Arti shqiptar në zi! Ndahet nga jeta mjeshtri i madh i skenës

288

Mjeshtri i Madh Paulin Preka, një gur i çmuar i gjerdanit të humorit shkodran, ka ndërruar sot jetë në moshën 86 vjeçare.

Paulin Preka ishte një  nga artistët shumëdimensional të artit shqiptar, me qindra role në Teatër dhe kinematografi.

Paulin Preka ka lindur në Shkodër më 2.02.1935 në një familje të varfër.

Në moshën 8 vjeçare, fare i vogël, u bë pjesmarrës në shoqërinë artistike të Kishës Katedrale të qytetit të Shkodrës, e cila aktivizoi fëmijë dhe të rinj, jo vetëm në aktivitetet fetare, por edhe në aktivitete kulturore dhe edukative, ku tematikat i afronin këta fëmijë me kryeveprat e letërsisë botërore të interpretuara në skenat e vogla të qytetit të Shkodrës. Pikërisht në këtë kohë dhe në këtë moshë, daton edhe interpretimi i parë i Paulin Prekës, i cili në melodramën “Shtatë Xhuxhmaxhuxhat”, interpretoi rolin e tij të parë “Knapsi”. Melodrama u pëlqye së tepërmi nga publiku artëdashës shkodran dhe bashkë me bashkëmoshatarin Çesk Jubani u vlersuan me çmim të parë.

cna lajme kulture

Ky djalë simpatik, i shkathët dhe i zgjuar, e mbi të gjitha i talentuar do të bënte që rreth viteve 1945-1946 në moshën 11 vjeçare, mësuesi Lec Sekuj ta sillte në skenë me dramën “Djemtë e Rrugës Pal” të shkrimtarit hungarez Ferenz Molnar e cila u interpretua nga nxënësit e shkollës “Pashko Vasa”. Në këtë dramë Paulini interpretoi një ndër rolet kryesore.

Rreth viteve 1947-1948 hapet në Shkodër Shtëpia e Pionierit ku u formua krahas rretheve të tjera edhe rrethi i teatrit, i cili zhvilloi shumë aktivitete që krijuan një traditë edhe për shumë vite me radhë.

Kështu në vitet ’50 në këtë qendër kulturore u shfaqën tri drama për fëmijë të autorit rus Arkadi Gaidar, ku Paulini në një moshë fare të re shpalosi talentin e tij të lindur.

Janë vitet e para pas Çlirimit të cilët ndikuan edhe në gjendjen ekonomike të familjeve shqiptare, ku shpesh edhe në moshë të re, rinia do të ishte pjesëmarrëse në çdo ndërmarje ekonomike. Kështu, që në vitin ’52 për këto arsye edhe Paulini në moshën 17 vjeçare filloi punë në një ndërmarje të qytetit të Shkodrës.

Në vitin 1953, falë pasionit dhe vullnetit që e karakterizonte Paulinin, u aktivizua pranë Shtëpisë së Kulturës dhe po në atë kohë nën drejtimin e regjisorit të mirnjohur Andrea Skanjeti, u shfaq e para premierë estrade amatore “Estradë në Penxhere” ku protagonistë ishin Tano Banushi dhe Paulin Preka, të cilët sollën një frymë të re në skenën e teatrit të humorit në qytetin e Shkodrës.

Në vitin 1954, kur sapo ishte kriju “Klubi i Punëtorëve” e ftuan të luante një rol tek drama bullgare “Traktoristët” me regjizore Violeta Sekuj. Me këtë dramë konkuroi në Takimin Zonal të Veriut ku u shpall Laurat i këtij takimi, duke u vlersuar me diplomë nderi për interpretim të lartë artistik.

Në fund të vitit 1954 u mobilizua në shërbimin e detyrueshëm ushtarak ku aktivizohet në Shtëpinë Qëndrore të Ushtrisë pranë Esradës së Ushtarit në role të ndryshme si, konferencier, recitues e pso jo edhe si aktor deri në fund të shërbimit në vitit 1956.

