Serat e shtetit me hashash, reagon Ministria e Bujqësisë

275

Ministria e Bujqësisë reagon për bimët “e dyshimta” që u shfaqën në një video të shpërndarë nga ministrja Milva Ekonomi. Nga ky dikaster konfirmohet se ato bimë janë kanabis sattiva por janë të mbjella me urdhër të Prokurorisë dhe Policisë së Shtetit.

Video u regjistrua në Qendrën e Transferimit të Teknologjive Bujqësore (QTTB) Lushnje, ku bëhet identifikimi, testimi, përshtatja dhe futja e praktikave të reja bujqësore. Me daljen e pamjeve, menjëherë Ministria u detyrua t’i fshinte ato, dhe në reagimin e sotëm bëhet me dije se arsyeja.

Në këto sera që janë në pronësi të shtetit dhe ku bëhet testimi i fidanëve të ndryshëm, me urdhër të Policisë dhe Prokurorisë, kultivohen dhe fidanët që ju kapen personave që arrestohen me drogë, shkruan newsbomb.al. Prej vitit 2010, në Shqipëri kubikët e sekuestruar nga Policia të dyshuara si hashash, mbillen në ferma të licensuara për të parë dhe rezultatin final; nëse është hashash, kërp apo diçka tjetër që akuza ndaj trafikantëve të provohet.

Pamjet e publikuara më herët janë fshirë për të mos nxjerr sekretin hetimor, se ku ndodhen këto sera, pavarësisht se tashmë është publike.

Njoftim për shtyp nga Ministria e Bujqësisë

Në vijim të disa raportimeve dizinformuese në media të ndryshme informojmë si më poshtë:

Qendra e Transferimit të Teknologjive Bujqësore (QTTB) Lushnjë, ka në objektin e punës kërkimin/transferimin e teknologjive bujqësore për kulturat perimore dhe grurin si dhe identifikimin, testimin, përshtatjen e metodave dhe inputeve të reja në praktikat bujqësore. Kjo qendër disponon edhe një serrë për prodhimin dhe testimin e fidaneve të llojeve të ndryshme.

QTTB Lushnjë, në fushën e saj të veprimtarisë bashkëpunon me ente publike dhe private. Në këtë kuadër, bazuar në kërkesat e Prokurorisë /Policisë së Shtetit, kryen për llogari të hetimeve të tyre mbjelljen e farërave të bimeve të dyshuara si bimë narkotike. Bimet në fjalë janë mbjellë sipas kërkesës së tyre më shkresën numër 369, datë 4.05.2021.

Kjo formë e bashkëpunimit është e hershme dhe e vazhdueshme midis QTTB-ve dhe Prokurorisë/Policisë, në funksion të evidentimit të farërave të dyshuara nëpërmjet mbjelljes dhe rritjes deri në një fazë të caktuar.

Që prej vitit 2010 kjo procedure bëhet sipas një protokolli të përcaktuar qartë, që fillon nga marrja në dorëzim e farërave, mbjellja e tyre, shërbimet dhe dorëzimi i bimëve sipas dokumentacionit përkatës. Për mbjelljen e këtij numri të kufizuar bimësh shfrytëzohen të njejtat ambiente që përdoren edhe për kultivimin e bimëve të tjera.

Gjithashtu në vijim të sqarimit të opinionit publik referuar lajmeve të fundit mbi një zjarr të rënë në QTTB Lushnjë, informojmë se ky informacion është i pasaktë. Bëhet fjalë për një zjarr në një sipërfaqë të kufizuar toke në distancë me këtë qendër, ku digjeshin mbeturina kashte (hamullash) pas korrjes së grurit.

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural mbetet e hapur dhe në dispozicion për cdo informacion tjetër që mund të nevojitet.