Infektohen me Covid19 tre pjesëtarë te Kombëtarja e femrave të shqipërisë

245

Koronavirusi vazhdon të zgjerojë edhe më shumë përmasat në valën e tij të dytë. Ashtu si në shumë fusha të ndryshme, edhe bota e futbollit nuk i ka shpëtuar virusit famëkeq. Së fundmi, koronavirusi ka depërtuar edhe në kombëtaren e femrave duke infektuar trajnerin Armir Grima.

Së bashku me Grimën, është infektuar edhe futbollistja Mimoza Hamidi dhe përgatitësi atletik i kombëtares, Alban Shala, që kanë rezultuar pozitivë me Covid-19 në testet e kryera para ndeshjes së eliminatoreve të Europianit ndaj Qipros.

Zyra e shtypit në FSHF bën me dije se trajneri dhe dy anëtarët e tjerë të skuadrës janë vendosur në karantinë dhe nuk do të jenë me Kombëtaren në sfidën e së premtes. Vajzat e kombëtares do të zbresin nesër në fushën e Loro Boriçit për ndeshjen ndaj Qipros, ndërsa tekniku shkodran ditën e sotme kishte planifikuar konferencën për shtyp.

Tashmë planet kanë ndryshuar dhe konferenca detyrimisht është anuluar, ndërsa Grima nuk mund të jetë në drejtimin e skuadrës nesër duke qenë se është izoluar menjëherë për të shmangur përhapjen e virusit. Grima, Hamidi dhe Shala janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe nuk kanë shfaqur simptoma.

Të tre anëtarët e skuadrës përfaqësuese do t’i nënshtrohen sërish testeve me tampon pas dy ditësh. Ndeshja me Qipron është vendimtare për ekipin kombëtar të femrave, teksa në rast fitoreje shmanget vendi i fundit dhe përmirësohet imazhi. Shqipëria fitoi ndeshjen e parë në Qipro. Ky është suksesi i vetëm në grup dhe kërkohet të përsëritet.