Lulzim Basha përsërit nga Shkodra qëndrimin: Vdekjet COVID po fshihen! Kryemadhi nuk mban maskë? Unë jap shembullin personal

68

Në vizitën e zhvilluar sot në Shkodër, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, pati një takim edhe me kryetaren e bashkisë së qytetit, Voltana Ademi.

Pas takimit, z. Basha foli edhe për mediat lokale atje. Edhe nga Shkodra Basha ripërsëriti qëndrimin e tij se Qeveria ul numrin e të vdekurve nga COVID.

Edhe në situatën e pandemisë Qeveria e ka braktisur Shkodrën. Dje kemi pasur shifrën rekord të vdekjeve por shifrat që fshihen nga Rama janë edhe më të këqija.

Si mund të fshehësh numrin e të infektuarve dhe dhe më pas bën politikë me vdekjen duke fshehur shifrat e të vdekurve, kur të gjithë e dimë që shifra e atyre që humbin jetën është shumë herë më i madh”, tha Basha në lidhje me këtë çështje.

Kryedemokrati tha se vendi është në një situatë shumë të rëndë.

“Është rritur papunësia dhe varfëria. Kjo situatë kërkon veprime të vendosura. Duhen veprime të vendosura për tu ardhur në ndihmë familjeve ku kryefamiljari ka humbur punën. Duhen veprime të vendosura për bizneset që kanë humbje.

Kjo gjendje kolapsi është përgjegjësi e keqmenaxhimit të krizës. Por nuk do të jetë kështu. Ne do të ndërtojmë një qeveri funksionale në shërbim të qytetarëve. Dhe do ta shërojmë këtë plagë.

Nëse kërkon që paratë të mos shkojnë për inceneratorët dhe korrupsionin qeveritar për të shkojnë për masat anticovid, për familjet në nevojë.

Asnjë minutë nuk jam këtu dhe nuk është roli im që t’i bëjë qejfin Edi Ramës. Propozimet dhe planet tona gjejnë mbështetje mbarëpopullore. Jemi vendi me ndihmën ekonomike më të ulët në rajon, me shëndetësinë më në kolaps. Ne kemi ofruar zgjidhje. Përgjigja e mjerueshme e Kryeministrit tregon se ai nuk ka asnjë plan dhe asnjë masë në ndihmë të njerëzve.  Gjithsecili duhet të bëjë punën e vet. Duhet të marrim çdo masë për të mbrojtur njerëzit, veçanërisht moshën e tretë”, tha Basha.

Ai është pyetur nga gazetarët edhe nëse ka një apel për aleaten e tij znj. Kryemadhi që nuk mban maskë.

“Apeli im është ndaj të gjithë qytetarëve shqiptarëve dhe apeli më i mirë është shembulli im personal që prej ditës së parë”, përfundoi Basha.