që janë mënjanuar nga strukturat drejtuese.

Kështu, në takimin hapës në Qarkun e Tiranës që është pagëzuar me emrin “Foltorja”, në krah të Berishës u pa vetëm deputeti Flamur Noka, ndërkohë që 9 deputetë të tjerë të kryeqytetit refuzuan t’i bashkoheshin aksionit të ish-shefit të selisë blu. Më pas Berisha udhëtoi drejt Vlorës, ku edhe në këtë takim ai u braktis nga deputetë demokratë, ndërkohë që krah tij u shfaq vetëm ligjvënësi Bujar Leskaj, e njëjta gjë ndodhi edhe në takimin e zhvilluar pak ditë më parë të Berishës me demokratët e Fierit, ku krah tij u shfaq vetëm deputeti Luan Baçi. Po ashtu, rezulton se Berisha ka bërë edhe takim në Elbasan, ku shoqërohej vetëm nga deputeti Luçiano Boçi, nga 7 deputetë që ka gjithsej PD-ja në këtë qark. Ndërkaq, ish-kryeministri Berisha ka zhvilluar takim edhe me demokratët e Gjirokastrës, teksa shoqërohej nga deputeti Tritan Shehu. Ndërsa në takimin e Durrësit, ai u shoqërua nga deputeti i zonës, Edi Paloka, ndërkohë që 3 ligjvënësit e tjerë demokratë e refuzuan atë. Por nuk ndalet me kaq, pasi Qarku i Shkodrës i ka dhënë goditjen më të fortë Berishës, ku 5 deputetët e Partisë Demokratike refuzuan t’i bashkoheshin “Foltores” që mbajti pak ditë më parë. Ai u refuzua edhe nga Jozefina Topalli dhe nga Voltana Ademi.

Ndërkohë dy ditë më parë Berisha u ndal në një takim në Kukës, ndërsa u shoqërua nga deputeti Isuf Çelaj. Pra, sipas përllogaritjeve, në 8 takime që ka zhvilluar deri më tani Berisha, i kanë shkuar pas vetëm 7 deputetë, të cilët njihen ndryshe si “garda e vjetër”.

Shumica e grupit parlamentar në krah të Bashës

Por sipas analizës së bërë nga gazeta “SOT”, rezulton se kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka pas vetes shumicën e grupit parlamentar të PD që përbëhet nga 44 deputetë. Më konkretisht në 8 qarqe që ish-kryeministri Sali Berisha ka zhvilluar deri më tani takime me demokratët, ai është shoqëruar nga 7 deputetë, ndërkohë që 32 të tjerë janë rreshtuar pro Bashës. Mes emrave që kanë braktisur Berishën janë: Jorida Tabaku dhe Grida Duma në Tiranë, Helidon Bushati Greta Bardeli dhe Emilja Koliqi në Shkodër, Ina Zhupa dhe Arbi Agalliu në Vlorë, Ferdinant Xhaferaj dhe Andia Ulliri në Durrës, Gazment Bardhi dhe Flutura Açka në Elbasan, apo edhe Enkelejd Alibeaj dhe Saimir Korreshi në Fier, Flamur Hoxha në Kukës.