30 vjetori i Komunitetit Mysliman, Meta përkujton Hafiz Sabri Koçin

227

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka përkujtuar përmes një statusi në rrjetet sociale 30 vjetorin e rithemelimit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë.

Kreu i Shtetit falënderoi të gjithë drejtuesit fetarë të këtij Komuniteti dhe në veçanti Hafiz Sabri Koçin për qëndrimin e palëkundur në shërbim të çështjes shqiptare dhe kontributin për edukimin e besimtarëve me vlerat e vërteta të islamit.

“Sot, në 30-vjetorin e rithemelimit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, shpreh nderimet e mia më të larta dhe falenderimet më të sinqerta për të gjithë drejtuesit e nderuar fetarë të këtij Komuniteti, ndër vite, për qëndrimin e palëkundur në shërbim të çështjes shqiptare dhe kontributin e vyer për edukimin e besimtarëve tanë me vlerat e vërteta të islamit, në funksion të paqes, progresit shoqëror, harmonisë e tolerancës ndërfetare, që e kanë kthyer kombit tonë në shembull për mbarë njerëzimin.

Një homazh për Hafiz Sabri Koçin dhe të gjithë bashkëpunëtorët e tij, të cilët me shumë sakrifica ringritën nga hiri institucionet kultit, pas dekadash terrori.

U bashkohem lutjeve tuaja në këtë ditë të shënuar, që mirësitë e Zotit të bekojnë dhe begatojnë besimtarët dhe çdo familje shqiptare”, shkruan presidenti.