A urdhëroi Gramoz Ruçi vrasjen e 4 protestuesve të 2 Prillit ’91? Gazetari zbulon dokumentin

125

Ministri i Brendshëm në vitin 1991 ishte Gramoz Ruçi. Këtë post ai e mbajti nga Shkurti deri në Maj të vitit 1991.

Gramoz Ruçi gjatë kohës si ministër do të përballej me protestën e përgjakshme të Shkodrës. Zgjedhjet e para pluraliste të 31 marsit 1991, u fituan nga Partia e Punës. Por ky rezultat u prit me zhgënjim të madh dhe revoltë, veçanërisht në Shkodër. Në kryeqendrën e veriut dhe një ndër qytetet me të goditura nga diktatura, gjatë regjimit gjysmëshekullor mono-partiak. 

Të bindur se zgjedhjet ishin manipuluar nga Partia e Punës dhe Sigurimi i Shtetit, mbështetësit e PD vendosën të mbajnë në datën 2 prill një protestë në sheshin përballë Komitetit të Partisë së Punës në Shkodër. Autoritetet morën masa të forta, duke iu druajtur përshkallëzimit të situatës. Ministër i Brendshëm në atë kohë, ishte kryetari aktual i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi. 

Në një dokument të firmosur prej tij, Ruçi urdhëronte forcat e policisë, sesi duhej të menaxhonin protestën në Shkodër. 

“Për të vepruar me forcën e shkopit, nuk ka askush arsye të pyesë përgjegjësinë. Goditni ashpër qysh në fillimet e grumbullimeve. Për të paralizuar ata që nga turmat mund të godasin me armë forcat tona, zini lartësitë dominuese me qitës të përgatitur, forcat tona që përleshen me protestues të mos shkojnë të armatosura” ushpreh Ferdinand Dervishi, gazetar.

Protesta nisi rreth orës 8.00 të mëngjesit. Situata u acarua menjëherë, dhe nisën përplasjes mes protestuesve dhe forcave speciale. Në orën 8.15 u raportua vdekja e protestuesit të parë, Bujar Bishanaku. Ndërkohë në orën 08:45, u vranë Nazmi Kryeziu dhe Arben Broci, ky i fundit një figurë e njohur e lëvizjes studentore që solli pluralizimin. Ndërkohë rreth orës 10:00, u qëllua për vdekje edhe Besnik Ceka. 

Për këto vrasje u bënë përgjegjës snajperistët e pozicionuar në tarracën e Komitetit të Partisë së Punës në Shkodër. Numri i të plagosurve mendohet se ishte 58. 

Masakra e 2 prillit, përdoret në mënyrë spontane nga demokratët për ta sulmuar në ndonjë rast kryeparlamentarin Ruçi. Por vetëm kaq. Ky i fundit ka deklaruar disa herë se lidhur me ketë ngjarje ka dhënë llogari para drejtësisë që në vitet 1990 kur pushtetin e kishte PD, dhe ka rezultuar i pafajshëm.