Rëndohet gjendja e Etrit Berishës, shtrohet në spital

283

Nëse futbollistët e tjerë kuqezi të Kombëtares e kaluan pa pasoja Covid-19, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për portierin dhe kapitenin Etrit Berisha, i cili sot nuk është ndjerë mirë dhe është shtruar në spital për ndjekje më të specializuar.

Klubi i tj SPAL njoftoi se pas pozitivitetit Covid-19 të gjetur të premten më 27 Nëntor, në orët e fundit portieri bardheblu Etrit Berisha u shtrua në spital në departamentin e specializuar Covid-19 të spitalit Cona pranë Ferrara-s për të kryer ndjekje më të detajuar.

Berisha është pikë referimi për SPAL, teksa me pritjet e tija i ka dhënë pikë të rëndësishme në Serie B. Ekipi renditet në vendin e katërt, por vetëm 2 pikë larg kreut. SPAL kërkon rikthimin në Serie A, prandaj ka mbajtur në ekip një portier me përvojë si Berisha

Gardiani i Kombëtares shqiptare është aktivizuar në 6 ndeshje në Serinë B këtë sezon, ku në 3 të tilla nuk ka lejuar gol, ndërsa ka pritur edhe penallti. Berisha gjithashtu ishte protagonist në tre fitoret e fundit të Kombëtares gjatë muajit nëntor.