A kanë gra këta njerëz?

132

I bëra ‘share’ një shënimi të postuar nga dikush në FB, i cili komentonte këtë fotografi. Unë u tërhoqa nga fotografia, që për mua është e frikshme. Është një pamje që flet shumë për shoqërinë shqiptare. Dhe nuk është një pamje episodike. Është një pamje që sytë ta kapin kudo. Sapo e sheh këtë foto, në mendje të lind vetëm një pyetje: “Kanë gra këta njerëz?”

Miku i FB-ut bënte komentin e tij, me të cilin unë bie dakord vetëm me nënvizimin se shoqëria jonë ka ngjyrime talebane. Në një moment, komentuesi u vërsulej gay-ve ‘gratuitously’, duke u shfaqur edhe vetë si taleban. Më pas bënte interpretime të kërkuara politike (mua më duket se kjo foto ka lidhje me të gjithë ne, jo vetëm me PD-në, edhe pse PD-ja është pa diskutim një parti më talebane).

Duhet të kishte dalë njëri prej atyre që kanë pozuar e t’u thoshte miqve të vet të birrës: “Foton mund t’ia kursejmë vetes.” Por me sa duket, asnjëri syresh nuk ka parë ndonjë gjë që nuk shkon në atë situatë. Duken shumë të lumtur që po pozojnë. Dhe kjo flet shumë.

Më ka ndodhur edhe mua një herë kështu. Është ngjarje me emra realë. Pasi Ilir Meta u zgjodh President, dy sipërmarrës me origjinë nga Skrapari më ftuan për një darkë që e organizonin në nderim të një ngjarjeje të pashoqe në historinë e atyre anëve. Ishte hera e parë që një njeri “i yni” zgjidhej kryetar shteti. Ata kishin bërë edhe më herët mbledhje me logjikë tribale, në të cilat më kishin ftuar, por unë nuk kisha shkuar. U shmangem gjithnjë manifestimeve të tilla. Por në atë rast, nuk gjeta arsye për të thënë “jo”.

Dhe çdo gjë shkoi mirë. Përveç një fakti. Në atë darkë nuk kishte asnjë grua. Edhe kamerierët ishin burra. Nuk m’u ndenj e ua bëra këtë vëzhgim. “Ne themi se jemi europianë, por në ditët e sotme, në asnjë vend të kontinentit të vjetër, me përjashtim të ndonjë lokali në lagjen Soho të Londrës, nuk mund të gjesh gjashtëdhjetë burra që darkojnë me njëri-tjetrin, pa praninë e një gruaje. Kjo nuk është as në traditën e Skraparit,” u thashë. Ma miratuan vërejtjen.

Madje, Meta premtoi: “Kjo nuk ka për të ndodhur më.” Unë nuk kam qenë më në festat e tyre, por jam i sigurt që premtimi nuk është mbajtur. Jam i sigurt se ka ndodhur vazhdimisht e njëjta gjë.

Post Scriptum: I bëra ‘share’ shënimit të Genit thjesht duke lexuar fjalinë e parë. Nuk shkova më tutje. Por më pas pashë që ai i kritikonte talebanët nga pozita talebane. Ishte homofobik, fjala vjen. Prandaj, ‘share’-in e hoqa.