Mahnitëse / Shtegtim nëpër majat më të larta të Ilirisë

87

NGA: NDOC MULAJ

I papërshkrueshëm dhe i jashtëzakonshëm shtegtimi më i fundit nëpër lartësitë e maleve të Sharrit e Malit të Korabit. Surpriza dhe emocione pafund nga ky tour i organizuar nga Explorer Travel&Tours, nëpërmes një projekti të RCC dhe mbështetur nga EU. Eva ideatorja e këtij udhëtimi, kishte mirorganizuar gjithçka dhe nisja do të bëhej heret në mëngjes pranë Ring Center. I pari arrita unë te Zogu i Zi dhe që nga larg dallova Enisin me atë çantën e tij të stermadhe e skitë që i zgjateshin lartë përmbi kokë.

Pas Enisit vjen Eva, Megi dhe Durimi me minibus, shoferi më i mirë e më i saktë që kam njohur në këto vite, në sherbim të turizmit shqiptar. Zogu i Zi atë mëngjes u bë Zogu i bardhë pasi po përcillte për në malet ilirjane njerëzit e dëborës, ata me shpirtin më të bardhë. Ishte kenaqësi që përsëri në një udhëtim do të kisha Enisin dhe Denisin, dy prej djemëve më të apasionuar pas turizmit malorë, të dy sot, ekspert të guidimit dhe skiator profesionist, të cilët para shumë vitesh i pata miq në shtegtimin për në Brisën e fisit tim, Mërturit. Kënaqësia e këtij fillim udhëtimi, mu shtua edhe më shumë kur në minibus gjeta edhe Dorjenin e Sandor Tours, djalin e ish mikut tim Sadik Malaj, njërit prej ikonava të turizmit shqiptar.

Dori, është një prej atyre djemëve të mirë që kanë ecur suksesëshëm në hapat e babait e që respekton e gëzon miqt e tij. Rrugës na u bashkuan edhe Elioni me snowboard, Mikaela me ski dhe Ardiola, zysha e guidave kulturore qytetare, por që i ngjiste malet si një malësore e vertetë. Në Rinas po na priste Petar, i cili ishte nisur heret nga Tuzi për të na u bashkangjitur e vazhduar udhëtimin për në male. Kur arritëm në Morinë, merret me mend, rradhë pafund dhe gati plot dy orë pritje. Polic nga të dy anët që i drejtojnë gishtat mbi tastierën e kompjuterit sikur po ngulnin hunj nëpër arë të misrit e as që donin t’ja dinin për vonesat që ju shkaktojnë udhëtarëve. Fatkeqësisht, Morina vazhdon të jetë barrierë e pakalueshme dhe vonesë e pakuptimtë midis shqiptarëve e që nuk dihet edhe sa do të vazhdojë. Së paku për grupet e organizuara turistike që lëvizin nga të dyja anët, duhet pak më shumë respekt dhe tolerancë, të paktën në emër të “turizmit patriotik”. Që aty, pra në kufirin shqiptaro-shqiptarë, fillon të kuptosh që nuk është mbajtur asnjë premtim i asnjë qeverie këtej e andej kufirit, edhe pse na kanë servirur me dhjetëra mbledhje të përbashkëta e nënshkrime vendimesh të parealizuara deri më sot. Aty e kupton se heqja e romingut me Kosovën, është vetëm një tollumbace që vavlitet në qiellin e propogandës, si ajo që “Kosovës i falëm disa herë portin e Shengjinit”.

