Universitetet mësim online pa afat/ Rakacolli tregon nëse do të mbyllen shkollat

103

Komiteti Teknik i Ekspertëve vendosi që universitetet të vazhdojnë mësimin online, për shkak të rëndimit të situatës së pandemisë. Zëvendësministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli tha se kjo masë do të jetë në fuqi pa afat.

“Komiteti Teknik mendon që mësimi në universitete për shkak të situatës që është do të vazhdojë online edhe për një periudhë në varësi të vlerësimit dinamik që ne do të bëjmë. Masa të tjera në varësi me zhvillimet ditore dhe analizat javore që bëjmë do të shikojmë nëse do të kemi nevojë të bëjmë masa të tjera.”

E pyetur nga gazetarët për mundësinë e mbylljes së shkollave, Rakacolli u shpreh se për momentin nuk është e nevojshme një masë e tillë.

“Vëmendja për shkollat ka qenë gjithmonë prioritet që në 14 shytator kur u vendos hapja e shkollave. Ashtu sikurse ne kemi bërë me dije, nuk ka ndonjë ndryshim të rëndësishëm në influencën që hapja e shkollave të ketë pasur rëndim të shifrave të pandemisë. Në shifrat që jemi tani, që janë në nivel të qëndrueshëm, nuk e diskutojmë për momentin sot. Por është diçka që e ndjekim në 24 orë, nëse shifrat do të ndryshojnë dhe do të jenë brenda atyre numrave që kërkojnë masë të tillë, do të merren.”

Mira Rakacolli bëri thirrje për të gjithë qytetarët që të jenë të vëmendshëm në zbatimin e masave pasi, sipas saj, kjo nuk është një betejë spitalore, por e të gjithëve.