Bledi Çuçi ministër i Brendshëm, Rama befason me zgjedhjen

77

Bledi Çuçi është Ministri i ri i Brendshëm. Ish ministri i bujqësisë do të pasojë Sandër Lleshaj pas dorëheqjes së këtij të fundit për shkak të vrasjes së nje 25 vjeçari nga një efektiv i policisë.

Njoftimin për ministrin e ri të brendshëm, kryeministri Edi Rama e bëri në rrjetet sociale. Në qëndrimin e tij, kreu i qeverisë e vlerëson Bledi Çuçin si një njeri të përkushtuar në çdo detyrë që ka kryer gjatë qeverisjes së Rilindjes.

Një politikan me integritet, profesionist dhe kulturë qytetarie të padyshimtë shkruan Edi Rama, që bën pas vendimmarrjes për ta emëruar në krye të ministrisë së brendshme, emrin e Bledi Çuçit do ta çojë që sot për dekretim nga presidenti Ilir Meta.

Pas largimit të Saimir Tahirit, Fatmir Xhafës dhe Sandër Lleshaj, Bledi Çuçi është i katërti ministër që i besohet një nga institucionet më të rëndësishme.

Gjatë qeverisjes së socialistëve, detyrat më të larta që ka mbajtur Bledi Çuçi janë si ministër shteti për çështjet vendore dhe prej 2019 ministër i bujqësisë.

Nga sot atij i është besuar ministria e brendshme, një nga ministritë, veprimtaria e së cilës ka qenë gjithnjë në qendër të akuzave të opozitës.

Në ministrinë e bujqësisë, Bledi Çuçi do të pasohet nga Milva Ekonomi, kryetarja e komisionit të ekonomisë. Edhe për të kryeministri Edi Rama në ndryshimet e bëra në kabinetin qeveritar, pesë muaj para zgjedhjeve, ndan të njëjtin vlerësim.