Në Prizren na priste Deni, djaloshi prizrenali i cili ka pushtuar të gjitha lartësitë e hapsirës shqiptare, ballkanase e më tej. Me Denin gjetëm edhe Bardhoshin e Donatit nga Peja, që të tre këta djem, profesionist të sportit të skive dhe ekspert të guidave malore. Më pas grupit iu shtuan edhe Tomica e Danieli nga Maqedonia e të gjithë sëbashku, vazhduam drejt lartësive e mrekullive që Zoti i ka falë maleve të Sharrit. Që në fillim të saj, rruga që lidhë Prizrenin me qytezën e Dragashit e që ishte në rikonstruktim e sipër, të bën të mendosh se turizmi malorë shqiptar don punë e kohë që të bëhet, pasi ne nuk e kemi dhe as nuk dihet se kur do ta kemi një rrugë me parametra të tilla. Të mos flasim pastaj për qendra skijimi si Qendra Rekreative Turistike “Argjena” në Brod, me skiliftin modern, pista pafund e me mundesi skijimi edhe natën. E gjitha kjo, një investim i vëllezërve guximtarë Arifi, nga një fshat i Dragashit. Gjatë ngrënjes së mëngjesit, atraksioneve të shumta që të ofronte Hotel “Argjena” me gjithçka rreth e rrotull, iu shtua edhe një cjap i egër i cili qendronte në pikën më të lartë të këtij masivi të bardhë duke vështruar drejt nesh, sikur kishte dalë aty enkas për ne e për të na uruar mirseardhjen. Dhe jo vetëm ne, por edhe qindra turistëve të tjerë, shumica prej të cilëve ishin nga Shqipëria, numri i të cilëve do të ishte shumë herë më i madh nëse do të kishin dijeni për këtë mundësi skijimi, akomodimi e relaksi kaq afër qytetit të Kukësit. Pas mëngjesit, ne të grupit të rrathëve vazhduam ngjitjen nëpër fshatin Radeshë për te Maja e Kokës së Kaçit, ndërsa grupi i skiatorëve për te Maja e Kleqit. Në grupin e skiatorëve patjetër që binte në sy Mikaela, gruaja e fortë e cila me shumë guxim, çau dëborën e madhe e sfidoj lartësitë e atyre majave e maleve të larta. Eva, organizatorja dhe drejtuesja e këtij touri ishte përkujdesur që Prizrenit turistik, të mos i kalonim aq tangent, dhe me këtë qëllim kishte prenotuar hotelin në Shatervan, ku do të kishim mundësi të vizitonim e shijonim qytetin më antik të veriut. Vetëm një jo prizrenali që ka jetuar disa vite aty, një prej të cilëve jam edhe unë, e din se çfarë të ofron e sa i veçantë është Prizreni, sidomos në mbrëmje. Pas një kafeje buzë Lumbardhit, lumit që ndan Prizrenin në dy pjesë, vizituam disa prej atraksioneve të tjera turistike e më pas darkuam në një prej restorantve me ushqim bio e mjaft të shijëshëm. Dita tjetër do fillonte me ngjitjen nëpër fshatin turistik të Prevallës, bash aty ku e ka burimin Lumi i Bardhë, ndërsa grupi i skiatorëve do vazhdonte për në Majen e Guzhbabës me lartësi 2609 m. Te kroni mbi Prevallë, takova një burrë mbi të 60-tat, dhe në bisedë e sipër më tregoj që në bjeshkën në të cilën po ngjiteshim, dikur veronin mbi 5000 kokë bagëti, ndërsa në këto vite veronte vetëm një tufe me dele, të cilën e ruajn dy çoban, edhe ata të ardhur nga Kukësi. Në ato çaste mendja më fluturoj në Nikaj Mërturi, në bjeshkët e Kakisë, ku vetëm në Shpellën e Kakverrit në natë vere, flenin mbi 2000 kokë bagëti, pa llogaritur ato të Shalës që veronin pak më tej te Shpella e Bravnikut. Edhe boronicat të cilat janë pafund vazhdoj prizrenalia, vijnë e i mbledhin punetorë nga Shqipnia. “Po pse ndodhë kështu i them? – Se janë ba njerzit demela tha ai. – Do me thanë, këtu qënkan dembelat e Stambollit ja ktheva me shaka. – Bash këtu janë – ma ktheu ai e qeshëm të dy”. Lartë në maje, spektakli me dhitë e egra u njëzetfishua. Plot 20 copë numëruam në një faqe të këtyre maleve tek lodronim mbi dëborë. Për mua, dhitë e egra janë qershia mbi tortë e një udhëtimi turistik malorë. Por i gjithë gëzimi i kësaj dite me plot surpriza, mu shua duke shkuar për në Kodër të Diellit gjatë kalimit të asaj mbrëmje nëpër Tetovë. Qyteti i intelektualve shqiptar të atij vendi, kishte mbetur po ai i vitit 1995 kur e vizitova për herë të parë, pa kurrfarë ndryshimi, pa kurrfarë zhvillimi. Mu dhimbt në shpirt Tetova dhe banorët e tij. Në ditën tjetër, shtetijet me snow cat ose maçok në shpatet e Leshnicës, një tjetër surprizë e bukur dhe sidomos mjeti i duhur për të sfiduar erën e forte dhe dëborën e madhe që vazhdoj të binte gjatë gjithë ditës. Nuk mund të largoheshim nga Tetova pa vizituar teqen e Harbatisë dhe Xhaminë e Larme, dy prej monumenteve më kryesore të këtij qyteti.

