Patozi prezanton kandidatët e Korçës: Kemi ekipin më të bukur, zjarri i ndryshimit është ndezur

70

Kreu i Bindjes Demokratike, Astrit Patozi u ndal këtë të hënë në Korçë për të prezantuar kandidatët për deputetë të partisë së tij për garën e 25 prillit.

Patozi vlerësoi skuadrën e tij si më të mirën dhe nënvizoi se ndryshimi do të vijë prej tyre. Ai renditi edhe disa arsye pse qytetarët nuk duhet të votojnë për PS dhe koalicionin opozitar.

“Duhet ta kishim nisur fushatën nga Korça, sepse këtu kemi gjetur mbështetjen me te madhe para se të bëheshim parti, por është lajm i mire për Shqipërinë që edhe atyre në Shkodër nuk u priste puna, sepse zjarri i ndryshimit për Bindjen Demokratike është ndezur kudo në Shqipëri.

Këtu në Korçë kemi ekipin më të bukur dhe me përfaqësues, që nga Nardi, Andi e deri tek Sidorela. Personazhe të njohura politike dhe publik e deri tek te rinjtë që angazhohen për herë të parë. Kurrë nuk kam qenë patetik, por ta dini Shqipëria i ka sytë nga ne në këto zgjedhje.

Ata të tjerët, të vjetrit kanë ngrirë, janë njësoj si para 4 vjetësh dhe më shumë dhe nuk kanë çfarë thonë dhe japin. Sepse Rilindja po mbahet me shpirt ndër dhëmbë. Argumenti i tyre i vetëm është se ata të tjerët janë të lodhur.

Është shumë e rëndë të mbash pushtetin pa asnjë merite. Ndërsa PD/LSI arsyen kryesore quajnë që janë mbushur 8 vjet dhe qeveria duhet të ndërrohet, sepse ata duan vetëm rotacionin.”