Shpëtoi kolegët, 33-vjeçari ende i bllokuar në magazinën ku vijon zjarri. Familjarët: Na gjeni trupin, kishte neglizhencë

246

Prej rreth 48 orësh zjarrfikësit vijojnë të punojnë për të shuar flakët në një magazinë në periferi të Tiranës, aty ku dyshohet të ketë mbetur i bllokuar edhe 33-vjeçari Arjan Sala.

Gjatë ditës së djeshme, familjarët kanë thënë se i kanë rënë numrit të telefonit të 33-vjeçarit, i cili e ka hapur atë, por nuk ka mundur të përgjigjet.

Mëngjesin e së premtes, familjarët debatuan edhe me zjarrfikësit, duke i akuzuar ata se nuk ka pasur angazhimin e duhur, si dhe u kanë munguar pajisjet e nevojshme për të ndërhyrë menjëherë.

“Na gjeni trupin dhe bëni çfarë të doni pastaj. Mungesa e pajisjeve që ka ardhur zjarrfikësja e parë. Atë natë nuk kishin asnjë veshje kundër zjarrit. Është gjynah, pasi djali sot mund të ishte gjallë. Vatra e zjarrit nuk ka pasur këto përmasa atë natë”, u shprehën familjarët.

Në ndihmë të zjarrfikësve të Tiranës ka ardhur vullnetarisht edhe një grup nga aeroporti i Rinasit. Njëri prej tyre sjell edhe detaje nga operacioni i kërkim-shpëtimit.

“Po bëjmë gjithçka për të ndihmuar. Kemi ardhur me ekipe nga aeroporti i Rinasit. Kemi 16 djem me disa pajisje për të ndihmuar në këtë ndërtesë. Kemi punuar edhe gjatë ditës së djeshme me zjarrfikësit lokalë. Ne jemi informuar prej mediave. Kemi ardhur vullnetarisht. Ne jemi aeroporti ndërkombëtar i Rinasit. Ka shumë materiale që digjen lehtë në atë hapësirë. Ka pasur shumë materiale dhe ndërhyrja te zjarri është shumë e vështirë. Ka edhe mure që janë shembur. Arritja atje është shumë e vështirë. Zjarret e brendshme nuk kemi arritur t’i fikim. Besoj që diku gjatë ditës së sotme do të përfundojmë operacionin. Intensiteti i madh ka kaluar”.

Ka qenë një shkëndije zjarri e momentit ajo që më pas përfshiu të gjithë godinën. Arjan Sala ishte shefi i rojeve të sigurisë, i cili bëri të mundur nxjerrjen e 25 punonjësve që punonin për sigurinë e godinës. Në momentet e fundit, ai është bllokuar në katin -1, pasi flakët shpërthyen. Ky kat shërben si magazinë për mbajtjen e produkteve të ndryshme.