Artan Hoxha: Bledi Çuçi më ka marrë në pyetje si hetues për shkrimet e mia

250

Gazetari investigativ, Artan Hoxha, ka komentuar lëvizjet në kabinetin qeveritar, ku kryeministri Edi Rama vendosi që në postin e Ministrit të Brendshëm të emëronte Bledi Çuçin dhe në vendin e tij te Ministria e Bujqësisë të kalonte Milva Ikonomin.

Gazetari rrëfeu në një intervistë në Abc news se Bledi Çuçi në kohën që ishte oficer i policisë gjyqësore pranë prokurorisë së Tiranës e ka marrë në pyetje për 2 nga 3 paditë që ishin ngritur kundër tij nga qeveria e kohës, për një artikull me titullin “trafiku me kontrabandën e hidrokarbureve”.

“Mendova se ministri i Brendshëm do të ishte ndonjë emër i panjohur që vjen nga institucione apo ambiente që nuk i njohim, por kryeministri bëri një zgjidhje tjetër. Besoj se këtë e bëri për të shmangur një mos dekretim nga Presidenti.

Unë jam çuditur pse Çuçi u zgjodh ministër Bujqësie, jo i Brendshëm. Mes atyre që ka Rama në kabinet, është më optimali për ta çuar në atë dikaster. Sepse në CV-në e tij, kanë thënë ku ka punuar është marrë me reformën zgjedhore, etj, por Çuçi ka qenë oficer i policisë gjyqësore, pranë prokurorisë së Tiranës.

Mua më ka rastisur se kam pasur 3 padi, 2 që janë ndjekur direkt nga Çuçi. Jam marrë në pyetje nga Bledi Çuçi, kanë qenë të treja procese, nga të cilat 2 shkuan në gjykatë. Proceset i fituam. Aty e kam njohur Çuçin, rrethanat nuk do të doja të ishin ato. Bledi bënte hetimin, pyetjet, merrte deklarimet e mia. Ishte pa eksperiencë sapo kishte nisur.

Çuçi në të gjithë atë çështje ka ndjekur detyrën që i ka lënë prokurori rreptësisht, nuk ka mbajtur anë. Artikulli ka qenë “trafiku me kontrabandën e hidrokarbureve”. Pjesa kryesore e hetimit drejtuar nga Çuçi lidhej me faktin se nga e kisha marrë unë informacionin. Në proces u thirrën zyrtarë të lartë të ministrisë së Brendshme. Nga ajo kohë kam mbajtur kontakte me Çuçin, më pas ai shkoi kancelar. Çuçi ka edhe një avantazh, duke ardhur nga policia gjyqësore, ai njeh, ka qenë në koherencë me metodat e hetimit, ngjarjet” tha Artan Hoxha.