Fitorja e PD në Tiranë – portretet e deputetëve Rushaj, Tabaku, Bumçi, Këlliçi, Vokshi, Duma, Noka, Shehaj

284

Partia Demokratike ka publikuar dje emrat e drejtuesve politikë në qarkun e Tiranës. Ajo çfarë i bie në sy secilit njeri që njeh politikën, shoqërinë, ekonominë dhe njeh edhe qarkun e Tiranës, është përshtatshmëria e personave të caktuar si drejtues dhe deputetë të ardhshëm.

Qarku i Tiranës është gjithnjë e më pak tribal dhe njerëzit janë gjithnjë e më shumë të cliruar prej tabuve, steriotipeve, paragjykimeve dhe militantizmit. Duke qenë një rajon ku ka më pak varfëri se në qarqet e tjera, ku ka më shumë sipërmarrje ekonomike, më shumë jetë kulturore e më shumë debat dhe pikëpamje të kundërta, mund të thuhet se në ketë qark bëhet më shumë politikë, vlerësohet më shumë idea politike e qëndrimi politik.

Si në çdo konkurim, krahasimi bëhet mes kundërshtarëve.

Partia Socialiste ka drejtues si Erion Veliaj, Blerina Gjylahmeti dhe Ervin Bushati. Këta rilindas, po ta analizosh, kanë vetëm një armë politike; sharjen dhe përpjekjen për ta zhvlerësuar kundërshtarin, frymëzimin e ndasive, duke akuzuar kundërshtarët si shpellarë dhe, bestytni të tipit “ata duan të na kthejnë në errësirë”, a thua se sot po jetojmë në dritë e në përndritje. Pra Rilindja-G99, sekti që ka pushtuar Shqipërinë por edhe vetë Partinë Socialiste, nuk ofron asgjë politike, asgjë për ekonominë, asgjë për kulturën. E duke qenë se nuk munden të ofrojnë asgjë për nesër, përpiqen të trembin njerëzit me të djeshmen. Mirëpo PD e sotme nuk është as PD e djeshme, as e pardjeshme. Jo krejt prej ndonjë turpi prej të djeshmes por prej një procesi normal transformimi dhe reformimi.

Çfarë njerëzish po ofron PD?

Alfred Rushaj është njeri i kulturuar dhe paqësor. Ka qenë zyrtar i lartë, zv.ministër i financave, mirëpo askush dhe asnjëherë nuk e ka akuzuar për asnjë vjedhje e asnjë abuzim. Ai është avokat dhe profesionist i respektuar, kontribues në programin politik të PD, njeri i cili ofron ide se si mund të qeveriset e të mëkëmbet ekonomia. Për të tillë ka nevojë politika dhe shteti. Nuk është vlerë të shash e as të ironizosh bukur. Sharja e ironia nuk sjellin përmirësim të jetës e as rritje ekonomike.

Jorida Tabaku gjithashtu ka mbajtur poste si zv.ministre e integrimit dhe nënkryetare e bashkisë së Tiranës. Nuk ka pasur asnjë akuzë kundrejt saj për vjedhje, përvetësim e abuzim. Ajo është pedagoge e ekonomisë, njeri i kulturuar e me sjellje qytetare, vajzë apo grua të cilën nuk e kemi dëgjuar duke sharë e ulëritur por vetëm duke argumentuar mbi pronësinë, mbi ekonominë, mbi problemet e njerëzve e mbi sfidat për jetesë normale. Ajo ofron politika, ide, jep propozime dhe nuk e ka bazuar karrierën tek sharja. Njerëz të tillë i duhen politikës dhe shtetit. Sepse vetëm njerëz të tillë duket se e shohin institucionin me seriozitet.

