Vrasja e të riut nga polici, xhaxhai:S’kishte armë, kishe dy hurma në dorë

90

Ka folur për mediat xhaxhai i Klodjan Rashës, 25-vjeçarit që u ekzekutua nga një efektiv policie në orët e para të mëngjesit të sotëm në Tiranë pasi nuk iu bind urdhrit për të ndaluar.

Xhaxhai i viktimës ka mohuar që nipi i tij të ketë qenë i armatosur apo që të ketë kërcënuar efektivin e policisë. Sipas tij, Klodjan Rasha kishte pasur dy hurma në dorë dhe kishte dalë të pinte një kafe. Ai i ka bërë apel drejtësisë dhe gazetarëve që ta zbardhin plotësisht ngjarjen .

“Ka dalë me pi një kafe, ka pasur dy kokrra hurma në dorë, i ka lënë në ballkon, ka dalë me pi një kafe. Kur na thanë ka vdekur. Përpara ka qenë i sëmurë, gjatë ditës ka qenë duke punuar. Çfarë armësh more zotëri. Baba i vet ka qenë duke fjetur. Na thanë që është në morg. Nuk e kemi parë trupin. Dhe në emër të vëllait kërkojmë që kjo të zbardhet deri në fund. Vëllai më ka garantuar që djali nuk ka pasur absolutisht asgjë me vete. Se si ka ndodhur, se çfarë është bërë nuk dimë. Besimin tek ju dhe nga shteti. Apeli për policinë të na e zbardhë deri në fund sido që të jetë puna. Kërkojmë dhe nga ju që të na e zbardhni këtë punë”, deklaroi xhaxhai i viktimës