Foto në facebook, apo nevojë për sherbime

204

Rrjetet sociale në Lezhë gëlojnë nga fotot qe tregojnë ndërhyrjet e ndryshme që kryhen nga bashkia. Nuk mungon asnjë moment i një pune të caktuar. Ato shfaqen për qytetarët dhe ndjekësit e rrjeteve sociale për të demostruar angazhimin e strukturave vendore. Kemi parë të priten ferra, të hiqen mbeturina nga qendrat urbane, të pastrohen kanale e të realizohen investime të rëndësishme. Në fakt duhet gjcithmonë të ridkthehesh në vendngjarje.

Kështu bëmë edhe ne, ndërsa bënim rrugën nga superstrada në Kakarriq për të vijuar në Gjadër e më pas sërish në superstradë. Ndonëse është një rrugë me intensitet jo të lartë të lëvizjes së mjeteve, rreziku për aksidente është mëse i mundshëm në këtë segment. Përgjatë saj janë hapur gropa që drejtuesit e mjeteve synojnë ti evitojnë, pasi në rast të kundërt është e sigurt dëmtimi i automjetit.

Nuk janë të shumta, por janë të mjaftueshme për të ndikuar tek lëvizja e automjeteve, pasi nëse bie në këto gropa do të mbetesh aty për pak kohë, sepse do të kesh me doemos dëmtime. Për të mbushur këto gropa, e për të shmangur aksidente të mundshme, ndërsa drejtuesit e mjeteve synojnë ti shmangin ato, Bashkia e Lezhës mund të kërkojë dhe të ndërhyjë tek firma mirëmbajtëse për ti mbushur, e në rastin më të mirë le ti mbushë vetë e të tregojë së është në sherbim të qytetarëve të saj.

Do të ishte e udhës që të hiqeshin edhe mbeturinat që ndodhen në rrugë. Në dy vende ato janë djegur sepse askush si ka larguar prej aty. Pavarsisht se vendet ku ndodhen këto mbeturina nuk janë të miratuara, bashkia e ka pergjegjësi të saj të gjejë dhe ndëshkojë ndotësit. Kjo do të thotë se strukturat duhet të dalin në terren dhe jo të mbyllen në zyrë. Titullarët vendorë e mbajnë gjdithnjë kokën ulur kur lëvizin nga zyrat e tyre, e kjo mund të jetë shkak se persë nuk konstatohen të tilla probleme.

Prerja e ferrave dhe vegjatacioneve në pergjithsi do të ishte një tjetër ndërhyrje që duhet të kryehet përgjatë këtij segmenti rrugor prej rreth 5 kilometrash. Fotot me ndërhyrjet për pastrimin e rrugëve duhet të zëvendesohen me veprime të vazhdueshme. Nuk mjaftojnë dukjet por kujdesi i vazhdueshëm, e për këtë kemi nevojë. Bashkia e Lezhës ndoshta duhet të shkundë administratën e saj, sepse knë mbetur në facebook dhe kanë harruar të dalin në terren.