Vrau Klodian Rashën, burg për policin: Dua ti kërkoj falje familjes

109

Gjykata ka dhënë masën e sigurisë arrest me burg për efektivin e policisë Nevaldo Hajdarat që vrau 25-vjeçarin Klodian Rashën. I penduar, efektivi ka kërkuar të pranishëm në seancë familjen e 25-vjeçarit Klodian Rasha, për t’i kërkuar falje për vrasjen e djalit të tyre.

Në ekspertizën e kryer nga prokurori i çështjes ka rezultuar se në armë nuk janë gjetur gjurmë gishtash çka e bën të pamundur përcaktimin nëse arma i përket apo jo Rashës. Pritet tashmë të kryhet një tjetër ekspertizë për të verifikuar këtë dyshim.

Klodian Rasha, 25 vjeç, u qëllua për vdekje me dy plumba, gjatë natës mes 8 dhe 9 dhjetorit, pasi po e ndiqte sepse kishte shkelur orën policore, të vendosur për të frenuar përhapjen e koronavirusit në vend. Ky i fundit, është arrestuar për tejkalim të kushteve të vetëmbrojtjes.

Ndërkohë prej dy ditësh, protesta të shumta janë organizuar në Tiranë dhe qytete të tjera të vendit, ku nuk kanë munguar edhe përleshjet me Policinë. Pasditen e djeshme, ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, dha dorëheqjen nga posti. Por, sot në rrjetet sociale është paralajmëruar një tjetër protestë gjatë të premtes në mbrëmje.