Plumbat e burrit i morën jetën në derën e Gjykatës, kjo është Liljana Buzo që la pas 3 fëmijë

261

Një martesë 26-vjeçare që po shkonte drejt divorcit, por që përfundoi në tragjedi për Liljana Buzon. 54-vjeçarja nënë e 3 fëmijëve, u vra nga bashkëshorti i saj këtë të enjte në derën e Gjykatës së Elbasanit. Ish-efektiv i policisë, 58-vjeçari Koço Buzo, i përballur më herët me drejtësinë për dhunë në familje, e qëlloi me breshëri kallashnikovi duke e lënë të vdekur.

7 plumbat e zbrasur ndaj së ndjerës, kapën edhe dy kalimtarë të rastësishëm, të dy jashtë rrezikut për jetën. Njëri prej tyre është me profesion avokat, teksa dita e tij e punës në gjykatë nuk shkoi si zakonisht. Ndërhyrja në kohë e forcave të policisë bëri të mundur arrestmin e autorit. Gjurmët e mbetura të gjakut që po pastrohen nuk mund të fshijnë dot tragjedinë në familjane Buzo, dhe hapin të tjera plagë me tre fëmijë mbetur pa nënë dhe me babain në burg. Vajza e madhe 26-vjeçare dhe dy djemtë, 20 dhe 18-vjeç.

Raporti mes tyre ishte krisur disa vite më parë, kur të dy kishin përfunduar në gjykatë dhe Liljana, 54-vjeçe kishte kërkuar të ndahej nga ish-polici 58-vjeçar, kjo për shkak të dhunës.  Ata zhvilluan sot seancën e radhës gjyqësore që i afronte drejt divorcit, por përveç ofendimeve, Koço Buzo e kërcënoi të shoqen me një thikë. Ai i vuri thikën në fyt, duke e kërcënuar se do ta vriste. Disa minuta më pas, 58-vjeçari e qëlloi me armë zjarri tip kallashnikov dhe e la të vdekur.

Çifti kishte shkuar në gjykatë. Koço Buzo ishte marrë i pandehur për akuzën e “Dhunës në familje”. Çështja gjyqësore ishte për diskutim në seancë paraprake, ku gjyqtarja e çështjes Miranda Çekrezi, thirri palët për tu ballafaquar në gjyq. Nga të shtënat ka mbetur i plagosur dhe avokati i Liljanës, Gëzim Toçila nga Gramshi si dhe një kalimtar i rastit i identifikuar si Adriatik Kolaj. Avokati ka marrë plagë në këmbë dhe ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën. Ndërsa kalimtari është paraqitur në spital, i dëmtuar në dorë dhe pasi ka marrë ndihmën mjekësore është larguar për në banesë.