A do jetë ndryshe nesër?

373

A do të jetë ndryshe nesër? A do mund ti rikthehemi jetesës normale, pa kufizime, pa orare lëvizjeve dhe pamundësinë e izolimit? A do mund të kthehemi në auditor, të komunikojmë si më parë me njëri-tjetrin pa maskë, pa distancë fizike e sociale? A do mundemi më të jetojmë pa peshën e frikës së të nesërmes për vete e të dashurit tanë? A DO TË PËRQAFOHEMI PËRSËRI?
Këto pyetje besoj i kanë kaluar në mendje të paktën njëherë çdo individi në këtë periudhë pandemie, në këtë periudhë frike e ankthi konstant, ku frika për të nesërmen është më e madhe se të jetuarit në të tashmen. Është e vështirë të jetosh në një periudhë të tillë,VIRUSI, IZOLIMI, KUFIZIMI dhe STRESI. Akoma më e vështirë të dëgjosh çdo mëngjes shifra që vetëm rriten e rriten, dikush tjeter po kurohet në spital, apo të dëgjosh se dikush humbi te afërmin e tij, duke pritur me frikën se kur do të jetë rradha jote të përballesh me këtë virus të pamëshirshëm. Por më e vështirë nga të gjitha këto është të qenit jo thjeshtë një individ por truri dhe e nesërmja e një kombi: Rinia. Pesha është e madhe, madje aq e madhe sa dëshira për të parë nesër një situatë krejt normale si më parë.


Situata emergjente kërkojnë zgjidhje emergjente, masa të marra në proporcion me gjendjen apo dhe kufizime nga më të ndryshmet. Studentët janë lajmëruar se mësimi do të nisë përsëri online deri në një vendim të dytë por sfidat dhe problemet nuk janë të pakta. Është një zgjidhje sigurisht e vështirë për këdo, aspak e lehtë madje-madje ndonjëherë e pamundur referuar kushteve të gjithësecilit, por sipas meje në këtë moment është alternativa e duhur.


Jam dakord që nuk është njësoj si të zhvillosh mësim në auditor e ta bësh të prekshme orën mësimore, do të të duhet që për orë të tëra të përqëndrohesh në ekranin e kompjuterit për të kuptuar sa më shumë të jetë e mundur, por kush tha që situate në të cilën po jetojmë është ajo më normalja, ajo e një viti më pare? Të diplomosh një brez të tërë studentësh online është krejt anormale dhe e padëgjuar, por a keni ju një zgjidhje më të mirë se kjo pa rrezikuar të drejtën e jetës? Jeta dhe e drejta e jetës është një e drejtë themelore e cila ka nevojë për mbrojtje, sidomos në një situatë të tillë pandemie globale.
Më dëgjoni? Hape mikrofonin dhe jepi përgjigje pyetjes. Të presim sa të bashkëngjiten dhe të tjeret e të fillojmë me mësimin. Ndoshta këto nuk janë frazat që jemi mësuar dhe do të donim të dëgjonim gjatë një orë mësimi, por a nuk është kjo më bukur sesa zhurma e aspirimit dhe oksigjenit në një spital Covid?
Përtej efikasitetit që ka mësim online si një zgjidhje momentale nuk duhen anashkaluar dhe disa probleme mjaft thelbësore që kërkojnë zgjidhje.


Shqipëria nuk është vetëm qytetet kryesore apo zonat urbane të zhvilluara, Shqipëria është nga cepi më verior deri në atë më jugor bashkë me zonat më të thella, ku për të qënë realisht mësimi në kushte shtepie është ende larg, po aq larg sa komunikimi me një zonë urbane. Këto studentë e kanë të vështirë aksesimin në mësim dhe si rrjedhojë ata humbasin një pjesë të madhe të formimit të tyre universitar. Por jo vetëm, këtyre të rinjve u kufizohet e Drejta për Arsim, ata privohen nga një e drejtë kushtetuese për shkak të pandemisë. Ndoshta dëshira për të ndjekur mësimin është e madhe por mundësia është e vogel, e pamundur dhe e paarritshme, pasi dikujt i mungon interneti, për të qene të drejtë faturat e tij nuk janë të përballueshme nga cilido, shkojmë dhe më tej duke konstatuar se dikujt tjetër i mungon mjeti i mësimit online (Smartphone apo një kompjuter personal). Ata ndoshta nuk kanë në telefon të zgjuar por mbajnë brenda tyre një potencial mjaft të madh të cilin në kushte normale do ta kishin treguar.

