Shtimi i rasteve, publikohen masat e reja: Ndalohet lëvizja nga ora 20:00. Mësim online në shkollat e mesme në 10 qytete

64

Komiteti Teknik i Ekspertëve për pandeminë njoftoi këtë të mërkurë masat e reja shtrënguese për shkak të shtimit të rasteve me Covid-19.

Ogerta Manastirliu, ministre e Shëndetësisë, bëri të ditur se fasha orare e lejuar e lëvizjes do të ulet nga ora 22:00 në orën 20:00, duke mbyllur të gjitha aktivitetet deri në orën 06:00 të mëngjesit.

Masat e marra nga Komiteti Teknik i Ekspertëve

“- Ndalimi i qarkullimit të lëvizjes për qytetarët nga ora 20:00 e mbrëmjes – 6:00 të mëngjesit, me përjashtim të emergjencave shëndetësore dhe për arsye pune (në këtë rast është e domosdoshme leja nëpërmjet aplikimit tek e-Albania) për një afat 14 ditor, duke filluar nga dita e enjte, datë 11 Shkurt – 25 Shkurt.

– Ndalimi i aktiviteteve të bareve, restoranteve, klubeve, nga ora 20:00 e mbrëmjes – 06:00 të mëngjesit (me përjashtim të shërbimit delivery), duke filluar nga dita e enjte, datë 11 Shkurt – 25 Shkurt.

– Nisur nga rritja e rasteve të infektimeve të reja në grupmoshën 15-24 vjeç, shkollat e mesme do të aplikojnë skenarin e tretë, pra atë online ne zonat e riskut të lartë, ku përfshihen bashkitë: Tiranë, Fier, Vlorë, Berat, Durrës, Gjirokastër, Lezhë, Lushnje, Pogradec dhe Kamëz, për periudhën 11 shkurt – 26 shkurt.

– Sezoni i provimeve për universitetin do të zgjatet, për të siguruar kombinimin e provimeve online dhe në auditor, për lëndët që kërkojnë prezencë, sipas vlerësimit të MASR, duke zbatuar rreptësisht protokollet AntiCovid”