Problemet nga bora në aksin Lezhë-Milot, FA furnizon me karburant dhe zhvendos mjetet e bllokuara

284

Reshjet e borës, të cilat kanë shkaktuar probleme në aksin Lezhë-Milot kanë angazhuar Forcat e Armatosura për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve, duke i furnizuar me karburant dhe duke zhvendosur makinat e bllokuara.

“Stuhi të tilla bore që rrallë përfshijnë ultësirën perëndimore kanë shkaktuar probleme në aksin Lezhë-Milot.

Megjithatë, Forcat e Armatosura janë angazhuar menjëherë për të ndihmuar sadopak në lehtësimin e situatës. Një mjet çisternë i FA ka mbërritur për të furnizuar mjetet e mbetura pa karburant, ndërkohë që trupat Komando po ndihmojnë edhe me krahë zhvendosjen e makinave të bllokuara”, njofton Ministria e Mbrojtjes.

Ndërkohë i gjithë territori i vendit tonë ditën e sotme është mbizotëruar nga reshje shiu me intensitet mesatar dhe me reshje dëbore, ku në disa qarqe të vendit ka pasur problematika në disa akse rrugore.

Ministria e Mbrojtjes njofton se në ditët në vijim pritet mot i kthjellët, por për shkak të temperaturave të ulëta do të ketë ngrica në rrugë.

“Ditën e djeshme si rezultat i reshjeve të borës është bllokuar aksi rrugor Milot-Lezhë. Situata ishte shumë e vështirë pasi 2 kamionë ishin përplasur me njëri-tjetrin dhe ishte i pamundur qarkullimi i mjeteve. Është organizuar puna me forca dhe mjete si dhe batanije dhe karburant për automjetet e bllokuara në këtë aks rrugor. Pas një pune të gjatë, aksi rrugor është hapur me vështirësi në orët e para të mëngjesit të ditës së sotme dhe ka filluar qarkullimi i mjeteve.

Si pasojë e reshjeve të borës, ditën e djeshme ka pasur bllokim të aksit rrugor Elbasan- Librazhd. Në vendngjarje kanë shkuar forca të policisë së shtetit dhe firma kontraktore të cilët kanë punuar për normalizimin e situatës. Nga informacioni i marrë sot në mëngjes aksi rrugor është i kalueshëm pjesërisht me zinxhirë”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.

Forcat e Armatosura në bashkëpunim me Policinë e Shtetit kanë rritur gatishmërinë në të gjithë vendin për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve. Aktualisht, trupat dhe mjetet e FA janë të angazhuara në zonën e Nënshkodrës për të ndihmuar lëvizjen e qytetarëve në njësitë administrative Ana e Malit dhe Dajç, të prekura nga përmbytjet.