Arrestoni Ardi Veliun, tentoi të mbulojë krimin

71

Dega e Lëvizjes Vetëvendosje në Shqipëri kërkoi prangosjen e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu. Sipas saj, Veliu u përpoq të mbulonte vrasjen e Klodian Rashës dhe në këtë rast nuk mjafton vetëm largimi i Sanër Lleshajt.

“Tre ditë pas vrasjes së 25 vjeçarit Klodian Rasha, rasti vazhdon të mbetet i pazbardhur. Dorëheqja e sotme e ministrit Sandër Lleshaj, pas protestave të shumta, nuk mjafton. Për publikun e gjerë është bërë e qartë se Policia e Shtetit, me deklaratat e saj kundërthënëse, ka tentuar ta mbulojë krimin dhe të manipulojë opinionin publik. Këto akte përbëjnë krim institucional të Policisë.

I dyshuari kryesor për këtë krim institucional është kryepolici Ardi Veliu. Në vend që të arrestohen të rinjtë që dolën në protestë në kundërshtim të padrejtësisë së thellë që është rrënjosur në Shqipëri, Policia e Shtetit do të duhej të arrestonte kryepolicin Ardi Veliu. Kërkojmë nga Prokuroria të lëshojë menjëherë urdhërarrestin për këtë zyrtar të kriminalizuar që drejton Policinë e Shtetit.”

Lëvizja Vetëvendosje theksoi se protestat në Tiranë po zhvillohen sepse të rinjtë kanë akumuluar zemërim për shkak të mungesës së drejtësisë dhe shkeljes së të drejtave.