Në mbrëmje udhëtuam drejt Tërnicës ku do të kalonim natën e në mëngjes do të ndermerrnim aventurën turistike të rradhës. Në ambientet e këtij resorti turistik, përveç kuajve, më bëri përshtypje të veçantë një dru i lartë sekuoje i cili kishte fluturuar lartë drejt diellit, duke kaluar mbi çdo pishë e bredh. Pronari i hotelit me tha që e kishin mbjellur para pak vitesh dhe ishte zhvilluar me një shpejtësi marramendëse. Mbase lartësia mbidetare ka bërë që të mos zhivllohen ata dy tre kultivarë që i kemi të mbjellë në parkun e Pallatit të Brigadave në Tiranë. Edhe pse nuk është dru i maleve shqiptare, pse mos ta kemi një, dhjetë, njëqind apo njëmijë, në qindra e mijëra hektarë pyje pishe të shkrumbuar nga zjarri, sakatuar nga motorsekat e helmatisur nga proçesionarja. Në ditën e rradhës, ne grupit të rrathëve, shiu i ftoftë e i përzier me reshje dëbore, nuk na mundësoj të shijonim malet dhe lartësitë e Mavrovës, ndërsa skiatorët nuk u ndalën por fluturuan si shqiponjat nëpër male e kodra. Gjatë kësaj pritje, shfrytëzova mundësinë të shetisja nëpër rrethinat e kësaj qendre turistike. Kurrë nuk kisha parë aq shumë fruta të trandafilave të egra sa në rrethinat e këtij parku. Ashtu të kuqe flakë dhe me një kapuç dëbore përsipër, qëndronin fort nëpër degë edhe pse të zbutura nga dimri. Shihej qartë se as nuk u ishte afruar kush për të këputur qoftë edhe një kokërr, e ndersa të gjitha lokalet aty pranë tregtonin çaj hibiskus me bustinë. Frutat e dardhave e mollave të egra, pemët e të cilave ishin të shumta në këtë park, era dhe dëbora i kishte hedhur ngado përtokë dhe jo vetëm që njerzit nuk i kishin prekur por çuditërisht as arushat që i lakmojnë aq shumë në prag dimri. Shiu i kombinuar me flokë dëbore, ose skllota siç i thonë banorët e veriut, nuk diti të pushojë përgjatë gjithë ditës, prandaj ne vazhduam me një vizitë në Manastirin e Shën Gjonit e më pas drejt qytetit të Peshkopisë ku do të drekonim te Bujtina e jufkave Zerja, tashmë kthyer në një vlerë të Dibrës.

Traditë, shumë shije, kulturë në sherbim, në arredim e akomodim, pra mjaft kandshëm për të kaluar natën. Për darkë do udhëtonim për në Radomirë drejt së cilës do të na printe Labinoti, luzniani guximtarë që e zbardhi Luginën e Drintit të Zi dhe po i zbardhë faqen gjithë Dibrës Turistike me kampingun e fluturave. Edhe në Radomirë kishte arritur asfalti, ç’ka krijonte premisë për një frekuentim të shtuar dhe zhvillim të qëndrueshëm të zonës. Kuptohet, jo i atyre përmasave dhe i asaj cilësie si në Dragash, por pranueshëm, duke e krahasuar me shumë rrugë e parrugë në fshatrat malorë të Shqipërisë veriore. Buzë mbremjes arritëm te Bujtina Korabi e cila gjendej në fillim të shtegut që të çon në majen më të lartë të Shqipërisë, Majen e Korabit. Aty na priti një djalë i ri i cili sipas zakonit, na drejtoj për te Oda e burrave, Oda Dibrane. E punuar dhe e arreduar hijëshëm e me të gjithë elementët e duhur, ku dominonin shtrojat prej lëkurave të dashit e sixhadet e punuara në vekë. Në mes të odës, ndodhej një sofër me dhjetë kësula të bardha dibrane, midis të cilave një shishe me raki, e në ballë oxhaku që kërciste nga zjarri ndezur si për miq. Gjithçka, në këtë ambiente të kënaqte synin e të ngrohte shpritin në atë natë të ftoftë dimri. Në çdo qoshe të Bujtinës trekatëshe shihej vetëm një djalë i ri, Agroni, i cili dukej jo sikur vraponte por sikur fluturonte. Përveçse me akomodimin tonë dhe plotësimin e kërkesave të secilit, ai u sherbente edhe klientëve të lokalit, banorë të Radomirës.

