Borxhi Publik, Rama shkeli premtimin e 2013-s dhe 2017-s

46

Kryeministri Edi Rama, para se të fitonte mandatin e parë qeverisës në 2013-n dhe më pas në 2017-n, premtoi uljen e borxhit publik poshtë nivelit 60%. Ky angazhim, sipas të dhënave të FMN ka rezultuar i dështuar, pasi borxhi publik në fund të vitit 2020, rezulton 83.20%. Faktoje ka verifikuar sesi kanë ndryshuar deklaratat e kryeministrit Rama dhe zotimet e pasqyruara në programin e qeverisjes së PS, lidhur me këtë çështje, që nga viti 2012 e deri më sot.


Më 4 shkurt 2021, kryeministri Edi Rama u shpreh:

Kur flitet për borxhe dhe kredi, flitet në mënyrën më banale të mundshme. E para e dëmshme dhe e dyta e kollajshme. Në fakt jo. Çështja e një vendi është sa e ka borxhin, por sa fuqi ka ta financojë. Japonia e ka 200% borxhin, por kjo nuk e pengon. Përpjekjet e qeverisë ndihmojnë për të konsoliduar ekonominë në vitet e ardhshme.”

Por çfarë ka premtuar kryeministri Rama në fund të vitit 2012 përpara se të fitonte mandatin e parë qeverisës.

Ne sot jemi përballë një borxhi që është bërë i papërballueshëm për vendin, ndërkohë që një pjesë e konsiderueshme e tij ka shkuar për të financuar korrupsionin.” Të mos lejojmë një borxh pa asnjë tavan ligjor. E bëjmë këtë duke pasur parasysh që pas pak muajsh do ta qeverisim ne Shqipërinë.”-tha kryeministri në nëntor 2012 duke vijuar më tej.

Sot kemi një borxh publik mbi 60% zyrtarisht, sepse bashkë me borxhin e fshehur është mbi 100%.

Tema e Borxhit Publik zuri një vend të rëndësishëm në programin elektoral të Partisë Socialiste për vitin 2013-2017 dhe më pas edhe në programin e “Aleancës për Shqipërinë Europiane” 2013-2017.

“Krijim i një programi që synon uljen graduale të borxhit nëpërmjet kontrollit të rreptë të defiçitit fiskal në bashkëpunim të ngushtë me FMN dhe BB. Borxh publik në parametra të kontrollueshëm dhe jo barrë për brezat e ardhshëm.”-ishte angazhimi i përmes këtij programi.

Në programin e “Aleancës për Shqipërinë Europiane” 2013-2017, theksohej:

“Ne jemi të vendosur që gradualisht të fillojmë ta ulim borxhin publik, ta sjellim atë në parametra të kontrollueshëm dhe të mos ia lëmë barrë brezave të ardhshëm. Objektivat tona kryesore janë:

-Ulje graduale e borxhit nëpërmjet kontrollit të deficitit fiskal dhe përshtatjes me rritjen ekonomike (vendosja e një rregulli fiskal transparent e të besueshëm).

-Në periudhën afatmesme synohet një borxh publik në parametra të përshtatshëm për nxitjen e ritmeve pozitive të rritjes, për strukturën ekonomike të vendit, si dhe për t’i lënë hapësira të mjaftueshme financimi sektorit privat.

-Fillimi i uljes së borxhit publik në pjesën e dytë të mandatit do të realizohet nga një qeverisje e përgjegjshme e kontrollit mbi deficitin buxhetor 

Angazhimi i Qeverisë për të ulur borxhin publik u përfshi kështu në në “Strategjinë e Menaxhimit të Financave Publike 2014 -2020”.

Sipas programit të ri me FMN-në, Qeveria u angazhua për uljen e borxhit publik nga 72 për qind të PBB-së në fund të vitit 2014 në 69% deri në fund të programit me FMN-në në vitin 2016 dhe nën 60 për qind deri në 2019.

Sipas Treguesve te monitorimit, synimi për vitin 2017 një borxh publik në masën 65.5% e PBB-së dhe në fund të vitit 2020 në një vlerë sa 56.7% e PBB-së.

*Burimi: Startegjia e Menaxhimit te Financave Publike 2014-2020

Po kështu edhe në programin elektoral të PS për vitet 2017-2021, u ritheksua objektivi për uljen e borxhit publik nën 60% të PBB-së. Në këtë program theksohet që borxhi i lartë publik është një kërcënim serioz ndaj rritjes ekonomike afatgjatë.

Por a u përmbushën angazhimet për uljen e borxhit publik, deri në fund të vitit 2020, nën 60% të PBB-së? Duke marrë në konsideratë që viti 2020 qe një vit krize jashtë kontrollit të qeverisë dhe si kudo borxhi publik rritet, synojmë të fokusohemi edhe në kapjen e objektivave për secilin vit deri në vitin 2019 (përpara krizës).

Për këtë i jemi referuar të dhënave zyrtare më të fundit të FMN, World Economic Outlook.

Nga të dhenat për Shqipërinë, shifrat për borxhin publik rezultojnë si më poshtë:

Nga tabela më lart, konstatojmë se objektivi dhe angazhimi për uljen e borxhit publik është thyer që nga viti 2016 deri në vitin 2019, përpara krizës së COVID. 

Nga verifikimi që kryem dhe nga informacioni i grumbulluar, vendosëm që premtimin e kryeministrit Rama për uljen e borxhit publik, ta kategorizojmë Premtim të Pambajtur.

Nga FAKTOJE.AL