Shkeli masat anti-Covid, Koreja e Veriut ekzekuton qytetarin në publik

123

Koreja e Veriut ka vendosur masa ekstreme kundër përhapjes së COVID-19. Mësohet se autoritetet e Koresë së Veriut kane ekzekutuar më 28 nëntor një person të akuzuar për kontrabandë përtej kufirit të mbyllur kinez.

Duke iu dhënë një shembull frike qytetarëve të tjerë që nuk respektojnë rregullat e qeverisë për koronavirusin, raporton Radio Free Asia .

Personi i dënuar me vdekje u përshkrua si një burrë në të 50-at e tij i cili u akuzua për kontrabandë me partnerë kinezë të biznesit përtej një kufiri i cili ka qenë i mbyllur për pjesën më të madhe të vitit 2020.

Kina është partneri më i madh tregtar i Koresë së Veriut, por tregtia midis  vendeve ka rënë me 75 përqind për shkak të pandemisë.

Nga frika se ata mund të sjellin virusin, regjimi i Kim ka rritur forcat ushtarake në kufi për të zbatuar kufizimet. Pyongyang ka dërguar gjithashtu njësi speciale për të kontrolluar rojet kufitare dhe për t’u siguruar që edhe vetë ata nuk janë të përfshirë në kontrabandë.

Një burim tjetër tha se ekzekutimi publik ishte tipike e përpjekjeve të regjimit për të trembur njerëzit.

“Kurdoherë që njerëzit ankohen sepse preken interesat  e tyre jetësore, autoritetet i kërcënojnë me ekzekutime publike ose duke i dërguar në kampe të burgjeve politike,” thanë ata.

Agjencia e spiunimit e Koresë së Jugut, NIS, tha javën e kaluar se Kim kishte urdhëruar një bllokim në Pyongyang dhe ndaloi peshkimin në det për të ruajtur vendin nga infektimi me virus.

Zyrtarët e inteligjencës thanë se Kim po shfaqte ‘zemërim të tepruar’ dhe po merrte ‘masa irracionale’ mbi pandeminë, sipas një ligjvënësi.

Agjencia e spiunimit gjithashtu beson se Pyongyang ekzekutoi një zyrtar në gusht për shkeljen e rregullave në lidhje me mallrat e sjella nga jashtë, tha ligjvënësi. Koreja e Veriut gjithashtu bëri një përpjekje të pasuksesshme piraterie ndaj të paktën një kompanie farmaceutike të Koresë së Jugut që po punonte për zhvillimin e një vaksinë, tha NIS.

Pandemia i ka dhënë një goditje të rëndë ekonomisë së Koresë së Veriut, e cila tashmë është nën ndëshkimin e sanksioneve të SHBA-së, por regjimi ka qëndruar i heshtur për fitoren e Joe Biden në zgjedhjet në SHBA muajin e kaluar.