Ndër pjesët më brilante të repertorit 40 vjeçar të estradës interpretuar nga Paulin Preka, aktorët e mësipërm, si dhe një brezi më të ri mund të veçojmë: “Fotografi”, “Kola i dritave”, “Familja-A, familja-B”, “Tuçi e Lokja”, “Dasme e Refikut”, “Mini e Minusha”, “Ëikend 96-76” etj.

Që nga viti 1967 e deri më sot janë shkruar nga aktori dhe autori Paulin Preka me qindra skeçe, parodi, dialogje e monologje. Materialet e tia janë pëlqyer dhe janë kërkuar e luajtur nga trupat profesioniste të rretheve të ndryshme si ajo e Peshkopisë, Kukësit, Estradës së Ushtarit, Durrësit, Beratit, Elbasanit, Pogradecit si dhe nga lëvizja amatore e qëndrave të punës të qytetit të Shkodrës, nga Mirdita, Lezha, Puka etj.

Aftësitë e tia si aktor, por dhe si autor libretesh, deri te gjinitë e vogla të humorit: skeçe, parodi, kuplete, pantonima, monologje e dialogje, grimca humoristike etj., kanë një vazhdimsi deri në këto ditë që po flasim, sepse plotësojnë figurën e këtij artisti të kompletuar si interpretues dhe shkrimtar.

Pas viteve 1990 janë një sërë premierash të shkruara si librete të vëna në skenë, si ajo e të shtundeve gazmore në RTSH në vitin 1994, ku spikasin materialet e “Ndihmave humane”, “Liçensa”,, “Dasme e Refikut” e mandej në këto vite materiale që kanë mbetur në kujtesen e spektatorëve si “Krapi”, “Kena harru baben”, “Urgjenca”, “Pikniku 1977 e 1997”, materiale në vargje si “Eksodi”, hapja e recitalit të Sandër Ruçit “Çka t’tha” e shumë e shumë të tjera, si “Operacioni i dajës”, “Udhëtim me mikrobuz” etj.

Në vitin 1998-1999 një mori poezish që janë të arkivuara nga familja, të cilat u transmetuan fillimisht në Radio Klan e mandej edhe në Radio Shkodra të tilla si “Një letër mikut tim”, “Prostitutës”, “Tomasit”, “Shkodër loces”, “Zotni”, “Andërr grash”, “Pensioni” etj.

Paulini i përket dy zhanreve skenike: teatrit të dramës dhe atij të humorit, rreth 9 vite në dramë dhe 37 vite në estradë, karrierë plotësisht e mjaftueshme për të krijuar personalitetin e tij. Nuk mund të mos mbahen mend nga publiku shkodran interpretimet brilante të Paulinit përkrah gjigandëve të skenës: Tinka Kurti, Roza Xhuxha, Prengë Lëkunda etj. në rolin e Murrashit tek drama “Toka jonë” shkruar nga Kol Jakova, si dhe rolet kryesore tek “Një tragjedi amerikane” shkruar nga Teodor Drajzer, “Familja e peshkatarit” shkruar nga Sulejman Pitarka, “Bileta e lotarisë” shkruar nga Gjergj Vlashi, Niqiforin në komedinë “Shoku Niqifor” shkruar nga Pëllumb Kulla, si dhe freskinë që solli gjatë pjesmarrjes në tri operata. Me keqardhje mund të themi që kjo pjesë e karrierës artistike të këtij artisti është mbuluar nga pluhuri i harresës dhe është detyra e studiuesëve të teatrit ta fshijnë këtë pluhur.

 Në vitin 1974 laurohet me urdhërin “Naim Frashëri i Klasit të III”, në vitin 1980 me urdhërin “Naim Frashëri të Klasit të II”, në vitin 1988 me titullin e Lartë “Artist i Merituar”.

Në vitin 1996 pak muaj përpara se të mbyllte marrëdhëniet e punës me teatrin “Migjeni”, në takimin e trupave Profesioniste në Tiranë, u vlerësua si “Aktori më i Mirë i Karrierës”, “Krenaria e qytetit” në vitin 2009 dhe “Nderi i Komunës” Bushat në vitin 2012.

Në qershor të vitit 2018 dekorhet nga Presidenti i Republikës me titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”.