Aldo Bumçi është katër deputet dhe tre herë ministër, mirëpo nuk ka qenë e as është i urryer, i kontestuar, i akuzuar për korrupsion e për abuzim me pushtetin. Futet tek rastet e veçanta. Aldo Bumçi është intelektual, njeri paqësor e i palidhur me krimin. Me Aldon mund të flasësh si njeri, nuk mbart e nuk përçon arrogancë, ka skrupuj, madje është bërë objek bisedash si njeri i cili nuk thotë kurrë ndonjë fjalë të keqe, apo, ruajna Zot, të pisët. Bumçi është njeri me integritet.

Albana Vokshi ka përvojë në qeverisje dhe përvojë në opozitë. Njihet kudo si gruaja punëtore. Puna e identifikon dhe me punën identifikohet. Është grua me temperament, jo ndoshta aq e urtë sa shumë gra të tjera, mirëpo temperamenti e karakteri bëjnë që me të dhe përmes saj të çohen punët përpara dhe të realizohet ajo çfarë merret përsipër. Gjatë gjithë këtyre viteve, Albana Vokshin e kemi parë vetëm duke argumentuar, duke denoncuar problemet e qeverisjes dhe duke propozuar zgjidhjet e opozitës. Njerëz që punojnë i duhen politikës dhe shtetit.

Grida Duma është pedagoge dhe intelektuale. Është njeri që përpiqet të shkruajë, të debatojë edhe me pasion, mbi idetë, ideologjinë, besimet, shpresat dhe mënyrën si duhet të funksionojnë shteti, politika dhe mardhënia e njeriut me to. Grida është përfolur gjithmonë për pamjen mirëpo asnjëherë nuk e ka pranuar veten si dekor, si vetëm pamje, gjithmonë ka tentuar të identifikohet prej mendjes e me mendjen. Prej argumentit e propozimit. Njerëz të tillë janë plus për politikën dhe shtetin.

Belind Këlliçi përfaqësues i rinisë demokrate, njihet për angazhimin me të rinjt e për politikat rinore. Belindi nuk është identifikuar asnjëherë si i ri demode, servil i kryetarit, siç ka rrezik të përfundojnë shumë politikanë të rinj. Mirëpo gjithmonë ka qenë besnik i formacionit dhe i idesë ku beson dhe u ka qëndruar atyre edhe kur nuk është kandiduar në vitin 2017. Ketë person nuk ke si ta kontestosh e për çfarë ta kontestosh. Pritshmëritë në lidhje me të janë pozitive.

Flamur Noka, ish ministër i brendshëm, mund të na ngjajë njeri impulsiv, si i forti i partisë, si militant. Ky mendim mund të ketë qenë i bazuar në vitin 2000, mirëpo me rritjen dhe përvojës dhe detyrave organizative, mund të themi se Flamuri është shtetar. Ishte ministër e nuk u përfol për afera. Ka bërë veç mirë. Në krahasim me ministrat që e pasuan, Tahiri e Xhafa, nuk u akuzua për trafik droge. Nuk u pa policia e tij duke dhunuar qytetarët. Pra megjithë paragjykimet e krijuara mbi të, nuk ke ku ta kontestosh.

Agron Shehaj është njeriu i bërë i pasur përmes punës. Modeli i sipërmarrësit shqiptar jashtë vendit i cili vjen dhe futet në politikën e vendit të tij. Agron Shehaj ka ndërtuar punë dhe punësim për qytetarët shqiptarë. Shehaj mbështet aktivitete kulturore, mbështet libra, mbështet programe të cilët i shërbejnë ndërgjegjësimit të njerëzve mbi diktaturat dhe pasojat e saj negative. Pra nuk e përdor pasurinë e tij për të jetuar jetë të shfrenuar por e përdor për kulturë dhe emancipim shoqëror. Pasanikë të tillë i duhen politikës dhe shtetit.

Siç mund ta shohim, në çdo element, njerëzor, karakterial, politik, ideor e kulturor, deputetët e PD kanë avantazhe, janë më mirë dhe i ofrojnë politikës shumë më shumë sesa kundërshtari. Kjo është arsyeja se pse qarku i Tiranës do të fitohet bindshëm. Qytetarët e qarkut të Tiranës do t’i vlerësojnë ato cilësi.