Sekuestrohen dy mina me telekomandë, kokainë dhe armë, përfundojnë në pranga 6 persona

212

Policia e Durrësit ka zhvilluar dje disa operacione me qëllim goditjen e paligjshmërisë. Në kuadër të operacionit “Rebeli”, u sekuestruan 1 armë zjarri tip pistoletë, lëndë narkotike e dyshuar cannabis sativa, fara canabisi dhe një peshore elektronike që shërbente për ndarjen e lëndës narkotike në doza. “Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve në DVP Durrës, pas një informacioni të marrë në rrugë operative se 1 shtetas me pseudonimin “Rebeli” lëvizte me armë në zonën e lagjes nr. 13, Durrës dhe shpërndante lëndë narkotike në doza, menjëherë kanë organizuar dhe kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Rebeli”.

Në kuadër të operacionit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit E. M., 30 vjeç, banues në lagjen nr. 13 Durrës, i dënuar më parë për prodhim dhe shitje të narkotikëve. Gjatë kontrollit fizik dhe më pas në banesë, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale: -një armë zjarri tip pistoletë, 1.2 kilogramë lëndë narkotike e dyshuar cannabis sativa, një pjesë e së cilës ishte e ndarë në doza gati për shitje, një sasi farash si ato të cannabis sativa, një peshore elektronike dhe dy aparate celularë”, njoftoi policia. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Ndërkohë në një tjetër operacion, Policia e Durrësit ka vënë në pranga një person, i cili është kapur me dy mina me telekomandë. Ato ishin bërë gati për t’u shitur dhe dyshohet se do të përdoreshin në atentate. Sipas informacioneve do shiteshin për 6 mijë euro, ndërsa në pranga ra 34-vjeçari P. Deda.

Arrestimet në Krujë

Po dje Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Krujë arrestuan në flagrancë shtetasit: E. L., 37 vjeç, banues në Fushë Krujë, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj prindërve të tij; P. H., 60 vjeç, banues në Krujë, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj ish-bashkëshortes së tij, e cila ishte e pajisur me urdhër mbrojtjeje nga Gjykata.

Ndërsa specialistët e Qarkullimit Rrugor në DVP Durrës arrestuan në flagrancë shtetasit: K. D., 20 vjeç, banues në Krujë, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, pasi ditën e djeshme, në fshatin Krastë, Krujë, duke drejtuar mjetin tip “Benz” ka humbur kontrollin dhe ka dalë nga rruga. Si pasojë janë lënduar drejtuesi i mjetit dhe dy pasagjerë, shtetasit: E. A. dhe Xh. D., të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën; O. V., 19 vjeç, banues në Fushë-Krujë, për veprën penale “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt”, pasi në rrugën Krujë-Fushë Krujë, duke drejtuar mjetin tip “Audi”, në gjendje të dehur, është përplasur me mjetin tip “Benz”, duke shkaktuar dëme materiale. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës dhe Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprime të mëtejshme.