Në një moment duke kërkuar Agronin, hy te kuzhina dhe e gjej duke gatuar. “Ku e ke kuzhinjerin i them? – Unë jam kuzhinjeri ma kthen ai me buzëqeshje, – dhe i trajnuar nga miku yt, chef Sokol Prenga, plotësoj ai”. E pabesueshme, që një djalë kaq i ri dhe i vetëm, të jetë kaq puntorë dhe i përkushtuar. Por në fakt në fakt, ky ishte modeli, ai për të cilin kemi punuar prej vitesh, ai që po kërkojmë të kemi në turizmin malorë shqiptar. Dhe ku e gjetëm, atje, në pikën më të lartë të banuar. Atje ku pak metra me sipër, gjenden vetëm arinjtë e dhitë e egra. Gatimet e shijëshme të darkës, mëngjesit e të drekës, e përforcuan edhe më tepër përshtypjen e gëzimin tonë për këtë djalë të ri.

I jashtëzakonshëm Agron Hima i Radomirës. Pas ngrënjes së mëngjesit, sëbashku me grupin e skiatorëve morëm shtegun për ngjitjen në Korab. Edhe aty, nga çdo anë gjendeshin frutat e pavjelura të trandafilit të egër (kaçave). Që në mëngjes dy shqiponja mali na uruan mirseardhjen, duke u shkëputur nga shkëmbinjtë dhe ngritur lartë në qiellin e kthjellët. Pak më lartë, dhjetë copë dhi të e egra u shfaqën në shpatin përballë e na e shtuan edhe më tepër gëzimin e kësaj dite. Aty rreth mesditës, skiatorët kishin arritur në cakun më të lartë dhe filluan zbritjen me rrëshqitje. Me fluturimet e herpasherëshme në ajër ata krijonin para syve tanë figura magjepsese. Megi, mirditorja regjizore-fotografe, mjaft e apasionuar pas këtij profesioni, vraponte nëpër gropa e kodra dëbore për ti përjetësuar në aparatin e saj, ata e format ëngjëllore që ata formonin në ajër.

Të jesh në Dibër, dhe të kthesh rrugën në Bulqizë për te Kulla Hupi, do të thotë që tortës nuk i ke vu përsipër atë kokrrën e ambël të qershisë. Dhe kjo sepse është më e veçanta prej të veçantave dhe një prej kullave të gurit më e bukur që kam parë në jetën time. Në mendjen time nuk krahasohet me asnjë prej kullave që ne kemi, dhe as me ato të ngujimit, pajtimit a luftimit. Një muze i vertetë etnoshqiptar, një muze që duhet ta kishte lakmi çdo bashki, që ta kishte në territorin e saj, një muze që Shqipëria nuk e ka edhe një tjetër si ajo. Dhe kjo është Kulla Hupi, për të cilën jam i bindur që as i zoti, pra Luli, nuk e din mirë vlerën e saj, rëndësinë e saj edhe pse na flet me shumë pasion e dashuri për të. E vjetër, shekullore, aq sa as Luli e asnjë aty, nuk ja din mirë moshën e as historinë. Brenda saj ka të kuruara mjaft bukur, çdo gjë që ka kaluar nëpër kullat tona në këta tre-katër shekujt e fundit. Kujdesi dhe pastërtia e cila është e pashembullt, fillon që te shkallët e oborrit dhe deri në katin e katërt të saj, kati nën çati. Çdo gjë në të është e vendosur hijeshëm dhe në vendin e vet, çka flet për dorën e një zonje pastërtore e shembullore, që përkujdeset me tepër fanatizëm për të. Ajo është nëna, kryefjala e gjithçkaje aty, një malësore duarartë si në mbajtjen pastër të ambienteve të kullës, të orendive e paisjeve sa do të vjetra që janë, ashtu edhe në atë të gatimit tradicional dibran. Dhe aty pranë oxhakut e duke shijuar gatimet e shijëshme të nënë Sofisë, në sytë e Evës dallohej lehtë gëzimi i ligjshëm në prag të përfundimit me shumë sukses të këtij projekti kaq të rëndësishëm ndërkufitar. Një ditë e shkelqyer për një përmbyllje fantastike të këtij tour-i të veçantë e të domosdoshëm, për ta patur si shembull e për të hapur një trase të re në turizmin malor. Në asnjë moment të këtyre ditëve nuk ra në sy nacionaliteti i asnjërit pjesmarrës, por thuaj se kishim të bëjmë me një një grup shokësh e miqsh të cilit njiheshin prej vitesh.

Gjithmonë është thënë që kultura bashkon popujt, por për popujt e ballkanit, tashmë jam i bindur se do të jetë turizmi ai që do ti bashkojë. FAM Tour duhet të mos ndalet por të vazhdojë me projekte të tjera drejt lartësive të tjera nderkufitare.null

Image
Image
Image
Image
Image
Image