Kujdes! Një mesazh me kod gjashtëshifror ju hakeron WhatsApp-in nëse përgjigjeni

274

Një pjesë e mirë e përdoruesve të WhatsApp ankohen se u janë hakeruar llogaritë e tyre, pas një mesazhi me një kod gjashtëshifror që kanë marrë. Policia e Shtetit dha informacion se për çfarë bëhet fjalë konkretisht. Ai që dërgon mesazhin tek ju, ju lutet që t’i dërgoni mbrapsht kodin me gjashtë shifra. Nëse e bëni diçka të tillë, llogaria juaj në WhatsApp do të hakerohet.

“Aplikacioni “WhatsApp” aktivizohet në pajisjet e zgjuara nëpërmjet një procedure e cila është e përcaktuar nga kompania dhe për të bërë lidhjen e aplikacionit me numrin e telefonit të përdoruesit ose krijimin e llogarisë, kompania “ËhatsApp” dërgon një kod gjashtëshifror në numrin tuaj të telefonit. Më pas, me anë të këtij numri, llogaria juaj aktivizohet. Përdorues të panjohur, deri më tani kanë krijuar një skemë për marrjen e llogarive të aplikacionit “WhatsApp” duke regjistruar në një pajisje numrin e telefonit celular të viktimës sikur të ishte numri i tyre dhe më pas i dërgojnë viktimës në “WhatsApp” kërkesën për t’ia ridërguar kodin gjashtëshifror, me arsyetimin që është dërguar gabim. Theksojmë se kjo kërkesë në “WhatsApp” vjen nga një person i cili ka njohje të mëparshme me viktimën dhe që ka qenë dhe ai/ajo viktimë e këtij sulmi, pra autori nis mesazh nga llogaria e një viktime tjetër.

Nëse personat që janë bërë shënjestër nga autori nuk reagojnë apo nuk dërgojnë numrin gjashtëshifror, autori do të vazhdojë të këmbënguli, por nuk mund të realizojë asnjë veprim tjetër dhe as atë veprim për të cilin ishte nisur të kryente, pra marrjen e llogarisë “WhatsApp”. Po ashtu sqarojmë opinionin publik se marrja e llogarisë “WhatsApp” nuk mund të bëhet pa ndërveprimin tuaj me autorin apo pa patur autori të drejta përdorimi në telefonin tuaj”, sqaroi Policia e Shtetit.

Teksa njoftoi edhe për nisjen e hetimeve, policia këshilloi qytetarët që të mos ndajnë kodin gjashtëshifror me asnjë person tjetër, të vendosin mënyrën e verifikimit me dy hapa; të mos ndajnë informacione personale me asnjë tjetër dhe të bëjnë kujdes nëse një kontakt i njohur ose një person i panjohur u kërkon kthimin e një mesazhi të gabuar.