U zgjodh ministër i Brendshëm, Bledi Çuçi i jep ‘porosinë e parë’ Policisë së Shtetit

149

Pas marrjes së detyrës ditën e sotme ministri ministri i ri i Brendshëm, Bledi Çuçi i është drejtuar përmes një mesazhi Policisë së Shtetit.

Në mesazhin e tij të parë, Çuçi thekson se institucioni i Ministrisë së Brendshme është më i gjërë se sa Policia e Shtetit, por shton se e mbështet atë në mënyrë absolute duke i ftuar të përmbushin detyrat me profesionalizëm e konform ligjit.

Ministri i Brendshëm po ashtu shprehet se në përfundim të mandatit të tij do të donte që publiku të thoshte, që i mbaroi mandati Ministrit të Brendshëm, jo Ministrit të Policisë apo Rendit.

Mesazhi i plotë i ministrit Çuçi:

Posti i Ministrit të Brendshëm është një funksion shumë i lartë publik dhe tejet i rëndësishëm në një kabinet qeveritar. Jo për konformitet tradite dhe jashtë çdo formalizmi, si fillim falënderoj Kryeministrin, që ma besoi mua këtë detyrë, mes shumë drejtuesve të tjerë nga radhët e Partisë Socialiste. Jam plotësisht i ndërgjegjshëm për peshën e madhe që ka Ministria e Brendshme në garantimin e rendit, sigurisë publike, jetës e pronës së qytetarëve, si dhe në përballjen e përditshme me paligjshmërinë. Por ky institucion është më i gjerë se sa Policia e Shtetit, që natyrisht ka rol të pazëvendësueshëm brenda këtij dikasteri. Të mos harrojmë gjithashtu se prej Ministrisë së Brendshme varen shumë shërbime të tjera të domosdoshme për qytetarët. Në përfundim të mandatit tim do doja që publiku të thoshte, që i mbaroi mandati Ministrit të Brendshëm, jo Ministrit të Policisë apo Rendit. Dua të falënderoj pararadhësin në krye të kësaj Ministrie, për punën e bërë në adresimin e sfidave që lidhen me sigurinë, rendin publik, pushtetin vendor, emigracionin dhe shumë e shumë çështje të tjera që mbulon Ministria e Brendshme. Inkurajoj në mënyrë të veçantë dhe mbështes pa asnjë mëdyshje të gjithë punonjësit e Policisë së Shtetit, kësaj organizate solide, që prej krijimit të shtetit shqiptar ka mbajtur një barrë shumë të madhe. Policia e Shtetit ka mbështetjen time absolute dhe besimin e palëkundur të çdo shqiptari. Ju ftoj të përmbushni detyrat tuaja me profesionalizëm, konform ligjit dhe me përgjegjësi të lartë qytetare. Faleminderit!