Çfarë i shtyn të rinjtë lezhjanë të mos përpiqen ta ndërtojnë jetën në Lezhë?

316

Nga Julida Kola

Papunësia, pagat e ulta, problemet me arsimin, mungesa e hapësirave sportive, kulturore e sociale dhe emigrimi i të rinjve ishin këto disa nga pikat e përbashkëta që theskuam si problematika e shqetësime që prekin të rinjtë e qarkut Lezhë në një trajnim të organizuar nga Westminster Foundation for Democracy (WFD).

E vecanta e këtij trajnimi ishte se nuk kishte asnjë ndasi politike dhe asnjë hezitim për panoramën e shqetësimeve të prezantuara e të listuara. Secili prej nesh pavarësisht ngjyrimeve politike kishte identifikuar të njëjtat shqetësime që duheshin të kishin vemendje dhe të merrnin rrugën e zgjidhjes.


Dukej si e utopi, por organizuar nga WFD e bënte të mundshme atë që nuk ndodhte prej vitesh në Lezhë, ulja në një tavolinë bashkë e të rinjve nga forumet e ndryshme politike dhe diskutimi e bashkëpunimi me njëri-tjetrin. Ndërsa bashkëpunonim me të rinjtë e tjerë të pranishëm në këtë aktivitet, duke harruar përkatësinë politike, nisëm një debat ku në fokus ishte qyteti jonë, të rinjtë lezhjanë, pjesëmmarrja jonë në vendimmarrje të ndryshme brenda dhe jashtë politikës, e mbi të gjitha për të ndikuar që zëri i të rinjve të dëgjohet dhe merret në konsideratë.

Kjo është mënyra sesi duhet të jetë lidershipi që udhëheq dhe mënyra sesi mund të bëhen bashkë të gjithë aktorët edhe pse të ndarë politikisht. Së bashku diskutuam problematikat e të rinjve, shqetësimet e sotme dhe perspektiva e të ardhmes dhe mënyrat e zgjidhjes së tyre.


Vitet e fundit, gjithnjë e më shumë të rinj janë me vështrimin drejt emigrimit, për një jetë më të mirë dhe punë më dinjitoze e të mire paguar. Në qytetin ku unë jetoj, Lezhë, kafenetë janë të mbushura me të rinj që presin bileta vetëm vajtje e ky është një fenomen i trishtë.
Por cfarë i shtyn këta të rinj për të mos u përpjekur që ta ndërtojnë jetën në vendin e tyre?


Në takimin ku ishim të pranishëm 16 të rinj nga forumet rinore te FRPD, FRESSH dhe LRI diskutuam vazhdimisht se përse ikin të rinjtë lezhjanë. Përse nuk po i marrin në duar frerët e jetës së tyre. Lezha është një qytet i vogël, por rinia është e madhe. Pothuajse të gjithë pranuam mungesën e mos realizimit të takimeve dhe aktiviteteve për t’i orientuar këta të rinj se si mund ta organizojnë jetën e tyre.

Institucionet bëjnë pak ose aspak për të mbështetur të rinjtë në Lezhë pasi nuk marrin vendime që stimulojnë dhe nxisin dëshirën e bashkëmoshatarëve të mi për të qënë lideret e jetës së tyre. Pagat e ulëta nuk janë të mjaftushme për të përballuar jetën e tyre dhe i demotivon ata për të nisur një punë.


Ndryshe nga vendet perëndimore ku qendrat multifunksionale për të rinjtë janë kudo, në Lezhë ndjehet mungesa dhe nevoja e tyre. Ato mund të shërbenin për të formuar klube të ndryshme si klube sportive, leximi, start-ups, shkencës, muzikës apo shumë klube të tjera. Këto klube do i jepnin rinisë një frymë tjetër dhe një vend ku nuk lejon që të vritet koha por të shpenzohet në mënyrën më të mirë e githashtu për të zhvilluar dijet dhe për të treguar talentet.

Për sa kohë që këto qendra, të cilat do ishin në dobi të të rinjve mungojnë, kemi kafetë çdo 200 metra. Por si mund që të rinjtë të jenë lider të jetës së tyre së pari e më vonë lider të komunitetit apo të diçkaje tjetër?


Gjithnjë për rininë do jetë e vështirë kjo gjë, por jo e pamundur. Kjo bëhet edhe më e mundshme kur ofrohen trajnime si trajnimi që na mundësoi WDF, një hap i madh për të qënë me të përgatitur dhe mundësi për ta përcjellë këtë informacion tek forumet ku ne jemi pjesë.


Të rinjtë gjithmonë duhet të kenë mbështetje nga qeveria, cilado qoftë partia në pushtet. U pa shumë qartë në këtë takim që ne të rinjtë e forumeve rinore politike të Lezhës kishim qëllime të njëjta pavarësisht ndasive dhe preferencave politike dhe që prioritetet e identifikuara prej nesh duhet të marrin rrugën e zgjidhjes.


Rruga e zgjidhjes nis nga adresimin në kohë e vend të përshtatshëm dhe këtu duhet të jemi të gjithë bashkë që të kemi një zë më të fortë. Qendra multifunksionale është kërkesa e parë që do t’i prezantohet autoriteteve vendore, por nuk do të jetë e fundit. Ajo që duhet të bëjmë është vendosja e interesit publik mbi atë partik dhe mbi të gjitha mbi interesin politik.

Autori: Julida Kola