Edi Rama: Jemi në krizë, kemi dështuar në trajtimin e dobësive tona

99

Në cilësinë e kreut të OSBE, kryeministri Edi Rama e ka konsideruar një vit tejet sfidues dhe një debutim dinjitoz të Shqipërisë në krye të kësaj organizate.

Në takimin e 27-të të Këshillit Ministerial të OSBE, Rama tha se kjo organizatë është në një krizë bashkëpunimi, duke vënë para përgjegjësisë vetë vendet anëtare.

Sipas tij, vizioni i përbashkët për një Evropë demokratike të paqtë dhe të bashkuar po largohet gjithnjë e më shumë.

“Do doja t’ju kisha parë në Tiranë, por në këto kohë të vështira kjo është e vetmja mënyrë që na është lënë. Kësisoj deklaroj zyrtarisht takimin e 27 të këshillit ministerial të OSBE-së të hapur dhe më lejoni të vijoj me zërin 2 të axhendës që është miratimi i rendit të ditës. Rendi i ditës është i miratuar. Zëri tre në axhendë është fjalimi nga kryetari i radhës së OSBE-së.

Të nderuar miq, zonja dhe zotërinj, kur Shqipëria mori kryesinë e OSBE-së në janar të gjithë folën për një organizatë që ishte në vështirësi, duke u ulur tani këtu mundem të konfirmoj atë çka paraardhësit e mi kanë ndjerë gjithashtu, ne jemi në krizë, një krizë në përkeqësim. Kjo nuk është një situatë që i është shkaktuar organizatës nga vetë ajo, struktura apo njerëzit e saj sepse ajo duhet përgëzuar. Në vend të kësaj ta shohim në sy, kjo gjendje është shkaktuar vetëm nga ne, 57 vendet anëtare të OSBE-së.

Supozohet të kishim një vizion të përbashkët për një Evropë demokratike të paqtë dhe të bashkuar. Ky vizion po largohet gjithmonë e më shumë sepse parimet dhe angazhimet tona nuk zbatohen, divergjencat në pikëpamjet tona po rriten. përballja zgjidhet përmbi bashkëbisedimin, përçarja përmbi bashkëpunimin. Kjo duhet të na shqetësojë të gjithëve. Jam i shqetësuar nga kriza e përhershme e bashkëpunimit, kemi dështuar të trajtojmë dobësitë tona.”

Edi Rama