Nis përçarja në PD, Nishani kërkon largimin e Bashës: Tenton të mbajë peng partinë, shembull i paaftësisë

218

Duke e cilësuar rezultatin e zgjedhjeve një dëshpërim të thellë, ish-presidenti Bujar Nishani, ka kërkuar që Lulzim Basha të largohet nga drejtimi i Partisë Demokratike, pasi sipas tij po e mban peng atë.

Nishani e cilëson Bashën, përgjegjësin kryesor të 4 humbjeve politike rradhazi dhe thekson se PD nuk është pronë personale e një njeriu dhe askush nuk e mban dot peng për asnjë arsye, në asnjë formë e me asnjë çmim !

“Të dashur miq, rezultati i zgjedhjeve ishte zhgënjim dhe dëshpërim i madh për votuesit dhe mbështetësit e opozitës si dhe një mundësi e pashfrytëzuar për ndryshimin e shumëpritur.

Qeverisja e korruptuar e Edi Ramës do të vijojë të mbajë pushtetin përsëri, pas 8 viteve të skandaleve e dështimeve !

Sot është momenti që Partia Demokratike të çlirohet nga shembulli i paaftësisë dhe modelit që po e asgjeson atë pak nga pak.

Sot është momenti që Partia Demokratike të lihet e lirë për tu ringritur në madhështinë që i takon si Parti e Lirisë dhe Rinisë.

Sot përgjegjësi kryesor i 4 humbjeve politike rradhazi vendosi ta mbajë peng Shtëpinë e Lirisë në interes të pushtetit të tij personal !

Z. Basha sot duhej të merrte përgjegjësinë e dështimit të tij personal prej 8 vitesh !
Sot Edi Rama mban peng Shqipërinë dhe Lulzim Basha tenton të mbajë peng Partinë Demokratike.
Partia Demokratike nuk është pronë personale e një njeriu.

Ajo është Shtëpia e Lirisë e qindra mijëra shqiptarëve.

Askush nuk do të mundet ta marrë atë peng për asnjë arsye, në asnjë formë e me asnjë çmim !

MakePDGreatAgain 🇦🇱 !”, shkruan Nishani.