Shkatërrohen 18 baza armatimi në Tiranë

232

Forcat RENEA kanë zhvilluar këtë të enjte një mega-operacion në Tiranë, ku kanë zbuluar 18 baza armatimi. Nga ky operacion, janë arrestuar tre persona, ndërsa janë shpallur në kërkim dy të tjerë .

Në pranga ranë Paris Prenga, Bledar Deda dhe Flor Abazi; si dhe u shpall në kërkim shtetasi Sokol Gjura, i cili është larguar jashtë vendit javë më parë, dhe Akil Kulla.

Janë sekuestruar gjithashtu arsenal armësh dhe municionsh, si dhe 7 automjete, dy prej të cilave të blinduara.

Bazat e goditura përdoreshin për magazinimin dhe përgatitjen e armëve të zjarrit për grupet kriminale.

“Ndalimi i këtyre shtetasve u bë për arsye se këta persona, së bashku dhe me dy persona të tjerë të arrestuar më parë, Ermond Jamaku dhe Enver Jamaku, dyshohet se janë autorë të ngjarjes së ndodhur më datë 18 tetor 2019, në Tiranë, ku është tentuar të vritet me eksploziv të telekomanduar shtetasi A. B. Shtetasi i shpallur në kërkim Sokol Gjura dyshohet se së bashku me dy persona të tjerë të arrestuar më parë, Ermond Jamaku dhe Enver Jamaku, janë autorë të sulmit me armë ndaj shtetasit P. P., ngjarje e ndodhur më datë 10 shtator 2017, në rrugën “Muhamet Deliu” në Tiranë. Gjithashtu, këta persona dyshohet se janë autorë të vendosjes së lëndës eksplozive, granatës dhe armës së zjarrit, si dhe të një lënde narkotike të dyshuar si heroinë në banesën e shtetasit E. S., ngjarje e ndodhur më datë 15 shtator 2017 në Tiranë.”