Personalisht jam studente në vitin e dytë pranë Fakultetit të Drejtësisë, Universiteti i Tiranës. Si një studente e ekselecës më duhet të them se nuk ishte e lehtë që vitin e parë të shkollimit tënd, të formimit tënd të përgjithshëm të bëje mësim online, aq të tepër të rinisësh përsëri me të njëjtat problematika. Nuk dua të mohoj gjithashtu suportin e stafit të Fakultetit duke na qëndruar pranë, por viti që lam pas dhe viti që kemi nisur tashmë kanë lënë tek ne boshllëqe të parikuperueshme në të gjithë formimin tonë si jurist të së nesërmes. Tek ne ka ndikuar pasi përtej faktit që është disi më teorike si fushë, nuk kemi zhvilluar në mënyrën e duhur ose më saktë se kemi zhvilluar fare aftësinë për debat juridik. Shumë aktivitete të cilat janë të prekshme në auditor ne nuk kemi pasur mundësinë ti zhvillojmë, energjia apo përgatitja nuk është e njejtë si në auditor ashtu dhe në platforma online.
PLATFORMA ONLINE??? Sa prej nesh të paktën njëherë nuk i ka funksionuar sistemi online? Shumë herë nuk kemi mundur të aksesojmë gjatë leksioneve apo më keq akoma të jemi pjesë efektive e seminareve duke dhënë mendimet tona. Rrjeti ngec herë pas here nuk arrin të dëgjosh apo të të dëgjojnë, për shkak të pjesëmarrjes së madhe nuk akseson dot pasi numri që sistemi pranon është mjaft i vogël, orët e leksioneve janë të lodhshme, nuk ka interaktivitet, thjesht dëgjon pa patur mundësinë të shprehësh opininionin tënd në momentin që dëshiron. Është kthyer në bezdi, në lodhje e stres të flasësh vetëm përpara ekranit të kompjuterit pa patur mundësinë të shohësh nga afër kolegët e tu apo të diskutosh me ta. Mësimi online po na kthen në njerëz racional e pak dembel duke na shkëputur nga realiteti.


Nëse do të merrnim si shembull studentët të cilët shumicën e lëndëve e zhvillojnë në laboratorët e Fakulteteve përkatëse, mund të themi se mësimi onlinë për këta student ka dështuar. Përtej përpjekjeve të mëdha mosrealizimi i praktikave apo orëve në laboratorët përkatës është një mungesë e madhe informimi dhe formimi për këta student. Studentët e mjekësisë, inxhinierive, të ekonomisë, ata që vazhdojnë Universitetin e Sporteve apo Arteve e kanë sfiduese, të vëshitrë e të pamundur të zhvillojnë mësim online, duke u kthyer në këtë mënyrë në një nga sfidat me te cilat u duhet të përballen në këtë peiudhë pandemie.


Përveç mësimit që është sfida më e madhe dhe me ndikimin më të gjerë ne jetën e të rinjve, pandemia e Covid-19 ka ndikuar dhe në jetën sociale dhe psikologjinë e tyre. Rinia është energjia, është potenciali i së ardhmes dhe tre muaj karantinë kanë ndikuar jo pak në shëndetin e tonë mendor. Pavarësisht produktivitetit gjatë asaj periudhe njeriu është kafshë politike dhe ndërveprimin me të tjerë është qëllim në vetvete. Të qenit larg aktiviteteve të përditshme dhe rutinës së ditës ka ndikuar jo pak tek të rinjtë e jo vetëm. Mbyllja e aktiviteteve të tilla si: kinematë, teatrot, qendrave kulturore apo sportive është mjaft e vështirë për të rinjtë. Mungesave e aktiviteteve të ndryshme, lojërave apo qoftë dhe më minimalja grumbullimi më miqtë apo të afërmit është një problem që të rinjtë hasin çdo ditë të tyre duke ruajtur gjithnjë e më tepër distancimin fizik e atë social.


Sfidat dhe problemet që ka sjellë me vete pandemia janë sigurisht të mëdha, po aq të mëdha sa ndryshimet që ka shkaktuar në jetën e gjithësecilit prej nesh. Asgjë nuk është njësoj si më parë dhe për një kohë të gjatë nuk do të jete dhe rinia sipas mendimit tim është kategoria më e prekur nga kjo pandemi, ku problemet e së tashmes do ti mbart dhe në të ardhmen, qoftë nga ana profesionale ashtu dhe në atë sociale.
Pandemia ka një natyrë dualiste ku përtej problemeve që sjell është mirë të heqim dorë nga disa gjëra që nesër të jetë ndryshe. Është një realitet i ri ku gjithësecili prej nesh po përpiqet të përshtatet me aq sa mundet duke mposhtur frikën e së nesërmes.

Ndoshta nesër do jetë ndryshe, ndoshta do kthehmi në auditor, ndoshta do të kemi një përditshmëri më normale, pa distancë e maskë, ndoshta nesër do mund të përqafohemi. Ka shumë frikë e ankth në sytë e gjithësecilit por ajo çka duhet të mbizotërojë është dëshira për një jetë ndryshe në të ardhmen krahas kujdesit në të tashmen.

Nga | Estela Dërmyshi