Flet babai i policit të vrarë: Para dy vitesh pati një përplasje në Lezhë, djali ishte i fejuar

210

Martin Prela, babai i Xhulio Prelës, dyshon vetëm tek konfliktet për shkak të profesionit që mund të jenë bërë shkak për vrasjen e të birit. Në një prononcim për mediat, ai tregoi se ata nuk kishin konflikte me njeri, por rrëfeu për një përplasje të para dy viteve të Xhulios si polic me një person. Ai kërkon nga autoritetet që të gjendet autori.

“Lajmin e mora në 5 të mëngjesit nga nipi im. Më thanë ka bërë aksident nuk ma treguan të vërtetën. Pastaj kur u afruam më thanë që e kanë vrarë. Me djalin hëngrëm darkë, ishte i qetë. U zgjua herët e iku në Rinas mori një mikun e tij që vinte nga jashtë dhe e çoi në Shkodër. Kur u kthye për të ardhur në shtëpi ndodhi ngjarja. Jam i tronditur. Nuk e di nga se ka ardhur.

Nuk kemi konflikte dhe as gjak me njeri. Djali ishte i fejuar. Ndoshta konfliktet janë të punës. Më ka thënë se para 2 vitesh ka pasur një përplasje me dikë në Lezhë, sepse djali ka zbatuar ligjin. Nga kjo kërkoi transferim në Shkodër. Mbase është ky konflikt, nuk e di. I bëj apel policisë ta zbardhë ngjarjen. Ta gjej kush ma vrau. Ai nuk ngjallet më, por është një lloj lehtësimi për mua.”

Xhulios Prelës ju bë një atenat teksa po kthehej nga Rinasi. Ai u qëllua me tre plumba, një prej të cilëve e mori në zemër.