Edi Rama kritikon Osmanin: Shfaqet këtu dhe bën politikë të brendshme me traun

211

Kryeministri Edi Rama kritikoi presidenten në detyrë të Kosovës, Vjosa Osmani, duke deklaruar se bën politikë të brendshme me shtylla të politikës së jashtme.

“Ne nuk kemi asnjë problem me Kosovën, por, për fat të keq, Kosova ka probleme me veten. Ka disa kohë që në Kosovë politika e brendshme është bërë politikë e jashtme dhe anasjellas. Kjo e ka rraskapitur Kosovën së brendshmi dhe së jashtmi. Është tipike ajo që ndodh me qasjen ndaj Shengenit rajonal, ku një nga shtyllat e politikës së jashtme, që ka të bëjë me politikën rajonale, është bërë si kalaja e Rozafës, disa e ngrenë ditën, e disa e shembin natën. Për mua është e pakonceptueshme që një qeveri legjitime të firmosë vullnetin e shtetit të Kosovës dhe një Presidente në detyrë të shfaqet në Shqipëri dhe të bëjë politikë të brendshme me këtë shtyllë të politikës së jashtme”, tha Rama.

Kreu i qeverisë përmendi edhe debatin për traun: “Akoma më grotesk është debati për traun: paraqitet trau si kufi për Kosovën. Kjo është të bësh politikë të brendshme me një çështje administrative të vendit fqinj dhe të bësh propagandë në Tiranë për të fituar vota në Kosovë. Ai tra nuk është kufi mes nesh, sikundër trau me pagesë që do të vihet në rrugën Milot-Fier nuk është kufi mes qyteteve tona. Nëse për zonjën Vjosa atdheu është Kosova dhe Shqipëria, ky është një tra që të gjithë atdhetarët duhet të paguajnë rrugën që është për të gjithë atdheun. Këto dy fakte flasin qartë për një sëmundje që ka prekur politikën në Kosovë”.