Situata në veri të Kosovës, pritet takim në Bruksel me prezencën e zyrtarit të DASH, KFOR shton numrin e trupave dhe patrullimet

258

Situata në veri të Kosovës ende nuk është qetësuar, pavarësisht thirrjeve të shumta të ndërkombëtarëve për një deeskalim të saj. Ditën e djeshme është raportuar për më shumë edhe një shtim i numrin të patrullimeve rutinore në veri dhe për më tepër është rritur edhe kohëzgjatja e këtyrë patrullimeve.

Me anë të një njoftimi për mediat, misioni ushtarak i NATO-s në Kosovë bëri me dije se janë duke monitoruar nga afër situatën në tërë Kosovën dhe mbeten të fokusuar në zbatimin e përditshëm të mandatit. “KFOR-i po monitoron nga afër situatën në të gjithë Kosovën dhe mbetet i fokusuar në zbatimin e përditshëm të mandatit të tij, i cili rrjedh nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999, për të siguruar një mjedis të sigurt dhe të sigurt dhe liri të lëvizjes për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë. KFOR-i ka rritur numrin dhe kohëzgjatjen e patrullimeve rutinore në të gjithë Kosovën, përfshirë edhe Kosovën veriore”, thuhet në njoftimin shpërndarë për shtypin. Sakaq, dje në mesditë, pranë vendkalimit administrativ Jarinje, ku pjesëtarët e njësive speciale të Policisë së Kosovës janë vendosur për tetë ditë, janë shfaqur ushtarë të KFOR.

Këta janë ushtarë amerikanë, polakë dhe kanadezë brenda misionit të KFOR -it në Kosovë. Kryetarët e komunave serbe në veri të Kosovës kanë bërë thirrje për një prani më të madhe të KFOR -it në komunitetet serbe. Gjatë një takimi me Komandantin e KFOR -it Gjeneral Major Franko Federici, kryetarët e bashkive nga zonat serbe në veri të Kosovës kërkuan që prezenca e KFOR -it të forcohet në vendet ku jetojnë serbët. Nga ana tjetër, kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka njoftuar se ditën e djeshme ka pasur një takim me komandantin e KFOR-it, me të cilin ka diskutuar në lidhje me gjendjen e sigurisë. Kurti ka theksuar se edhe pas takimit, nuk ka asnjë të dhënë dhe asnjë informacion, që të çon në përfundimin se KFOR po planifikon një ndërhyrje në veri të Kosovës. “Sot kam pritur në takim komandantin e KFOR-it dhe bashkë me ministrin e brendshëm, Xhelal Svecla jemi në kontakt të vazhdueshëm me institucionet ndërkombëtare në Kosovë.

Unë nuk kam informacion të tillë për përgatitje të ndërhyrjes së KFOR-it në veri. Njësia Speciale nuk është në Bërnjakë dhe Jarinje në mënyrë që ti gëzohemi kësaj situate, ata janë aty me detyrë që ti mbrojnë pikat kufitare dhe policët kufitarë”, ka thënë Kurti. Më tej shefi i ekzekutivit kosovar, referuar djegies së zyrave në kufi, tha se kishin informacione se në rast se të pranishëm nuk do të kishte qenë Njësia Speciale, policët kufitar dhe godinat do të ishin të rrezikuara seriozisht. Pas një bisede telefonike me kryediplomatin e BE, Josep Borrell dhe Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Kurti ka deklaruar se zgjidhja e vetme për një përshkallëzim të situatës në veri është vetëm dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, dialog që Serbia e ka refuzuar për sa kohë forcat policore të Republikës së Kosovës ndodhen në veri. Mediat e Kosvës kanë raportuar dje se është arritur një marrëveshje qw në Bruksel të ketë një takim të nivelit të lartë Kosovë-Serbi, ku i pranishëm pritet të jetë dhe zv/ndihmës Sekretari i Shtetit, Gabriel Escobar.

Reagime nga Serbia

Në lidhje me situatën e komplikuar në veri, ka pasur reagime të shumta edhe nga pala serbe. Kryeministrja Ana Brnabiç ka akuzuar Bashkimin Europian se po bën shumë pak ose asgjë në lidhje me situatën mes dy shteteve. “Nuk kam asgjë të mirë për të thënë për sjelljen e Evropës, për sjelljen e BE-së. Unë mendoj se Marrëveshja e Brukselit është çështje e BE-së. Nënshkrimi i saj ndodhet në Marrëveshjen e Brukselit”, tha ajo. Brnabiç pretendoi se Marrëveshja e Brukselit është shkelur nga Kosova, sepse sipas kësaj marrëveshjeje në veri të Kosovës nuk duhet të ketë assnjë njësi speciale të policisë. Brnabiç u shpreh se BE jo vetëm që toleron moszbatimin e Marrëveshjes së Brukselit tash e nëntë vjet, referuar mos nisjes së krijimit të Asociacionit të komunave serbe, por hesht për shkeljen e saj. Nga ana tjetër, presidenti Aleksandar Vuçiç ka sqaruar se Serbia nuk ka hyrë në territorin e Kosovës, sepse me marrëveshjen e Kumanovës dhe vendimet pas saj, si dhe hapjen e vendkalimeve, Serbia nuk kemi të drejtë ta bëjë këtë gjë.

Gjithsesi ai ka paralajmëruar se Serbia do të reagojë, duke u justifikuar me përndjekjen inekzistente të popullatës serbe. “Ne nuk do të hyjmë me trupat tanë. Paqja është më e nevojshme. Ne presim që NATO të reagojë, ne jemi duke pritur për 24 orë. Nëse vazhdon përndjekja e popullsisë, Serbia do të reagojë”, tha Vuçiç.