Sandër Lleshaj e pranon: Probleme me kultivimin e narkotikëve në Skrapar, ka pasur efektivë të implikuar

237

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj ishte këtë të hënë në Drejtorinë Vendore të Policisë Berat, ku ka zhvilluar një analizë të detajuar lidhur me masat e marra në luftën kundër kultivimit të kanabisit në këtë qark.

Pas takimit të zhvilluar me dyer të mbyllura brenda DPV Berat, Lleshaj ka deklaruar gjatë një komunikimi me median se në tërësinë e tij ky mision në qarkun e Beratit është realizuar, ndërkohë që probleme të shtuara janë hasur vetëm në zonën e Skraparit, ku ka pasur mjaft raste të kultivimit të bimeve narkotike.

“Probleme të shtuara në lidhje me këtë fenomen të kultivimit të narkotikëve kemi pasur në zonën e Skraparit dhe këto probleme janë evidentuar nga DVP-ja e Beratit dhe jo nga Komisariati i Policisë Skrapar. Ne kemi vërejtje për efektivët e policisë Skrapar, ku kemi dhënë vërejtje pasi ka pasur implikime në nivele të ndryshme”, tha Lleshaj.

Ai sqaroi se qëllimi i takimit të tij sot me drejtuesit e lartë dhe specialistët e DPV Berat ishte fillimi i zbatimit të masave kundër trafikimit të lëndëve narkotike për vitin 2021.

“Për ata që i gënjen mendja se mund të përfshihen në veprimtarinë kriminale të kultivimit të lëndëve narkotike, ta harrojnë, ne do t’i godasim me struktura të mirëorganizuara”, tha ministri.

Duke u ndalur edhe në situatën pandemike që po kalon vendi ynë nga Covid-19, Sandër Lleshaj iu bëri thirrje nga Berati të gjithë qytetarëve që të angazhohen maksimalisht në zbatimin e masave anti-covid, për të këputur zinxhirin e transmetimit të virusit.