Kolaudimi do të kryhet një herë në dy vjet / Makinat e reja, tre vjet pa asnjë kontroll

152

Me kalimin e shërbimit të kontrollit teknik që njihet kolaudimi, nga privati tek shteti, disa rregulla të reja pritet të hyjnë në fuqi. Të gjitha makinat e reja me kilometrazh zero, deri në tre vite përdorim nuk do të kryejnë shërbimin e kolaudimit.

Zyrtarisht kontrolli teknik i makinave do të kryhet nga Drejtoria e Shërbimit të Transportit Rrugor si enti pronar i qendrave të kontrollit. Lajmi është bërë publik nga kryeministri në një postim në Facebook.

Paralelisht kolaudimi i automjeteve do të kryhet një herë në dy vite, për makinat e përdorura dhe jo çdo vit sikundër kryhet aktualisht. Ndërsa çmimi aktual prej 1960 lekë nuk do të ndryshojë, por vlefshmëria e tij do të zgjatet për dy vite.

Njëkohësisht, mjetet taksi, autoshkolla si dhe mjetet e transporti të mallrave dhe udhëtarëve shërbimin e kolaudimit do të kryejnë një herë në vit nga një herë në 6 muaj që kryhet aktualisht. Sipas shefit të qeverisë, përfitues nga rregullat e reja janë  630 mijë automjete.

Pas një periudhe 11-vjeçare që kolaudimi ofrohej nga kompani private, në një janar 2021, ky shërbim do ta ofrojë shtetit. Paralelisht Ministria e Infrastrukturës do të nisë procesin e liberalizimit të tregut, për të licencuar më shumë kompani që ofrojnë këtë shërbim në treg.