“SYNI I ZOTIT” Vetëm po të jesh këtu e të hedhësh vështrimin nga të gjitha anët, e kupton se pse ja vunë këtë emër

258


Nuk është emërtim i ri, as sy demokracie si disa të tjerë, por një emërvend i lashtë qysh se shllaksit u vendosën për herë të parë këtu këtë vend, pra në Shllak. Sipas gojdhënave, shllaksit e parë, në kërkim të një toke më të mirë për jetesë, kur dolën në këtë vend, hodhën vështrimin rreth e rrotull dhe më i vjetri prej tyne tha:

“Këtu kënka Syni i Zotit, këtu po ndalim e grehim jetesë”. Vetëm po të jesh këtu e të hedhësh vështrimin nga të gjitha anët, e kupton se pse ja vunë këtë emër dhe sa në të vërtetë e meriton ky vend të quhet syni i lumnisë së të madhit Zot. Të pamit e synit të hup përtej Maleve të Shoshit, Toplanës, Nikajve e Mërturit, Majes së Hekurave, Jezercës e deri në Shkëlzen.

Aty poshtë Liqeni i Vaut të Dejës, i Komanit e krejt Përtedrinen, Pukën, Krrabin e Tërbunin i ke si në shplakë të dorës. Zadrima, Maja Shita, e Velës, Mali i Rrencit e hej se ku… Aty pari, gjithkah ka i thonë Shkodërloce, me Dri e Bunë, me det e liqen e përtej si me i pasë në prehën. Në të djathtë, Maranaj e krejt Majat e Shalës ashtu siç i përshkruan vetëm Roze Lane në librin e saj. Mbrapa buzëqesh Cukali i një mijë legjendave me dragoj e me kulshedra, i Këmbonares e Kishës së Shpalit e të Shpjetrit dhe me nandë majat që vijnë pas njëra tjetrës si gishtat e dorës deri te ajo e Meleqethit.

I bindur që ky vend do jetë superatraksioni i ardhshëm i turizmit malorë edhe pse dora e njerit e zhveshi në këto vite prej petkut të pyjeve ma të mrekullueshëm të ahut që ka pasë ky kontinent. Zoti e ka vu dorën mbi të, vëje edhe pak ti shtet, ti Shkodër, makarà i copë rrugë deri në Fushë të Liqenit se veç përvedi e ke!

Nga Ndoc MULAJ (Ekspert i turizmit malorë)