Frrok Çupi: Ja si Gramoz Pashko e Azem Hajdari kërcënuan Sali Berishën se do e hidhnin nga avioni, por Lulzim Basha nuk e bëri atë gabim, e hodhi nga dritarja pa bërë zë

288

Gazetari dhe analisti Frrok Çupi, është shprehur i bindur se ish-kryeministri Sali Berisha nuk e shkarkon dot liderin demokrat Lulzim Basha, pavarësisht tentativave për të mbledhur Kuvendin Kombëtar. Përmes një analize, ai u shpreh se qëllimi i takimeve të Berishës është për të ngjallur krizë dhe konflikt.

Frrok Çupi ka treguar një ndodhi të vetën gjatë një vizite në SHBA, ndërkohë që përpara tij kishin qenë Berisha, Gramoz Pashko dhe Azem Hajdari. Bëhet fjalë në vitin 1994. “Në ato korridore e kam “prekur” fitoren e parë të Berishës. Dikush pyeti: “Ah, nga Shqipëria jeni?… Kishim tre shqiptarë para një muaji”, tha, dhe vuri buzën në gaz. Ndala para tij e nuk po kuptoja. “Po- tha- i kishim këtu…, but anyway”! Bëri me dorë si të thoshte “e lëmë këtë, mos e merr për gjë” dhe vazhdoi. -Nisën të grinden këtu mes nesh, të tre shqiptarët mes tyre… E pastaj disa amerikanë këtu thanë se “kishim tre shqiptarë nga Demokracia: Një komunist, një aventurier dhe një nga rruga”. Sali Berisha, Gramoz Pashko dhe Azem Hajdari që formuan delegacionin e parë të PD në Amerikë, u grindën gjithë kohës, madje edhe në avion kur ktheheshin. Këtu e nisi fitoren e parë Berisha brenda PD; dy të tjerët u eliminuan, ndërsa Berisha lufton akoma sot si atëherë”, tha Çupi. Por ai ka hequr një paralele me situatën aktuale. Sipas tij, Lulzim Basha nuk veproi si Pashko e Hajdari që e kërcënuan Berishën se do e hedhin nga avioni. “Në orën fatkeqe 20:00 të datës 9 shtator 2021, Berisha preku të vërtetën: Lul Basha, me pamjen e “tutkunit”, kishte luajtur rolin e “tenjës” dhe ia kishte ngrënë gjithë stofin “babait politik”. Luli kishte bërë vrap në vend, si për t’i thënë se “nuk largohem prej teje”. Basha nuk bëri gabimin e Pashkos dhe të Hajdarit që e kërcënuan Berishën se do ta hidhnin nga avioni prej Amerike, por pa bërë zë, Luli hapi dritaren dhe e hodhi vërtet”, tha ai.

Beteja brenda PD

Ndër të tjera, analisti Frrok Çupi, u shpreh se beteja që ka nisur në Partinë Demokratike sipas tij, është një betejë t’u ndarë nga politika e vjetër konfliktuale. Analisti Çupi, vijoi më tej duke thënë se as Berisha dhe as Basha nuk mund të dalin dot kundër Amerikës. “Ka nisur beteja në Partinë Demokratike dhe duket si betejë mes Berishës dhe Bashës, por në fakt është beteja për t’u ndarë nga historia e vjetër dhe politika konfliktuale në PD. Beteja është mes së shkuarës dhe së ardhmes. A do të bëhet Partia Demokratike? Ka vetëm një mënyrë: Rruga perëndimore dhe jo antiamerikanizmi. A është Basha me Amerikën, teksa Berisha është vendosur kundër? Në këtë mes janë tre, por vetëm dy prej tyre janë “homo sapienca”, i treti është fuqi shtetërore. Absurdi se njëri nga humanët, ose të dy bashkë, mund t’ia dalin kundër Amerikës, nuk ka sens”, shkruan ai.